Krishtlindja – historia që vazhdon…

Nga Suela Shala

Zaharia Kshndella Dom Marjan LumciNuk ka kaluar më shumë se një muaj që kur festuam Krishtlindjen, e duket sikur bashkë me dekorimet e ndritshme qyteti mbylli në kutitë e kartonit dhe jehonën e kësaj feste për t’i nxjerrë sërish pas një viti “kur t’u vijë koha”. Jeta vazhdon me vramendjet e përditshmërisë, duke harruar që mesazhi i vërtetë që Krishti solli në botë nuk mbaron me 25 dhjetor, as pas tetë ditësh, as kurrë. Është e vërtetë që Krishtlindjet më gëzojnë si fëmijë. Dhe në rrugëtimin tim për të njohur më mirë Zotin kuptoj se më shumë po njoh vetveten. Këtë vit, një grup të rinjsh të Katedrales së Shën Palit, nën drejtimin e motrave të Nënë Terezës, shfaqën në të dielën e katërt të Kohës se Ardhjes, pjesën teatrale “Historia e Krishtlindjes”. Një dhuratë shumë e bukur për të gjithë besimtarët e famullisë sonë. Disa prej nesh vendosën t’i asistojnë si të rritur, si prindër, si mësues gjatë provave, për t’i bërë më të përgjegjshëm dhe …. si shuplakë jeta edhe një herë më kujtoi se rrugët e Zotit janë pa fund. Kësaj rradhe zgjodhi këta fëmijë gazmorë për të më përcjellë mesazhin e bashkimit, të punës në grup pa dalluar moshë a hierarki. Nuk kishte më vend për merakun prindëror, sepse pas shkolle ata takoheshin në mjediset e Katedrales e punonin pa e parë orën dhe koha fluturonte me batutat e djemve që pasuronin skenarin. Nga droja e amatorëve të fillimit nuk mbeti asgjë, sepse ata tani ishin bashkë, pak si aktorë, pak si skenografë e pak si kostumografë. Shfaqja u mirëprit dhe kjo u dha zemër. Por jo te gjithë mundën të vinin në kishë… E çuditshme ta mendosh, po ja që disa s’gjejnë kohë për të ardhur, ndërsa të tjerë dhe pse duan, s’munden. Kështu “ Historia e Krishtlindjes” nisi udhëtimin e saj! 27 dhjetor, shtëpia e motrave të Nënë Terezës. “Ne mund të mos bëjmë dot gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe!” Shfaqja e dytë u dha për gratë, njerëzit në nevojë, strehuar në këtë shtëpi. Para se të improvizonin skenën sipas kushteve që gjetën, ata rendën të ndihmonin motrat me karrocat e të sëmurëve. Në asnjë dasëm ku kam qenë nuk më ka gëzuar më shumë vallja se atë ditë me ato gra. Atje vallja merrte ritmin e zemrës, ndaj lotët e parë që na rrëmbushën sytë kur i pamë ato njerëz të braktisur, duheshin fshirë e fshehur. Heshtur i përsërisja vetes “Mos e prit gëzimin nga askush, bëje, bëhu gëzim, gëzimi i të tjerëve”. Dhimbjes nuk duhet t’i tregojmë mëshirën, por Dashurinë e atëherë po, që gëzimi ta pushton zemrën pa lënë aspak vend për trishtim. Në lutjen e tyre përfundimtare fëmijët falënderuan Zotin që u kish dhënë një dhuratë kaq të madhe, mundësinë për t’u kujdesur për vete e për të tjerë. Ndoshta atë ditë shumë prej shokëve të tyre festonin lokaleve të Tiranës, po atë ditë që ata, fëmijët tanë, zbuluan se kishin një zemër aq të madhe sa mund të nxinte brenda të gjthë ato njerëz që dinin të qeshnin çiltër. Por nuk mbaroi këtu. 30 dhjetor, Krujë. “ Isha në burg dhe erdhët me më pa…”

Zahari Dom Marjan LumciE hënë, herët në mëngjes u nisëm për në burgun e Krujës. Për shumë prej nesh ishte përvoje e re. Sa herë më ka qëlluar të shkoj në kalanë e Krujës, nuk e kam dit, se pas atyre maleve ishte një vend i braktisur nga të gjithë, ku të dënuarit, edhe ata që janë të rrëgjuar fizikisht apo mendërisht, që s’mund t’i shërbejnë dot as vetes për nevojat minimale jetike (e jo të jenë dot rrezik shoqëror), shtyjnë ditët, ndoshta të fundit të jetës pendestare. Bëmë Meshën bashkë me ta. Të gjthë e puthën Krishtin fëmijë! Nuk do t’i harroj dot duart cungje të plakut sypërlotur kur i dhashë Paqen. Shfaqja e fëmijëve i gëzoi dhe vizita jonë i preku. Fëmijët i morën në valle. Ata u bënë pjesë e shfaqjes sonë. Një djalosh në qoshe të oborrit, rrekej t’i binte fyellit lodër të barinjve të shfaqjes. Atij motrat i kishin sjellë dhuratë një abetare se nuk i njihte shkronjat. Një zotëri tjetër kërkoi leje e na përshëndeti të gjithëve me një këngë. Kështu festuam Krishtlindjet me të dënuarit… e fatit. Na u kujtuan fjalët e Papa Françeskut se të dënuarit nga ne të lirët, ndryshojnë thjesht pse ata janë kap në gabim, e shumë prej nesh i kanë fsheh në heshtje. Unë e di që secili prej tyre ka bërë një faj për të cilin po vuan dënimin, por… dënimi i tyre është të jetojnë të mbyllur në burg. Askush nuk ka thënë se duhen harruar e braktisur në kushte që ua shtojnë torturën. A thua kjo sjellje do t’i aftësonte për të jetuar në shoqëri?! Si mund të mësohet dashuria përmes urrejtjes? Ata kanë bërë një krim dhe po e vuajnë, por ne të gjithë a duhet ta kemi kaq të qetë ndërgjegjen përballë humbëtirës ku kemi lënë të mbyten aq shumë jetë?! Krishti ka thënë: “Isha në burg dhe erdhët me me pa, isha i sëmurë dhe erdhët të më vizitonit, isha i uritur e më dhatë te ha, isha i etur e më dhatë të pi…” “Po kur i bëmë të gjitha këto?”, e pyetën. “Çkado bëtë dhe për më të voglin prej këtyre vëllezërve të mi,- tha Ai, – e keni bërë për mua!” Secili prej nesh kishte për të thënë shumë në këtë reflektim “terapie në grup”. Sa për mua, prej asaj dite alternativat qenë dy: t’i harroja ose të kthehesha sërish aty. Kjo e fundit nuk është e mundur, se aty njerëzit s’mund të hyjnë e të dalin si në kafene, ndërsa e para është fare e pamundur, sepse është më e fortë se unë. Nuk e heq dot nga mendja! Mbetet Lutja, mund të bashkohemi në lutje për t’ua lehtësuar brengën! Dikush tha se i kishim shtuar dhjetë vite jetë, shpresoj vite ëndrrash, vite shprese, vite lirie. Deri këtu miq jemi në rregull me teorinë, por “E para ishte Fjala”, pastaj Zoti bëri veprat. Ka ardhë koha që dhe ne pas fjalëve të bukura për vlerat në shoqëri, të nisim veprat e vërteta. Ndoshta këta fëmijë na treguan shtegun e dashurisë. Ky është mesazhi i vërtetë i Krishtlindjeve : Të duam njëri – tjetrin si veten! Ndoshta vërtetë Zoti zgjodhi të na flasë përmes fëmijëve kësaj rradhe. A nuk këndojmë së bashku në Meshë: “ K’tu jam unë o Zot, m’dërgo mua…”? Ka ardhë koha! Forca!

Check Also

Imzot Rrok Mirdita

Urime Shkëlqesi!

Në 75 vjetorin e Shkëlqesisë së Tij Imzot Rrok Mirdita. Predikimi i Shkëlqesisë së Tij ...