Klonimi: Zhdukja e prindësisë dhe mohimi i familjes

Kardinal ALFONSO LOPEZ TRUJILLO

President i Këshillit Papnor për Familjen

Këshilli Papnor për familjen quan të përshtatshme çdo përpjekje për sqarimin e sfidës që paraqet KLONIMI, për ndërgjegjësimin e rëndësisë së problemit dhe për gjallërimin në të ardhmen të veprimtarive për arritjen e një MARRËVESHJEJE ndërkombëtare kundër klonimit njerëzor nga ana e KOMBEVE TË BASHKUARA. Është fjala për kontributin lidhur me shtrimin e përshtatshëm të këtij problemi, për sinjalizimin e aspekteve etike negative të klonimit njerëzor dhe kuptimin e kundërt me dinjitetin e familjes e të personit. Kjo është tema e artikullit të sotëm në të cilin tentohet të parashtrohen disa konsiderata që lidhen me të, në një nivel të kuptueshëm edhe nga ato që nuk janë specialistë.

Zhdukja e prindësisë dhe mohimi i familjes
Zhdukja e prindësisë dhe mohimi i familjes

Është tashmë prej disa dhjetëra vitesh që nga zhvillimi i një seri teknikash biologjike, aplikimi i të cilave në lindshmërinë e njeriut paraqet problematikë të larmishme etike dhe manifeston gjithnjë e më shumë nevojën e një antropologjie të plotë të qenies njerëzore dhe një rivlerësim të rolit të familjes për humanizmin. Në veçanti tentativat e fundit për të arritur klonimin njerëzor shtrojnë çështje të rëndësishme përpara familjes, mbi kuptimin e të qënurit prind dhe të qenurit fëmijë, mbi dinjitetin e embrionit njerëzor, mbi të vërtetën dhe kuptimin e seksualitetit njerëzor. Ndarja tinzare në kohën e sotme mes të konceptit të jetës njerëzore dhe asaj familjare, është bërë vendi natyror ku gjendet origjina dhe zhvillimi i pasojave të kobshme të kulturës së vdekjes.

Në fakt siç është konfirmuar në Instruksionet e DONUM VITAE të Kongregacionit për Doktrinën e Besimit, “personi njerzor duhet të jetë i mirëpritur nga gjesti i bashkimit dhe dashurisë së prindërve të tij, lindja e një fëmije duhet të jetë fryt i dhurimit reciprok që realizohet në aktin e bashkimit në të cilin të martuarit bashkohen si shërbyes e jo si padron në veprën e dashurisë së Krijuesit. Origjina e një personi njerzor është në realitet rezultat i një dhurimi. Nuk mund të jetë i dashur konceptimi si produkt i një ndërhyrjeje të teknikave mjeksore e biologjike; kjo do të thjeshtëzohej e banalizohej me një objekt teknologjik shkencor”. Shqetësimi i mundësisë së klonimit të qenies njerëzore me qëllim “riprodhimin” përmes zëvendësimit teknik të përgjegjësisë prindërore e që është në kundërshtim me dinjitetin e birësisë. Akoma më shqetësuese janë kërkesat urgjente të grupeve të avancuara për kërkimin e legalizimit të klonimit me qëllim që të paraqesin embrionin njerëzor “si prodhim” të një manipulimi eksperimental për t’u shkatërruar më vonë. Kjo situatë evidenton një dëm të rëndë qoftë në rinjohjen e dinjitetit të jetës e krijimit njerëzor, qoftë për ndërgjegjen e pazëvendësueshme e themelore, qoftë për rolin e familjes dhe vlerave themelore të humanizmit të plotë.

1. Klonimi, mundësitë e biologjisë moderne.

Me termin klonim i referohemi teknikave të përdorura shpesh në biologji për prodhimin e qelizave bimore e shtazore, së fundi edhe për prodhimin e sekuencave të informacionit gjenetik të mbartura në materiale biologjike si fragmente të ADN (acidi dezoksiribonukleik) në të cilin gjendet i koduar informacioni gjenetik i bërthamës së shumë specieve. Lipset të kompletohet ky përshkrim me një përcaktim më ekzakt të teknikave të klonimit, që të bëhet e mundur njohja në mënyrë më të përshtatshme e natyrës së tij.

Si përfundim klonimi është një procedurë teknike e riprodhimit me anën e të cilit materiali gjenetik i një qelize ose i një organizmi (bimor apo shtazor) me qëllim që të marrim një ose disa individë gjenetikisht të njëjtë me të parin. Ajo që e dallon klonimin prej teknikave të ngjashme është fakti se në klonim riprodhimi ndodh pa bashkim seksual dhe pa fekondim ose bashkim të gametave, si rezultat i një bashkimi individësh biologjikisht identikë me individin e parë që ka dhënë materialin gjenetik bërthamor .

Të gjithë individët e përftuar nga klonimi quhen KLONE, e shprehur kjo me faktin që tregon që secili dhe të gjithë individët kanë të njëjtin informacion gjenetik; nuk janë pasardhës të prindërve. Bëhet fjalë për një tip riprodhimi që mund të zëvendësojë artificialisht në speciet shtazore riprodhimin seksual, me avantazhet, defektet dhe rreziqet. Duke llogaritur realizimin teknik të klonimit në sensin e procedurave të përdorura, riprodhimi përfitohet me anë të të ashtuquajturit “transferim bërthamor”. Në këtë rast i ashtuquajturi fekondim është pikërisht bashkimi i një bërthame të marrë nga një qelizë trupore e individit që dëshiron të klonohet ose prej qelizave të njëjta trupore, me një qelizë vezë, të cilës i është hequr bërthama që merret nga nëna (një grua). Meqenëse bërthama e qelizës trupore sjell gjithë trashëgiminë gjenetike, individi fiton (me përjashtim të ndryshimeve të mundshme) identitetin gjenetik të dhuruesit të bërthamës. Kjo korrespondencë gjenetike me dhuruesin jep një individ të ri që është kopje e vetë dhuruesit.

Nuk ka objeksione të veçanta etike për klonimin e materialeve biologjike jo humane (që shfrytëzohen për përdorime të ndryshme) kur kjo realizohet me përgjegjësi ashtu siç nuk ka kundërshtime etike tradicionale nga përdorimi i teknikave në bimë e që kanë dhënë përfitime të konsiderueshme. Pa dyshim që përdorimi i klonimit në zoologji mund të japë përfitime të mëdha. Përmirësimi i riprodhimit e mbarështimit të kafshëve, ulja e kostos së prodhimit të disa lloje mishrash, aplikimet e mundshme për klonimin e specieve në zhdukje, përparimi i eksperimenteve e kërkimeve në farmakologji, këshillojnë vazhdimin e kërkimeve dhe aplikimeve në teknikat e klonimit në speciet shtazore.

Megjithatë duhet sinjalizuar që përdorimi i këtyre teknikave tregon akoma për një pasiguri që meriton vëmendjen e duhur. Mund të ketë pasoja të paparashikueshme për të ardhmen. P.sh mund të marrim keqformime gjenetike të rrezikshme akoma të panjohura ose të pa vëna re mjaftueshëm deri sot e në çfarë mase janë përfshirë ndryshimet, të mesme apo të shtrira në kohë, të ambientit e të ekologjisë. Një praktikë e pakontrolluar e klonimit mund të përfundojë me shpërthimin e një sëmundje ose keqfomimi të ri.

2. Klonimi njerëzor “riprodhues” dhe “mjekues”

Tashmë janë theksuar tentativat e bëra për aplikimin e klonimit për “prodhimin” e qenieve njerëzore duke shfrytëzuar kërkimet eventuale në terapinë mjekësore. Mass media, “shkenca fiktive” dhe një literaturë e shumtë e botuar kanë kontribuar në shpejtimin e parashikimeve false lidhur me këtë, përballë mundësive teknike reale të klonimit. Sidoqoftë është e sigurt se janë formuluar (më pak ose shumë fuqi shkencore) hipoteza e kërkimeve me prirje për të eksperimentuar aplikime eventuale të klonimit të qënive njerzore. Fakte të tilla janë në këto kohë objekt i vëmendjes së autoriteteve publike në gjithë botën, për më tepër të gjithë atyre që janë veshur me një përgjegjësi për të mirën e përgjithshme.

Problematika e klonimit të embrioneve njerëzore sot konsiston në thelb në dy versione të mundshme; klonimi “riprodhues” dhe klonimi “mjekues” (ose për kërkime shkencore). Diferenca ndërmjet tyre qëndron para se gjithash në qëllimin që tentojnë të arrijnë. E para shtrihet në zhvillimin komplet të subjektit nëpërmjet implantimit në uterus (klonimi “riprodhues”); ndërsa në të dytin tentohet të përdoret embrioni në stadet e pre-implantimit me qëllime kërkimi për mjekim (klonimi “mjekues”) ose për kërkime mjeksore. Qëllimi për realizimin e klonimit:

1- Të përftohet një pasardhës njerzor dhe të skicohet një teknikë më efikase e “lindjes” së asistuar me një aplikueshmëri më të madhe e më e mirë në mjaft çifte (klonimi “riprodhues”).

2- Të përftohen nëpërmjet kësaj teknike “embrione” sintetike ose “grumbull qelizash” (në etapa embrionale njerëzore primitive, secila prej qelizave të embrionit multipotente prej së cilës nxirren qeliza staminale (të padiferencuara) pa u implementuar në uterusin e nënës. Këto qeliza të nxjerra e të kontrolluara do të mund të zhvillohen në qeliza specifike, nervore, kardiake, muskulare, hepatike etj (klonimi mjekues ose me qëllim kërkimi shkencor).

3. Drejt ndalimit global e të njëkohshëm të çdo klonimi.

Është e qartë se aplikimi i shkencës në fushën e krijimit njerëzor është i lidhur me gjithë shoqërinë dhe jo vetëm me komunitetin shkencor (apo biznesin). Për këtë kanë filluar që herët përpjekjet për arritjen e një legjislacioni në të cilin pa penguar zhvillimin e ligjshëm të shkencës, të përcaktohen në mënyrë definitive kufijtë etik dhe ligjor të aplikimeve të tij e të ndalohet një klonim i mundshëm i qenies njerëzore. Vitet e fundit janë miratuar në disa vende ligje në të cilat klonimi njerzor riprodhues është rreptësisht i ndaluar, pavarësisht se janë lejuar deri tani kërkime mbi klonimin njerzor për kërkime e mjekime (si në Mbretërinë e Bashkuar). Në vendet e tjera ka qenë ndaluar çdo lloj klonimi (në Gjermani) ose kanë filluar procedura parlamentare drejt ndalimit të çdo lloj klonimi (SH.B.A). Natyrisht që shqetësimi për këtë tematikë është rritur dhe tentativat për ndalimin e klonimit njerëzor jo vetëm në nivele kombëtare por edhe nëpërmjet instrumenteve të së drejtës ndërkombëtare janë intensifikuar, duke filluar që nga viti 1993. Në fund të vitit 2001 klonimi riprodhues është ndaluar në 24 vende në mes të të cilave janë Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Spanja, India, Japonia, Brazili, Afrika e Jugut etj.

Evolucioni i kohëve të fundit të situatës ndërkombëtare dhe nismat e disa vendeve, favorizojnë jo vetëm ndalimin e klonimit riprodhues (i propozuar me dekret të pjesshëm) por edhe për një ndalim global e të njëkohshëm të klonimit, qoftë me qëllim riprodhimi qoftë me qëllim mjekimi e kërkimi (propozuar me dekret total), paraqesin një ndryshim që nënkupton punën drejt një marrëveshje ndërkombëtare kundër klonimit. Të gjitha nismat e kohëve të fundit tentojnë për një dekret në tërësi dhe jo të pjesshëm të klonimit (pra për çdo lloj klonimi dhe jo vetëm atë riprodhues). Kjo atmosferë ndërkombëtare e ndryshme në krahasim me atë të pak viteve më parë kanë afirmuar aktualisht nismat e SH.B.A. e Spanjës të paraqitura në Kombet e Bashkuara, me qëllim arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare me dekret total për klonimin. Marrëveshja Europiane mbi të drejtat njerëzore dhe bioteknologjinë ose Konventa e Oviedos mbi protokollin e ndalimit të klonimit të njeriut ka qenë frut i kësaj pune dhe ka ndaluar specifikisht “përdorimin e embrionit human me qëllim kërkimi”. Ratifikimi i Konventës se Oviedos nga ana e disa shteteve Europiane ka filluar që më 1999.

4. Përse nuk është i pranueshëm nga ana etike klonimi human, as riprodhues, as mjekues?

Preokupacioni përballë mundësisë së klonimit njerëzor është justifikuar mjaft dhe i është përgjigjur motiveve shumë serioze. Tentativat e ndryshme për arritjen e ndalimit global e të njëkohshëm të klonimit në të gjithë botën i përgjigjen me këtë preokupacion. Pavarësisht nga interesi i madh i manifestuar në realizimin e këtij projekti dhe shpresa në komunitete të rëndësishme (shkencëtarë, grupe të sëmurësh në pritje të burimeve të reja mjekuese, shoqata profesionistësh etj.) që kanë bazë të madhe apo të vogël reale, do të ishte i papërgjegjshëm mos vlerësimi i vëmendshëm i objeksioneve të klonimit, që gjejnë mbështetje në radhën e konsideratave teknike dhe etike si dhe arsye të thella antropologjike.

1. Klonimi riprodhues.

Lidhur me tentativat e klonimit njerëzor riprodhues pengesat shkencore të parashikuara janë shumë serioze në pikëpamjen se shumë ekspertë kanë shprehur dyshime të forta mbi praktikimin aktual të një projekti me të vërtetë shkencor në këtë temë. Pavarësisht nga njoftimet e fundit të bujshme shumë ose pak sensacionale të mass-medias, nuk ka prova të vërteta me vlerë shkencore që të demonstrojnë jashtë çdo dyshimi, që këto tentativa janë bërë. Nga ana tjetër pranimi i mundësisë që këto tentativa në të ardhmen të arrijnë, duhet konsideruar rrezik shumë i madh për semundje, defekte gjenetike e keqformime për të cilat do të jenë përgjegjës ato që i realizojnë. Për shembull teknika e transferimit të bërthamës nuk ka dhënë deri tani rezultate, janë një shumicë e madhe e embrioneve që nuk zhvillohen në mënyrë të drejtë. Në rastet e pakta në të cilat realizohet lindja, kafshët vuajnë shpesh prej sëmundjeve e ndonjëherë prej keqformimeve të ndryshme e për pasojë shpesh herë “vdesin” shpejt. Kjo ndodh nga defektet në procesin “e riprogramimit” gjenetik të bërthamës së transferuar. Është e qartë se në kushte të tilla klonimi me qëllim riprodhues nuk duhet të aplikohet në specien njerëzore për rreziqet e mëdha që do të paraqiste si dhe vdekshmërinë shumë të lartë të lidhur me të. Nëse imoraliteti i klonimit riprodhues tashmë është përcaktuar prej rrethanave teknike aktuale, pengesat etike të klonimit njerëzor riprodhues bëhen në vetvete të pakalueshme dhe manifestojnë një kontrast në sensin moral të përgjithshëm humanitar.

Përgatiti Dr. Tonin Frani mjek

obstetër – gjinekolog

Vijon ketu

Check Also

Shejtnorja që fitoi ndaj urrejtjes.

Kisha e Zojës bri kalasë. Kushdo që shkon në Shkodër, nuk mund të rrijë pa ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *