Bariu dëgjoftë zërin e deleve

Homelia e Imzot George Frendo në Meshën e përurimit të tij si Arqipeshkëv i Arkidioqezës  Tiranë-Durrës

Tiranë me 3 dhjetor 2016

 dsc_4294

Rasti i sotëm më kujton atë ditë, para pak më shumë se dhjetë vitesh, kur Imzot Rrok Mirdita më shuguroi ipeshkëv. Sot dua të shpreh edhe një herë mirënjohjen time ndaj tij, atit të kësaj arkidioqeze. Gjithçka në këtë Kishë Katedrale na kujton personin dhe angazhimin e tij. Zoti e shpërbleftë për dashurinë e tij për Kishën, për popullin shqiptar, dhe për dioqezen që vetë Zoti ia kishte besuar.

Pikërisht para 50 viteve, qeveria komuniste shqiptare mori këtë vendim: “Të shpronësohet Kisha Katolike e ndodhur në Bulevard ‘Stalin’ (Tiranë). Të shpronësohet dhe të shembet”. Sot nuk ekziston më ajo kishë, e ndërtuar në vitin 1856, por sot kemi këtë Katedrale, e ndërtuar përballë Mausoleumit që kishte ndërtuar për veten e tij ai i cili kishte vendosur të vriste Zotin.

Leximet që kemi dëgjuar janë po të njëjtat që kisha zgjedhur atë ditë kur u shugurova ipeshkëv, por sot për mua kanë një domethënie tjetër. Leximi i parë na foli për thirrjen e Jeremisë profet. Jeremia kishte frikë, sepse i tha Zotit, “Jam fëmijë”. Unë nuk mund të them, si Jeremia, se “jam fëmijë”, por rrëfej sinqerisht se edhe unë kam frikë të pranoj këtë përgjegjësi të re dhe të madhe. Megjithatë Zoti më thotë ashtu sikurse i tha edhe Jeremisë: “Mos ki frikë, unë jam me ty”. Në Leximin e dytë Shën Pali më kujton se, si përfaqësues i Krishtit, jam mbarështues i pajtimit mes popullit dhe Hyjit dhe mes njerëzve me njëri-tjetrin, ndërsa Ungjilli na flet për takimin e Krishtit të ngjallur me Pjetrin. Tri herë rresht Jezusi e pyet Pjetrin: “A më do ti?” – duke i ngarukar detyrën për të kullotur delet e tij. Sot e dëgjoj Jezusin që, duke më thirrur me emër, më pyet: “George, a më do ti?” dhe m’i beson delet e tij në këtë dioqezë.

Vëllezër e motra, më lejoni tani t’u drejtohem kategorive të ndryshme të pranishme këtu.

Së pari u drejtohem meshtarëve dher regulltarëve. Ata i nxis veçanërisht që të vlerësojnë thjeshtësinë dhe varfërinë ungjillore. E theksoj këtë fjalë: ungjillore. Pra nuk bëhet fjalë për atë thjeshtësi që është naivitet. Madje Jezusi na ka thënë të jemi “të zgjuar si gjarpërinjtë”. Nuk është fjala as për varfërinë shoqërore. Ne duhet ta luftojmë varfërinë shoqërore, sepse ekzistenca e të varfërve në shoqëri është gjithmonë provë e egoizmit, e padrejtësisë dhe korrupsionit, është provë se nuk po zbatohet plani dhe vullneti i Zotit, i cili ua besoi njerëzve, të gjithë njerëzve, pasurinë e tokës. Kurse varfëria ungjillore është urtia e atyre që kanë gjetur thesarin e fshehur të Mbretërisë së qiellit. Ata kanë kuptuar se është urtësi e vërtetë të grumbullojnë thesaret në qiell sesa këtu mbi toke. Por kanë kuptuar gjithashtu se thjeshtësia dhe varfëria ungjillore na bëjnë dëshmitarë më të besueshëm të Krishtit, i cili vetë ishte i varfër dhe i kishte shumë për zemër të varfrit. Shoqëria shkandullohet jo vetëm nëse mëkatojmë në fushën e seksualitetit, por edhe nëse na sheh lakmues për t’u pasuruar. Ja pse Shën Françesku, me thjeshtësinë e tij, ka tërhequr admirimin e popujve deri më sot; ja pse Shën Dominiku, i varfër, me predikimin e tij ka bindur shumë heretikë të heqin dorë nga jeta e tyre dhe të kthehen në Kishën e Krishtit; ja pse Shën Tereza, të cilën ne vazhdojmë ta thërrasim “Nënë Tereza”, u bë ndoshta personi më popullor i shekullit XX. Ungjijtë përsërisin disa herë se Jezusi “fliste me autoritet”. Flasim ne me këtë autoritet? Fjalët tona a janë shoqëruar nga jeta dhe veprat tona? Njerëzit a shohin në ne Krishtin in persona?

U drejtohem së dyti të gjithë besimtarëve tanë. Kisha nuk është tempulli i ndërtuar me gurë të pajetë. Shën Pali thotë se secili prej nesh është “tempull i Hyjit”, ndërsa Shën Pjetri na thërret “gurë të gjallë”. Si mund të imagjinojmë një gurë të gjallë? Ezekjeli profet flet për eshtrat e thatë që morën mish dhe frymë. Zoti bën që ne, gurë të pajetë, të marrim frymë dhe të bëhemi “gurë të gjallë”. Mos jini vetëm nxënës të Krishtit. Jini gjithashtu apostuj, të dërguar të Krishtit. Ishte kjo arsyeja pse keni pranuar sakramentin e krezmimit, që të bëheni dëshmitarë, apostuj të Krishtit. Le të ndërtojmë së bashku Kishën e Krishtit në dioqezën tonë të Tiranë-Durrësit. Le ta falënderojmë Zotin për mrekullitë që ka bërë me dioqezën tonë gjatë këtyre njëzet e pesë viteve të fundit, por rrugëtimi ynë nuk është ndaluar: duhet të vazhdojë. Mos të kemi frikë të bëjmë reformat e duhura, mos të kemi frikë të ndryshojmë strukturat. Por mos të harrojmë se puna më e rëndësishme dhe më e vështirë nuk është ndryshimi i strukturave, por ndryshimi i zemrës. Reformat, vetëm, nuk janë të afta t’i ndryshojnë zemrat. Vetëm me anë të fesë dhe të dashurisë mund t’i ndryshojnë zemrat, dhe duke përdorur një shprehje të Papa Françeskut ju them: “le të ndërtojmë ura, dhe jo mure”. Së bashku le të ndërtojmë një kishë sipas modelit që na paraqet Papa Françesku: një kishë që pasqyron shpirtin e Krishtit në thjeshtësi dhe përvujtëri, një Kishë që shërben, afër popullit veçanërisht të varfërve, të braktisurve, të mënjanuarve për shkak të ngjyrës ose të gjendjes së tyre shoqërore, viktimave të padrejtësisë, një Kishë që bëhet zë për ata që s’kanë zë. Prandaj le t’u buzëqeshim atyre që kërkojnë solidaritetin tonë, le t’u japim dorën atyre të cilëve ua kishim mohuar, le t’i zgjerojmë zemrat tona që të varfërit dhe të mënjanuarit të gjejnë në to vend strehimi.

U drejtohem së treti politikanëve. Kam shumë respekt për ju, sepse ju jeni në shërbim të popullit për të mirën e përbashkët. E mira e përbashkët ka përparësi mbi të mirën e partisë. Misioni juaj si politikanë ju afron me popullin. Në fjalimin e saj të parë si kryeministre e Britanisë së Madhe, Tereza Mei foli rreth drejtësisë shoqërore. Ajo tha se kjo do të thotë “të luftosh padrejtësinë e padurueshme ku, nëse ti lind i varfër, vdes mesatarisht 9 vjet më herët se të tjerët; nëse je me ngjyrë, trajtohesh më rreptë se të bardhët nga sistemi gjyqësor; nëse je i bardhë, por je klasë punëtore, ke shanse më të pakta se të tjerët të ndjekësh universitetin; nëse arsimohesh në shkollë publike ke më pak gjasa të kapësh poste të larta se ata që arsimohen në shkolla private; nëse je femër paguhesh më pak se meshkujt; nëse ke probleme mendore, nuk gjen ndihmë të mjaftueshme dhe nëse je i ri e ke shumë më të vështirë se dikur për t’u bërë me një shtëpi tënden.” E dini sa shumë Kisha i ka për zemër të varfërit dhe të mënjanuarit. Por Kisha nuk mund të zëvendësojë qeverinë. Jemi komplimentar në luftën tonë kundër korrupsionit dhe padrejtësisë dhe në mbrojtjen e të varfërve dhe të mënjanuarve. Është politika që mund të ndryshojë strukturat për një shoqëri më të pastër dhe më të drejtë; por janë besimet që mund të ndryshojnë zemrat për një shoqëri më vëllazërore dhe më paqësore.

Tani ju drejtohem juve, të rinjtë, shpresa e së ardhmes tonë. E di mirë se shumë prej jush kanë vetëm një ëndërr: që të shkoni në një vend të huaj ku mendoni se do të gjeni një parajsë tokësore, sepse do të pasuroheni brenda pak ditësh! Së pari dua t’ju referoj mësimin e Shën Tomës nga Aquino, domethënë së virtyti i dashurisë përfshin dashurinë për atdheun. Duajeni atdheun tuaj! Shqipëria jo vetëm që është një vend shumë i bukur, por është nëna që ju ka mësuar shumë vlera pozitive. Ju jeni trashëgimtarë të një kulture mikpritësie, në një botë që na mëson anonimitetin; jeni trashëgimtarë të një kulture solidariteti me njerëzit që kanë pësuar fatkeqësi; jeni trashëgimtarë të një kulture që tregon respekt të madh ndaj të moshuarve, që në shumë vende sot çmohen si një peshë për shoqërinë; jeni trashëgimtarë të shumë vlerave që shumë vende më të pasura financiarisht i ka përzjerë me mbeturina.

Por ju duajeni atdheun që ju ka pasuruar me këto vlera. Tregohuni gjithmonë guximtarë duke menduar si mund ta bëni atdheun tuaj gjithmonë më të mirë, më të drejtë, më të pastër. Gjithashtu tregohuni guximtarë edhe nëse Zoti ju thërret për një jetë ku mund t’i shërbeni Kishës në mënyrë më rrënjësore, si meshtarë ose si motra. Kemi shumë nevojë për të rinj dhe të reja të gatshshëm të jenë më shumë bujarë me Zotin dhe që nuk kanë frikë t’i thonë Zotit: “Po, o Zot, ja ku jam! Dua të të shërbej si meshtar, si frat, si murgeshë”.

Dhe së fundi ju drejtohem juve, të dashur përfaqësues të besimeve në Shqipëri. Ashtu si pasardhësi im, i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, edhe unë dua të jem vegël për promovimin e harmonisë ndërfetare.

Një përshëndetje vëllazërore dhe të përzemërt ndaj udhëheqësve dhe besimtarëve të kishës Ortodokse, vëllezërit tanë në besimin e krishterë. Së bashku le të jemi frymëzim për të krishterët në Shqipëri dhe në mbarë botën dhe t’i lutemi Zotit me zell të përtërirë për bashkimin e plotë të të gjithë nxënësit e tij. Vendi ynë pret prej nesh një dëshmi bindëse të krishterë në të gjitha sferat e jetës, personale dhe shoqërore. E ardhmja e njerëzimit do të varet shumë nga aftësia jonë për të dhënë dëshmi të përbashkët për Shpirtin e së vërtetës, në këto kohëra të vështira.

Përshëndes gjithashtu përfaqësuesit e Kishës Ungjillore. Bashkohem me ju në lutje në përvjetorin e 500-të të Reformimit Protestant. ADN-ja ime si Dominikan dhe formimi im së bashku me zellin tim apostolik, përforcojnë bindjen time se ne nuk mund të qëndrojmë pasiv në qetësinë të ndërtesave tona kishtare; kemi nevojë të kalojmë nga një baritorja të thjeshtë të ruajtjes tek një shërbim baritor përfundimtar misionar.

Tani u drejtohem Myslimanëve dhe Bektashianëve, që janë përfaqësuar këtu nga udhëheqësit e tyre. Në shekullin njëmbëdhjetë, Papa Gregori VII i shkroi një letër Mbretit të Mauritanisë, Al-Nasir, që ishte musliman. Në këtë letër Papa i drejtohet atij me fjalët “vëllai im në Abrahamin, besimtar në Hyjin, një dhe krijues”. Në vitin 1965 Koncili II i Vatikanit botoi deklaratën Nostra Aetate, që flet për marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe besimeve jo-të krishtera. Në këtë dokument, Koncili shprehet se Kisha ka shumë respekt për Muslimanët, të cilët adhurojnë një Hyj të vetëm dhe të amshuar, të mëshirshëm dhe të gjithëpushtetshëm. Dhe këto pohime na ftojnë t’i vlerësojmë më shumë të vërtetat dhe vlerat e përbashkëta që duhet të na angazhojnë për ndërtimin i një shoqërie më të denjë për njeriun. Sepse, si besimi i krishterë, ashtu edhe besimi mysliman dhe bektashian, i njohin njeriut një dinjitet të veçantë në krijim. Në Kuran lexojmë fjalët e Allahut: “Dhe kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë krijova në tokë zëvendes’”. Dhe poeti i famshëm Bektashian Naim Frashëri ka shkruar: “Zemra e njeriut në jetë – është vendi i Perendisë – atje është Zoti i vërtetë – deti i madh i gjithësisë”.

Vëllezër e motra, kemi filluar këtë meshë duke kërkuar mëshirën e Zotit. Dhe unë dua të mbaroj këtë fjalë duke kërkuar mëshirën tuaj. M’i falni gabimet e mia. Unë nuk gëzoj dhuratën e pagabueshmërisë. E di se kam gabuar shumë në jetën time. Do të bëj çmos mos të përsëris të njëjtat gabime, por nuk mund të jap asnjë garanci se nuk do të bëj gabime të reja. Që nga tani kërkoj mirëkuptimin dhe faljen tuaj.

Lutuni për mua, që Zoti të jetë gjithmonë drita ime për të mirën e grigjës që Ai i’a ka besuar një personi të dobët sikurse jam unë. Faleminderit për praninë tuaj edhe për dashurinë e madhe që gjithmonë më keni treguar, sigurisht pa e merituar. Faleminderit, faleminderit shumë! Jam vëllai juaj Gjergj.

Check Also

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur!

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur! Nga Igli Gjelishti I nderuar e ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *