Dom Gjergj Meta, shugurohet Ipeshkev i Rreshenit

HOMELI PËR SHUGURIMIN IPESHKVOR TË GJERGJ METËS

Rrëshen, më 2 shtator 2017

I dashur vëlla dhe shok në rrugëtim, i dashur Gjergj: i ke zgjedhur ti leximet që sapo kemi dëgjuar. Fjalët që do të t’i drejtoj ty tani, dëshiroj që të jenë për ty, si edhe për mua, një meditim nëpërmjet tri personave për të cilat bëhej fjalë në këto tri lexime dhe kështu të mësojmë nga ta. Janë Isaia, Pali, dhe Pjetri.

Isaia është thirrur të jetë profet. Shpeshherë mendojmë se profeti është ai që parakallëzon të ardhmen. Por në fakt profeti është një person me një mesazh për të tanishmen, duke pasur parasysh situatën e tanishme dhe shenjat e kohës së tanishme; është dërguar prej Zotit dhe flet në emrin e Zotit,me një mision të veçantë: duhet ta qortojë popullin për gabimet e tij, por edhe t’i japë shpresë në momentet e vështira. Isaia dhe profetët kanë hasur momente të vështira. Ti je ende në “muajin e mjaltit”; ky muaj kalon, e do të vijnë momente kur ndoshta do të ndihesh i vetmuar ose i keqkuptuar. Është mirë që në jetën tonë të përjetojmë edhe eksperienca të tilla: të pranuara me shpirt të krishterë, na mësojnë përvujtërinë dhe na detyrojnë t’i drejtohemi Zotit e t’i themi: Ji ti, o Zot, fuqia ime!

Por Isaia është gjithashtu profet i shpresës. Në momentet më të vështira në historinë e popullit, ka qenë ai që i ka thënë popullit: Mos u tremb! Zoti është Emanuel, Zoti me ne. Ti vetë jeto me shpresë, por ki kujdes që të frymëzosh gjithmonë shpresën tek besimtarët që do të të besohen ty. Me një fjalim plot ankesave ose dënimeve i bën më shumë dëm Kishës sesa mirë. Predikimi ynë le të jetë gjithmonë dhe vetëm një lajm i mirë.

Isaia ve re se misioni profetik nuk është një mision i lehtë. Prandaj bërtet: “I mjeri unë…” Nuk jam i denjë!I dashur vëlla, të nxis që, si Isaia, edhe ti të vësh re se nuk je i denjë. Por si Davidi thuaji Zotit: “Kush jam unë, o Zot Hyj, dhe ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?” Kështu do të kuptosh gjithmonë sa bujar ka qenë Zoti me ty.

Pali ishte zgjedhur që të bëhej apostull i popujve. Personi i Palit paraqet një paradoks të madh. Imagjinoni Jezusin të vijë tek ne për një këshillë. Na thotë: “Dua të caktoj një person të bëhet apostull i popujve. Çfarë mendoni për Palin?” Besoj se do t’i kishim thënë: “Zotëri, a po bën shaka? Pali? Ai farise fanatik, nga i cili të gjithë nxënësit e tu trembëshin edhe vetëm duke përmendur emrin e tij?” Por Zoti ynë nuk është njëxhuxh. Është Zoti qëu jep shpirtin e jetës edhe eshtrave të thatë dhe kalon nëpër dyer të mbyllura.

Pjesa që kemi dëgjuar në leximin e dytë nga Letra drejtuar Galatasve është krejt në kundërshtim me atë që vetë Pali besonte dhe predikonte si farise fanatik. Rrethprerja nuk vlen asgjë, as veprat e mira që bëjmë nuk vlejnë asgjë nëse nuk janë të frymëzuara nga feja. Nuk janë traditat tona që na bëjnë katolikë të vërtetë, por, thotë Pali, “feja që vepron me dashuri”. Janë fjalë, i dashur vëlla, që ti ke caktuar si moto për stemën tënde, që në fakt do të thotë se do të të shoqërojnë dhe të frymëzojnë në udhëheqjen e dioqezës qëtëështë besuar ty. Të uroj që feja të jetë gjithmonë arsyeja eçdo nisme dhe i çdo aktiviteti, veçanërisht në marrëdhëniet e tua me popullin, sidomos me të varfërit, në mënyrë që në fytyrën e çdo personi që do të të afrojë të shohësh fytyrën e Jezu Krishtit. Kujtoji gjithashtu fjalët që kemi dëgjuar gjithmonë në Leximin e Dytë: “Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë”. Të lirë për të bërë atë qëështë e drejtë. Pa kompromis me persona të korruptuar, me persona që kërkojnë më shumë të shërbehen nga Zoti dhe nga Kisha sesa t’i shërbejnë Zotit dhe Kishës. S’kemi nevojë për privilegje. Duam vetëm të shërbejmë me “fe që vepron me dashuri”.

Së fundi kemi figurën e Pjetrit. Është një mëkatar, i pakulturuar, i dobët  dhe frikacak, që nuk guxoi ta mbështesë Jezusin në atë moment kur Jezusi kishte më shumë nevojë për mbështetjen e tij. E mohoi për një, dy, tri herë. Megjithatë pastaj pranoi mëkatin e vet, qau, dhe tani e shpalli dashurinë e tij për Zotin.

Por ky tregim i bukur nga Ungjilli i Gjonit na paraqet gjithashtu zemrën e mëshirshme të Jezusit. Ai takohet me atë të cilit një ditë i kishte thënë “Ti je shkëmb!” Sipas logjikës sonë, tani Jezusi më mirë do t’i kishte thënë: “Ti vlen më pak sesa argjila dhe rëra! Nuk je shkëmb fare!” Por jo! Përkundrazi, Jezusi tani i jep Pjetrit rastin për të shndërruar mohimin e tij në një pohim dashurie. Për tri herë Jezusi e pyet: “A më do ti?” Dhe për tri herë Pjetri pohon me këmbëngulje dashurinë e tij për Jezusin.

Dhe vetëm pasi Pjetri pohon dashurinë e tij Jezusi i beson atë mision fisnik: “Kulloti qengjat e mia! Kulloti delet e mia!” Sepse kujdesi për delet nënkuptondhe kërkn dashuri. Vetëm dashuria na bën të denjë dhe të aftë të pranojmë dhe të kryejmë një mision që Zoti na beson. Vetëm dashuria, fort i dashur vëlla, na aftëson t’i njohim delet dhe të thërrasim secilën me emër. Vetëm dashuria na jep atë kurajo për ta kërkuar delen e humbur, dhe pasi ta kemi gjetur, nuk e rrahim, as e qortojmë me fjalë dënimi, por e përqafojmë duke e çuar në vathë dhe duke e mbrojtur nga ujku.

I dashur vëlla, në misionin tënd baritor do të kesh, padyshim, mbështetjen e martirëve tanë, veçanërisht të atyre që ishin nga Mirdita ose kanë punuar në Mirditë: të lumët Dom Jak Bushati, Dom Mark Gjani, Marie Tuci, Anton Zogaj dhe veçanërisht Imzot Frano Gjini, që ka shërbyer si Ipeshkëv në Orosh (Mirditë). Për ta mbrojtur popullin që po torturohej nga komunistët, ai i ka shkruardy herë letër Enver Hoxhës, edhe duke rrezikuar jetën e vet. Në fakt, si përgjigje të vetme mori arrestimin dhe torturat më çnjerëzore. Para se ta pushkatonin tha këto fjalë të fundit: “Rrnoftë Krishti mbret, rrnoftë Shqipnia edhe pa ne”.

Rasti i sotëm ka një domëthënie shumë të veçantë për mua, për dy arsye. Së pari, sepse kjo është hera e parë që po bëj një kremtim kaq të veçantë dhe të rëndësishëm, shugurimine një ipeshkvi. Së dyti, sepse kandidati është ai i cili, deri para dy muajsh, ka qenë dora ime e djathtë në drejtimin e arqidioqezës Metropolitane të Tiranë-Durrësit si Vikar i Përgjithshëm. Prandaj fjala e parë që dua ta drejtoj ty, i dashur vëllai im Gjergj, është: Falëminderit! Menjëherë pas emërimit tim si arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit të caktova si zëvendësin tim, dhe gjatë kësaj kohe të shkurtër (në fakt, vetëm shtatë muaj) kam gjetur në ty një person me të cilin kam pasur mundësi të këshillohem, të ndaj problemet e mia, dhe të bisedoj për shumëlloj argumentash. Nuk e di çfarë do të thuash ti për mua, por nga ana ime kam shumë gjëra për të cilat duhet të të jem mirënjohës.

Zoti të ka dhuruar shumë gjëra të bukura, ndër të cilat përmend zgjuarsinë tënde dhe një karakter që të bën një bari shumë të afrueshëm dhe të hapur për marrëdhënie të ngrohta. Përveç kësaj, edhe në Kishën tonë eprorët e tu, duke filluar me Imzot Rrok Mirdita, të kanë treguar një besim të madh dhe ke çuar përpara shumë detyra të rëndësishme. Por mos harro seçdo gjë që kemi është dhuratë. Çdo sukses në jetën tënde le të jetë rast për t’iu drejtuar Zotit duke i thënë: “Falëminderit, o Zot, sepse më ke përdorur për ta zbatuar planin tënd”. Gjithashtu çdo zhgënjim le të jetë për ty rast për të mësuar dhe përjetuar përvujtëri, dhe atëherë nguliti sytë e tu tek Krishti i kryqëzuar, dhe falënderoje sepse të ka dhënë rast për t’u rritur në shenjtëri. Gëzohu sepse Krishti të zgjodhi për të bashkëpunuar me të në mënyrë më të ngushtë. Qoftë Ai gjithmonë modeli yt dhe forca jote në kryerjen e misionit tënd fisnik. Amen.

 

Fjalimi në fund të meshës së shugurimit; 2 shtator 2017

Paqja me ju

Në këto raste pritet që ipeshkëvi i ri të mbajë një fjalim programatik. Por unë nuk kam një program që të bëj një fjalim të tillë, pasi programet bëhen kur të kemi shoshitur së bashku me ata që janë në dioqezë situatat, rrethanat dhe pasi të kemi dëgjuar së bashku zërin e Shpirtit që na flet në këto rrethana.

Një gojëdhënë thotë se, jo shumë larg prejt këtu, diku në breg të Fanit të vogël, aty ku merr rugën për në Mashtërkorë për me shku drejt Oroshit, në buzë të rrugës së kombit gjernden 12 lisat e Marpepës. Nën ato lisa dikur ishin mbledhur burrat e Spaçit dhe të Oroshit për me diskutu a mund të martohen familjet e tyre me njëra-tjetrën. Ndërsa ata apo kuvendonin aty kalon një grua me emrin Mara e Pepës e cila i përshëndet burrat duke u thënë: “Mirë se rrini vllazën!”. Burrat, pasi panë nëjri-tjetrin në sy, vendosëm dhe e mbyllën kuvendin, pasi Mara i kishte quajtur vllazën.

Së pari dua t’ju drejtohem juve: mirë se rrini motra e vëllezr të dioqezës, mirditor, matjanë e dibranë. Unë jam dërguar te ju. Luteni Zotin së bashku me mua që Fjala të vijë tek ju nëpërmjet shërbesës time. Thuhet se ipeshkvi është dhëndrri i dioqezës. Unë mendoj se ai është thjesht miku i dhëndrrit, pasi i vetmi dhëndërr i Kishës është Krishti. Të gjithë ne jemi miqtë e tij. Vetëm në miqësinë e ngushtë me të ne do të zbulojmë secili thirrjen tonë.

Së dyti mirë se ju gjej juve vëllezër e motra meshtarë e rregulltarë. Keni punuar shumë e falenderojmë Zotin. Tani të vazhdojmë punën me zell dhe me entuziazëm të përtërirë. Detyra jonë e parë si meshtarë është shërbesa e Fjalës. Rregulltarët kanë edhe karizmën e tyre, një pasuri, por që nuk duhet të kthehet në pengesë për punën tonë në të mirë të Mbretërisë.

Së treti, mirë se ju gjej juve vëllezër ipeshkëvinj. Sot u bëra pjesë e kolegjit të Ipeshkvinjëve. Ky kolegj ka një nga mënyrat e të shprehurit, edhe pse e kufizuar, nëpërmjet Konferencës ipeshkvore. Jam më i riu ndër ju e do të mundohem të jem njeri i kolegjialitetit me ju dhe në bashkim hierarkik me ipeshkëvin e Romës që këtu përfaqësohet nga Nunci Apostolik. Ky bashkëpunim kolegjial në mënyrat e duhura shtrihet edhe me dy ipeshkvinjtë e Tivarit e Kosovës, pa lënë në harresë edhe Shkupin, Kotorrin e në përgjithësi ipeshkvinjtë e ballkanit me të cilët kemi për detyrë dhe mund të jemi vegla paqeje për Ballkanin.

Këtu është edhe Hirësi Andoni, Metropoliti i Elbasanit. Faleminderit mik e vëlla që ke ardhur edhe si përfaqësues i Fortlumturisë së tij Keyepeshkopit Anastasios. Prania jote me gëzon pa masë. Edhe pse ka akoma gjëra që na ndajnë, ky mister që kremtuam sot na bashkon.

Dy fjalë përshëndetje për kryetarët e Bashkive që janë këtu. Si e kemi zakon të themi ne në Mirditë: Paçi faqen e bardhë që keni ardhë sot. Bashkë mund të bëjmë shumë për të mirën e zonave tona. Në respekt të ndërsjellë mund të jemi partner të mirë për të varfërit dhe zhvillimin e zonave tona.

Më lejoni një mesazh për të rinjtë: Ju jeni energjia e dioqezës sonë dhe e ardhmja e saj. Keni në dorë këtë armë të fuqishme: rininë tuaj, forcën e sidomos dëshirën për të ardhmen. Do të gjeni te unë mbështetje maksimale. Bashkë mund ta bëjmë Kishën tonë dioqezane dhe shoqërinë një vend gëzimi dhe hareje, duke shpallur Krishtin e gjallë mes njerëzve. Faleminderit që keni ardhur sot.

Dy gjëra të fundit: kjo dioqezë është shumë e pasur: ka histori, ka martirët e saj, ka burra dhe gra, të rinj, familje që I japin gjallëri realitetit. Falenderojmë Zotin për këtë.

Njëkohësisht është një dioqezë e varfër materialisht dhe me kler. Për varfërinë materiale janë të mirpritura të gjitha kontributet. Por nga ana tjetër ju them se kjo dioqezë nuk ka nevojë për paratë e atyre që kanë vënë pasurinë e tyre duke trafikuar vajza e gra për prostitucion, që i kanë shfrytëzuar ato, apo ata që kanë marrë pjesë dhe janë pasuruar me aktivitet mafioz dhe kriminal, duke vrarë apo duke dhunuar më të dobëtit, ata që trafikojnë drogë dhe ata që kanë vënë pasurinë e tyre me korrupsion e që kanë blerë pozicionet e tyre me paratë e krimit. Dera e Kishës për këta persona është e hapur vetëm për kthim dhe për pendim. Vetëm atëherë jemi të hapur se si të shikojmë së bashku mundësitë për t’u kthyer paratë vajzave të shfrytëzuara, familjeve të tyre, të varfërve që kanë humbur gjithçka nga padrejtësia e kështu me radhë.

Së dyti ne nuk kemi meshtarë. Së bashku me ipeshkëvin jemi 10 meshtarë. 2 më pak se kolegji i ipeshkvinjëve. Nuk do të jetë kërkimi i meshtarëve shqetësimi im më i madh. Nuk do të kërkoj me ankth meshtarë. Në këtë dioqezë vihet për dashuri ndaj Ungjillit, pasi këtu kënaqësitë e kishave plot, të turmave që na ndjekin nga pas, nuk do të jenë. Këtu vihet për t’i shërbyer Mbretërisë dhe kaq. Vokacionet do të lindin këtu, vetëm pasi ne të dimë t’i kthejmë ungjillin të pagëzuarve, pasi të heqim monopolin klerikal. Çdo misionar këtu është i mirëpritur, me krahë hapur. Nëse nuk do të kenë mundësi jetese, do të jetojnë me mua dhe si mua. Kaq e premtoj. Por asesi kjo dioqezë nuk do të jetë strehë për ata që e shikojnë këtë dioqezë si një kalim apo sepse nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Meshtarët këtu do të përzgjidhen dhe për mua nuk vlen ajo shprehja: kalit të falun nuk i shihen dhëmbët. Unë do t’jua shoh dhëmbët atyre që do të duan të jenë meshtarë në këtë dioqezë.

Dëshiroj të falenderoj tre persona ndër të cilët njëri është i gjallë e dy kanë kaluar në amshim. Së pari falenderoj paraardhësin tim Mons Cristoforo Palmieri për punën dhe përkushtimin në këto vite. Faleminderit Monsinjor.

Së dyti, nëse e keni vënë re kam kremtuar meshën me një kelk shumë të thjeshtë. Është dhuratë nga gjyshi im i cili e ka ruajtur gjatë regjimit komunist fshehtas në shtëpinë tonë. Falminderit atij dhe shumë dëshmitarëve që kanë ruajtur besimin dhe na e kanë trashëguar. E të gjithë ata janë të përfaqësuar sot nga kardinali ynë i dashur Ernest Troshani.

Së treti dëshiroj të falenderoj Imzot Rrok Mirditën. Kryqi që kam sot në këtë kremtim është një nga kryqet që ai ka mbajtur si ipeshkëv. Imzot Mirdita më ka shuguruar daikon dhe meshtar.

Së fundi ju përshëndes të gjithëve. Nëse filloj e përmend emra kam frikë se nuk ia dal dhe harroj ndonjë, të gjallë e të vdekur që më kanë shoqëruar në këto vite.

E fillova këtë fjalim me Marën e Pepës. Një grua e cila, sikurse dihet, nuk kishte të drejtë me marrë pjesë në kuvend me burra, si të gjitha grate e kohës, por që i jep zgjidhje kuvendit. Shpesh ata që janë më të papërfillur e më të pëjashtuar do të jenë këshilltarët e mi më të mirë.

Po e mbyll me një grua tjetër: Marie Tuci. Për të gjithë kam menduar t’ju jap një libër dhuratë. Është biografia e Marie Tucit, shqip dhe italisht. Është bijë e Mirditës, motra jonë, nana jonë. Ajo bashkë me martirët e tjerët na qofshin ndihmë. Rroftë Krishti mbret.

Check Also

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur!

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur! Nga Igli Gjelishti I nderuar e ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *