Isha në burg dhe erdhët me më pa…

Krishtlindje ndryshe…apo e vërteta

6- L1190654

Nga Mariglena Nikaj

Detajet e vogla përbëjnë dashuritë e mëdha. Ashtu si çdo vit tjetër, si grup të rinjsh që jemi, u përpoqëm të bëjmë diçka ndryshe në këto Krishtlindje. E ku ka më mirë se t’i zbukurosh ditën dikujt e njëkohësisht të zbukurosh edhe ditën tënde. Mendoj se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se cfarë dashuria është. Çdokush mund t’i blejë dikujt lule, ëmbëlsira, veshje të shtrenjta, parfume apo celulare të markave të fundit. Por aty brenda nuk ka dashuri. Dashuria e vërtetë tregohet me anë të gjesteve të vogla që bëjmë çdo ditë, duke treguar përkujdesje dhe që mendojmë për to. Duke lënë ndonjëherë edhe gjëra të rëndësishme pa bërë, vetëm për të realizuar lumturinë e të tjerëve. Dashuria është të japësh pa pritur gjë në shkëmbim. E ashtu u nisa edhe unë, të jepja pak nga vetja e nga koha ime pa e ditur se ajo çka do më kthehej mbrapsht do ishte shumë herë më e madhe se ajo që unë do beja. Pa e ditur se do e ndjeja zemrën teksa do më “rëndonte” nga lumturia.

Atë ditë u zgjuam herët pasi kishim një copë rrugë për të bërë deri në burgun e Fushë Krujës. Nuk ishte eksperienca e parë për mua të futesha brenda botës së errët të burgut por që është gjithmonë emocion si në herën e parë. Në vend të mikpritjes, si gjithmonë na priti një kontroll i rreptë, ashtu siç ndodh me çdo kënd qe kalon atë prag. Me durim e kaluam ate pjese sepse me thënë të drejtën mezi po prisnim te shfaqnim atë për të cilën kishim javë të tëra që përgatiteshim, në mënyrë që ta tregonim sa më denjësisht historinë e lindjes së Krishtit. Shpesh herë njerëzit e burgut paragjykohen për veprat për të cilat ndodhen aty ku janë. Fatkeqësisht janë të përjashtuar nga një pjese e madhe e shoqërisë, për arsye se përbëjnë rrezik për botën jashtë hekurave. Ne kishim fatin e mirë që udhërrëfyesi jonë dom Marjani, na kishte folur shume për këta njerëz. Na kishte folur me një dashuri e një dhembshuri me të cilën na bëri ti shohim këto njerëz jo si kriminele, ashtu siç rëndom quhen apo paragjykohen prej njerëzve nga jashtë historisë së tyre, por si njerëz të dhembshur e të përvuajtur, të cilët të penduar po kryenin ditët e tyre të dënimit. Sigurisht që përpara dramës Monsinjor Gjergji me dom Marjanin do të realizonin Meshën Shenjte. U futëm në kishën e improvizuar e po prisnim që pjesëmarrësit e Meshës të vinin brenda. Një vale lumturie më përshkoi trupin kur brenda pak minutave pashë të gjithë stolat e mbushur e ndokush kishte mbetur edhe në këmbë. Ishte ndjesi shumë e bukur të shihje se pavarësisht se çfarë ju kishte ndodhur, ato e ruanin me fanatizëm besimin në Zot, e këtë e tregonte më së miri pjesëmarrja në Meshën Shenjte. Mbas Meshës menjëherë filluam me shfaqjen e dramës, shikoja sytë e tyre kureshtare teksa na shihnin që visheshim me rrobat e dramës. Kushedi ç’kishin në mendje! Ndoshta në fytyrën tonë shikonin fëmijët e tyre, ose nipat dhe mbesat apo njerëzit e tyre te zemrës…! Na ndoqën me vëmendje e qetësi deri në mbarimin e dramës, ndoshta ju pëlqente, ose ndoshta me shenjë respekti. Ndonjëherë përhumbesha në mendime duke i parë sepse me bënte përshtypje qetësia e tyre. Ato që për arsye të ndryshme kishin bërë vepra të këqija, tashmë rrinin aq të qetë e me urtësi ndiqnin vazhdimësinë e dramës. Më bëri përshtypje që në fund të asaj çka ne kishim përgatitur, një djalë i ri i ulur diku nga fundi tha: “më e rëndësishmja është që ju sot na sollët gëzim!”

6- L1190927Mbas kësaj fjalie normalisht duhet të kisha menduar që e arritëm qëllimin, por në të vërtetë aty fillova të kuptoj vuajtjen e këtyre njerëzve që diçka kaq modeste ju solli gëzimin që ndoshta prej ditësh nuk e kishin ndjerë… Shfaqjen e radhës e realizuam në burgun e grave. Ndonëse ndihej e njëjta dhimbje, aty ishte një atmosferë tjetër. Atë ditë për gratë e burgut ishte dita e takimit më fëmijët e tyre. U ndeshëm me fytyra të përlotura, dikush nga gëzimi e dikush nga hidhërimi që nuk i takonte dot fëmijët e vet. Atë ditë tek gratë e kthyem në një ditë të vërtetë feste ku kënduam e kërcyem për orë të tëra. Ato orë gazi e hareje ato na thanë që nuk do i konsideronin dot si ditë burgu por si ditë e zakonshme njerëzish normale. Edhe aty, për herë të dytë, na u mbush zemra me dashuri!

6- L1190771Ajo që kuptova nga kjo eksperiencë është që ndonëse ato ndodhen mbrapa hekurave e ne jashtë tyre, janë njerëz të zakonshëm ashtu sikurse ne, të cilët për arsye të ndryshme, të detyruar nga rrethanat, kanë kryer vepra për të cilat sot nuk janë krenarë! Është e lehtë të gjykosh dikë, duke i parë gjërat nga jashtë, pa qenë në brendësi të tyre, por unë besoj se secili prej nesh do gabonte nëse rrethanat do e detyronin. Vetë Jezusi ka thënë “të hedhë gurin i pari, ai që është pa mëkat”. E askush nuk hodhi asnjë gur kundrejt femrës mëkatare, sepse të gjithë gabojmë në jetë, por e rëndësishme është të pendohemi e të mundohemi të ecim sa më afër rrugës së Zotit duke qenë njerëz të pastër në zemër. Me dashuri ti pranojmë të tjerët ashtu sikurse vetë Zoti na ka pranuar ne!

Check Also

Kushtet Solemne në Shoqërinë e Jezusit

Kushtet Solemne në Shoqërinë e Jezusit Mesha e Korpit dhe Gjakut të Krishtit, për “Shoqërinë ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *