Jeta e një të burgosuri nën dritëhijen e Udhës së Kryqit!

Jeta e një të burgosuri

nën dritëhijen e Udhës së Kryqit!

Nga M. Rr.

4- Jeta L1210472

Nuk e kisha menduar asnjë herë së unë i dobëti do bëhesha “i fortë” dhe se unë “i forti” do isha i dobët.

          Fakti që jam në burg, dhe mendja njerëzore jashtë këtyne hekurave mund të fantazojë çdo gja, por në këto rreshta të parë nuk bëhet fjalë as për njërën e as për tjetrën forcë: “i fortë” fizikisht apo racionalisht, por për gjendjen teme shpirtnore e cila fatkeqësisht nuk varet prej meje plotësisht, por prej rrethanave në të cilat jeta më ka përplasë.

          Nuk e kisha vra, ndonjëherë, mendjen se kush asht i forti a i dobëti, apo se si dhe unë vetë mund te kthehesha nga “i forti” tek i dobëti. Por këtu ne burg, ku hapësina të kufizohet, mendimet t’u zgjerokan e fillon e mendon për gjana që dikur tu duknin fantazi. E këtu, “i fortë” a “i dobët” s’qenka fort për muskuj apo paret, por për mendje e për shpirt.  E me këto mendime në kry, tuj ja ba hesapet vedit, këtë premte u gjeta tuj ba Udhën e Kryqit me dom Marjanin e me Motrat e Nanes Tereze. Ishte kjo pjesë e lutjeve kishtare që unë me shokët e mi bajmë çdo javë në Kishën e burgut. Me gjithë të këqijat e këtij vendi, gjeta edhe një të mirë tjetër të vogël por që për mua asht shndrrue në gjithçka; s’paskam nevojë me shku unë te kisha, se vika ajo te unë.

          Miqtë e mbajnë kryqin dhe qirinjtë, ndërsa unë jam lexuesi i kësaj historie të dhimbshme me një libër1- Jeta L1220838 në dorë që asht Shujta “ushqimi” Shpirtnore. Por, në fakt mua më duket se në të njajtën kohë jam unë vetë libri që po mbaj në dorë; mbi të cilin Zoti i jem e ka shkruar historinë e tij dhe historinë teme: Por jam edhe mbajtësi i kryqit; sepse jeta deshti të më rezervonte një fat tillë saqë me dobësinë teme të jem druri mbi të cilin të vendosja fatin tim të jetës: Jam edhe mbajtësi i dritës; jo sepse unë jam drita, por sepse në duar kam një dritë të cilës dua ti shkoj prapa dhe një dritë e cila dua jem dhe vetë për të tjerët, për të gjithë ata që besojnë dhe shpresojnë në faljen e cila vjen prej Zotit.

          Pra me “Shujten Shpirtnore” në dorë dhe përballë miqve të mi që mbanin kryqin dhe qirinjtë, kisha marrë përsipër unë të jem lexuesi i kësaj historie të dhimbshme, por pa parashiku se fjalët e këtij libri, tuj dalun prej gojës teme, po me futnin mu në libër.

          Që në fillim të këtij rrugëtimi, në ndalesën e parë, Jezusin e gjykojnë për vdekje. Sigurisht ka një dallim midis gjykimit të Atij Njeriu dhe meje dhe nuk aludoj asnjë lloj barazie. Qysh kur Krishtin e dënuen me vdekje, mu duk se dënimi im maksimal më afroj ma afër Tij. Aq afër tij e ndjeva veten, në fillim të këtij rrugëtimi, sa kur ja ngarkun Atij kryqin, por në të vërtetë mbi mu randoj.

          Ai nuk kishte ba asnjë mëkat dhe po vdiste për mëkatet tona, ndërsa unë jam plot me mëkate dhe shumë njerëz i fus në mëkat ndoshta sa herë më mendojnë apo më gjykojnë. Ai u’a kishte dhuru të tjerëve jetën, ndërsa unë jua kam marrë të tjerëve jetën. Çfarë ndryshimi!!! E megjithatë, unë jam këtu sot, së bashku me të, në të njajtin rrugëtim dhimbjeje dhe dashnie. Ashtë i njajti rrugëtim dhimbjeje, sepse unë jam i sigurt se Ai përsëri vazhdon të ndjejë dhembshuri për mëkatet dhe gabimet e mia, ashtu sikurse edhe unë vetë mundohem të zgjoj ndërgjegjen teme përballë dobësisë teme. Por, asht i njajti rrugëtim dashnie, sepse për dashninë që ka për çdo njeri pranoi të vdesë në Kryq, por edhe unë dua ta shijoj duke e pranu paqen që vetë dashnia e Tij që ai don me më dhuru.

          Më pas Jezusi ngarkohet me kryqin në krahë. E shoh veten në këtë moment me një kryq të rëndë në krahë, kryq të cilin jeta ma dha atëherë kur unë nuk e prisja.3- Jeta L1220427

          Jezusi rrëzohet të parën herë nën kryq…eh… dhe të dy bashkë vazhdojmë, une i ulun në gjunj e Ai i rrëzum. Ndoshta kryqi ishte tepër i rëndë për mua dhe bashkë me të u rrëzova edhe unë, nuk arrita ta mbaj peshën e kryqit. Nuk e di se çfarë mendova në atë çast, e ndoshta nuk do të arrij as unë vetë që ta mendoj kurrë, megjithatë…u rrëzova.

          Jezusi hasë në nanën e vet. Dhimbje e pafundme për një nanë e cila e sheh birin e vet, bijën e vet të vuaj. Askërkush në këtë botë nuk do të mbrrijë ta kuptojnë dhimbjen e atyne dy zemrave, megjithatë janë ato dy zemra që duhet ta durojnë, janë ato dy zemra që duhet ta mbajnë të mbyllur brenda tyre. Dhimbja e Zojës së Bekueme, nanen teme më kujtoj!!!  Eh… nanë e jemja – thashë: ma mire ti që s’mpave mu apo të shifsh tand bir tuj vujt, si Zoja e bukume?

          Jezusi ndihmohet prej Cireneut. Me sa di unë Cireneu ishte një njeri i thjeshtë prej popullit të thjeshtë, dhe nuk e kishte për detyrë që ta ndihmonte Jezusin në bajtjen e kryqit. Më vjen ta pyes veten: Po pse, o Zot, nuk e pata një ‘Cirene’ që të më ndihmonte dhe mua në atë moment kur kryqi po më peshonte aq shumë? Por i kërkoj dhe sot: Ma jep, o Zot, një Cirene që të më ndihmojë me e bajtë kryqin sepse unë i vetëm nuk mund ta baj dot. O Zot, një Cirene po të kërkoj, dhe jo ma gjykatës, sepse kam mjaft Fjalën tande dhe ndërgjegjen teme që të më gjykojnë.

          Teksa lexoj se: Veronika ja fshin fytyrën Jezu Krishtit në ndalesën e gjashtë, si në një pasqyrë shoh7- Jeta L1230021 fytyrën teme të mbulume nga turpi im dhe pështymat e botës. Veronika ja fshin gjakun nga fytyra e Jezusit, ndërsa unë kam derdhur gjakun e jetës që nuk jua kisha dhuruar unë, e megjithatë, Jezusi i cili identifikohet në mua, sepse ai vetë deshi ta bante një gja të tillë, ai tashmë asht i mbulum nga pështymat e atyre që më gjykojnë dhe më mendojnë si kriminel, pa marrë parasysh se edhe unë jam një Bir i Zotit me gjithë dobësitë e mia.

Ndërsa Veronika i fshin ftyrën Jezu Krishtit, mu kujtun  motrat dhe im shoqe që fort për mu kujdesen. Ehhh, Veronikat e mija!!! A thua po mund ta pastroni fytyren teme të përbaltun. Teksa Veronika i pastron Krishtit pluhurin dhe gjakun në fytyrë, tek duart e mija të përgjakuna deshta të baj një përafrim. Gjak e pluhur Ai, – gjak e baltë unë.  Po prit or, thashë me vete, se s’asht njësoj kjo punë; unë ja bana vedit. Aq larg Krishtit u ndjeva, sa me vrap deshta me ik e në çeli teme mu ndry. Por turpi i shokëve me ndali.

          Jezusi rrëzohet përsëri nën kryq, e ndërsa lexoj në tekst se Ai rrëzohet nga papendimi ynë, nga shpirti më gufon ndjenja e pendesës për të shkuarën teme, të shkuarën që me pendimin tem dua të jetë një e ardhme me praninë e Zotit. Pra ndërsa Krishti rrëzohet për herë të dytë, në ndalesën e shtattë, thashë t’shkoj t’i ndihmoj se shumë Ai po vuante. Do varra që I dhembin, ishin të krenarisë teme. Vepra që më çoj mu ktu, po i shkaktonte Atij dhimbje.

          E ndërsa lexoj se në ndalesën e tettë Jezusi i ngushëllon gratë, ndjenja e fajit në mua bahet edhe ma e madhe, edhe ma e thellë, edhe më therëse. Unë nuk arrita ta baj një gja të tillë, por falnderoj Zotin tim që e ka ba, për ti dhënë gjithë botës shembullin e asaj se si duhet të jetë njeriu në këtë botë. Faleminderës, o Zoti i jem, që e ke ba për mua.

          8- Jeta L1230139Por pas ngushëllimit të grave, Jezu Krishti përsëri rrëzohet. Rrëzohet sepse mëkati i njeriut asht tepër i madh, mëkati i jem së bashku me mëkatin e botës rëndon mbi shpatullat e tija. Nga sa di unë, të rrëzohesh tre herë në Bibël do thotë të rrëzohesh pafundësisht, sepse treshi asht një numër i plotë. Atëherë me dhimbje më duhet të pranoj se sa herë që unë bëj një mëkat dhe rrëzohem, aq herë Zoti im ndjen dhimbje për mu dhe rrëzohet bashkë me mua. Pra në këtë ndalesë kur Krishti ngushllon gratë dhe u thotë të kjajnë mëkatet e tyne, edhe unë po numëroja mëkatet e mija. Por Krishti, nën kryq, prapë u rrëzu dhe unë e lashë numërimin e shkova ti ndihmoja. I randë ishte ai kryq e s’mujta me e ngritë. Po, pse valle? Eh budallë, i thashë vedit, Ai s’po mban kryqin e vet. Ai asht kryqi jem, mëkate të medhaja n’të randojnë!!!

          Pas rrëzimit të tretë Jezu Krishtin e zhdeshin. Tek kryqi që po më randonte dhe shpirti filloj të me dhimbte, kur Krishtin  po e zhdeshnin. Po, pse po e zhdeshin?  Për turpet e mija. Po, pse po e gozhdojnë? Për mëkatet e mija. Po, pse po vdes Ai ndërsa unë i kam ba fajet? E ndërkohë ndigjoj prej Kryqit Krishtin që thotë: “Fali, o Atë, se s’dinë ç’ka bajnë”.  Kto s’diken megjithë mend: unë gaboj e Ai pagun. Kjo nuk asht e drejte.

          Teksa e shoh ashtu të zhdeshun, më vjen të bërtas me të madhe: Më zhvish edhe mua, o Zot, që të dal në të vërtetën teme para vetvetes dhe para botës. Më zhvish që ta shohin të gjithë se nuk jam ai krimineli i përfolur, por biri i yt, që bashkë me ty po heq mundimet e kësaj bote të mbushur plot me lot.

          Jezusin e gozhdojnë në kryq. O Zoti im, nuk e di me saktësi se në këtë botë sa herë të kam gozhdu, nuk e di me saktësi se sa herë më kanë gozhdu, por një gja e di me siguri, ato gozhda që ty të mbajnë mbi kryq, janë gjykimet e padrejta të një botë që jo vetëm nuk e len njeriun të pajtohet me vetveten, por nuk don me e leju njeriun as të pajtohet me ty.

          9- Jeta L1230035Dhe pas një agonie të gjatë Jezu Krishti vdes në kryq. Ky ishte momenti ma i tmerrshëm për Zotin tonë, por për mua që ndjej në shpirt fjalët e fundit të tijat, shndërrohet në një moment ngushëllimi kur ndjej fjalët e Tija të fundit: “Fali, o Atë, se nuk dinë se çfarë po bëjnë”. Sa Zot i mrekullueshëm asht Zoti im në të cilin unë besoj. Në kulmin e një vuajtjeje të pa meritume, Ai, na kupton dhe mirëkupton. Më fal mua, që në çastin e krimit nuk e dija me të vërtetë se çfarë po bëja, por i fal edhe ata që më gjykojnë mua, sepse në të vërtetë nuk e dinë se çka po bëjnë. Faleminders, o Zot, që me vdekjen tande i tregove botës se si të pajtohet me ty dhe me vetveten.

          E vendosëm Zotin në Kryq. Nuk zgjodhi një fron tjetër për të mbretënu por zgjodhi Kryqin. Më vijnë ndërmend disa fjalë të Padre Pios i cili thoshte se: Hyji don që mjerimi i jonë të jetë froni i mëshirës së tij, dhe paaftësia e jonë të jetë froni i gjthëpushtetësisë së tij”. Dhe me faj i mbushun, shof Krishtin tek e ulin prej kryqit dhe tek e venjë në prehen të Nanës së vet, më erdh zor me ju afru. Thashë ti kërkoj falje. Po kujt ma parë? Nanës tij? Nanës teme? Apo asaj nane që jetën ja mora? Jezusin e ulin prej kryqit, e ulin prej atij druri në të cilin unë e vura, e ulin për ta vënë në tokën të cilën unë sot po e shkeli, dhe prej së cilës shpresoj të marr mëshirën që vjen nga prekja prej këmbëve të Zotit. dhe menjëherë pas këtij çasti vjen varrosja e të pafajshmit. Eh… varrosja… Dhe tek Jozefi e Nikodemi që po varrosnin Krishtin, me shkoj mendja tek dita e fundit e jemja mbi këtë tokë! Kush do ta bajnë atë? Ndoj punëtor i bashkisë së Krujës, apo im bir? Po çka të më vajtojnë ai mu!? Bemat dhe trimënitë, apo ditët e tij të lumtura e të trishtume që unë s’ju ndodha pranë!

          Atë ditë, kjo ditë ishte e premte, ishte e Premtja e Madhe, ishte e Premtja e Zezë. I Pafajshmi vdiq për mëkatet tona. Sikurse Zoti im e pati një të Premte të Zezë në jetën e tij, ashtu edhe unë, edhe të gjithë ne që jemi të mbyllur brenda hekurave të ftoftë të burgut e kemi pasë dhe e kemi një të Premte të zezë që nuk po din të mbarojë kurrë, që nuk po din të na largohet për asnjë çast prej mendjes dhe prej zemrës tonë.

          2- FJeta L1220166Pas mbarimit të Udhës së Kryqit, dom Marjani na thotë se nuk duhet të ndalemi këtu, sepse historia e Zotit nuk përfundon këtu, pasi që Ai, të Dielen e Pashkëve do të ringjallet. Mendja menjëherë më shkon, edhe pse nuk me shqitet për asnjë çast, tek e Premtja ime e zezë, tek varri që më mban të mbyllur brenda së bashku me viktimat e dorës sime të tmerrshme: A thua me të vërtetë ai varr do të zhduket ndonjë ditë? A thua me të vërtetë do të ma japë Zoti im hirin që të besoj se dhe për mua e për gjithë ka një të Diele Pashkësh, një të Diele Ringjalljeje? Unë shpresoj dhe besoj se po. Jam i sigurt se shpresa në Zotin nuk zhgënjen. Ai vetë na e ka premtuar.

          Tek mendoja sa shumë larg Krishtit isha, ky rrugëtim kishte mbaru e dom Marjani po tregonte historinë e njenit qe po i kerkonte Zotit me ja shkurtu kryqin që ja kishte caktu që prej lindjes së tij. E ndërsa historia tregonte se vetëm duke e mbajtë kryqin që jeta na ka dhanë, mund ta kapercejmë “lumin” për në Parriz, ngritja e Krishtit në qiell filloj të më dobësonte edhe ma shumë. E dija se vetëm afër Tij mund ti fitoja fuqitë dhe fillova ti vë me vërtetësi në kandar të mirat e të këqijat e mija, por hesapet s’po më delshin.  Po normal, kjo asht puna e tjetër kujt. Po si ta marr vesht unë se ka anon peshorja? Apo duhet me prit ditën e fundit? Po sikur ta pyes Zotin? Ndoshta më përgjigjet. Me tanë këta “sikur-a” kishte maru dita, por nuk me flihej pa një përgjigje. Isha shumë larg Krishtit e kjo dobësia jeme m’kërkonte me ju afru.  Po. Kryqi i madh, tha Krishti, kryqi që i asht dhanë secilit në masën që të mund ta bajmë, të ndihmon: e ky kryqi i jem i madh asht sa te dush, ndoshta ma i madh se forcat e mia, por Zoti i jem po më thoshte -jo! Dy shpirta më randojnë!!! Në Parriz unë!!! Hej, i thashë vedit: Ato janë fjalet e Zotit,  e Ai e din ma mirë. Mu duk se u lehtësova dhe sapo me zente gjumi, në titrat e televizionit, një shprehje më zunë sytë: “I takon ‘një të forti’ të pranojë dobësitë e tij”.

Check Also

Bariu dëgjoftë zërin e deleve

Imzot GEORGE FRENDO O.P. Të dashur vëllezër e motra, jam vëllau juaj Gjergji. Faleminderit se ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *