Kushtet Solemne në Shoqërinë e Jezusit

Kushtet Solemne në Shoqërinë e Jezusit

Mesha e Korpit dhe Gjakut të Krishtit, për “Shoqërinë e Jezusit” në Shqipëri, këtë vit pati një jehonë mjaft festive, pasi u përjetuar me mbresa të veçanta. Famullitari “Zemrës së Krishtit” atë Zef Bisha s.j., si dhe bashkëvëllai atë Stefano Corticelli s.j., morën kushtet solemne. Në ceremoninë eukaristike, ishte Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit Imzot George Frendo, por gjithashtu e nderuan eventin me praninë e tyre Nunci Apostolik në Shqipëri Imzot Charles John Brown, Provinciali i Italisë për “Shoqërinë e Jezusit”, shumë etër të tjerë jezuitë nga jashtë e nga vendi, por edhe një numër i madh rregulltarësh e besimtarësh.

Atë Bertrand-Marie Desrois, si epror i Jezuitëve në Tiranë, në çastet e para të kremtimit, bëri paraqitjen solemne përpara bashkësisë së famullisë ‘Zemra e Krishtit’: “Do të jetë momenti i Kungimit”, vuri në dukje “kur atë Zefi dhe Atë Stefano do të bëjnë kushtet e Solemne në Shoqërinë e Jezusit. Është një gjest dashurie që i bën pjesë aktive në çdo vend e mision ku shoqëria e Jezusit shërben. Për të arritur në këtë pikë, atë Zefi dhe Atë Stefano kanë kaluar në një aventurë të gjatë kushtimi duke njohur Zotin hap pas hapi. Kanë qenë vitet më të bukura ku angazhimi në punën baritore ka filluar që në vitet e para të formimit si Jezuitë dhe menjëherë pas novicjatit bënë kushtet, me të cilat angazhoheshin se do të ndiqnin mënyrën e jetës së Jezuitëve. Tani, ndërkohë që ata bëjnë kushtet e tyre solemne, ‘Shoqëria e Jezusit’ i pranon përgjithmonë, sepse janë në gatishmëri të plotë në misionin universal të Kishës. Historia e Atë Zefit dhe Atë Stefanos është e larmishme dhe e veçantë që i ka dërguar deri në këtë moment.

Atë Zef Bisha ka lindur në Vaun e Dejës më 9 Qershor 1973 dhe në vitet e para, pra rreth 1994-ës filloi të frekuentojë seminarin papnor të Shkodrës. Më pas hyn tek Jezuitët (më 1998). Pas Novicjatit fillon aventura e formimit, në fillim vitet e Filozofisë në Padova, shërbimi për dy vjet në Shkodër, në Seminar me përkujdesen ndaj Seminaristëve, e pastaj në Napoli për vitet e Teologjisë. Etapa e Fundit është në Madrit ku ka studiuar teologjinë shpirtërore dhe është shuguruar prift më 5 Korrik 2008 nga Mons. Luciano Agostini, ipeshkëv i Sapës. Një vit më pas, atë Zefi, ka qenë dërguar këtu në famullinë e “Zemrës së Krishtit”, ku është famullitar që nga 2014. Në përgatitje të kushteve Solemne atë Zefi ka jetuar edhe disa muaj në “Puento Grande” Meksikë duke njohur misioni e Jezuitëve edhe jashtë kontinentit tonë.

  1. Stefano Corticelli ka lindur më 17 Qershor 1972 në Chieri, afër Torinos, në një familje ku janë një xhaxha dhe dy kushërinj jezuitë; ka frekuentuar oratorin e Chieri-t dhe ka hyrë në rishtari në 1996. Pas Viteve të studimit në Padova të filozofisë dhe teologjisë, në Napoli ka studiuar teologinë dogmatike, në Paris duke u shuguruar prift më 24 Maj 2008 nga Mons. Guido Fiandino, ipeshkëv ndihmës i Torinos. Atë Stefano ka punuar me baritoren universitare në Bolonjë dhe nga Tetori është dërguar në Tiranë për misionin e tij mes jezuiteve në “Famullinë e Zemrës” së Krishtit. Përgatitjen për kushtet Solenme e ka jetuar në Dublin, Irlandë.

Fillimet e Homelisë, së mbajtur nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe i Durrësit Imzot George Frendo, shpalosën një analizë organike mjaft domethënëse të leximeve dhe Ungjillit të ditës. “Për misterin eukaristik i cili bëhet i pranishëm nëpërmjet shërbesës kishtare”, duke e lidhur ngushtë edhe me ngjarjen festive të kësaj liturgjie” Imzot Frendo, tha se: “Kisha e zbaton këtë shërbesë edhe nëpërmjet atyreve që e afrojnë vetveten në jetën e kushtuar. Këta dy meshtarë, në ndjekje të gjurmëve të shën Injacit, i shërbejnë Kishës duke përhapur mbretërinë e Hyjit mbi tokë. Ndër të tjera, pasi iu drejtua pjesëmarrësve, se na përket ne e duhet të lutemi shumë që të gjithë, për jetën e dy etërve tanë që sot marrin kushtet, Imot George Frendo, nuk nguroi të përmendë gjithashtu edhe shembujt e lartë për një seri etërish jezuitë të famshëm, si atë Arrupe, kardinal Martini, Papa Françesku etj., duke uruar që atë Zefi dhe atë Stefano, t’i mbajnë kurdoherë ata si modele gjatë shërbimit për popullin e Zotit në famulli e më gjerë.

Pjesa më e rëndësishme e solemnitetit të kremtimit ishte marrja e kushteve. Sipas ritualit, të gjunjëzuar përpara elterit të shenjtë, atë Zefi dhe atë Stefano shprehën vullnetin e tyre për ta vazhduar me konsekuencë zotimin e ndërmarrë ngaherë, sipas kushteve jetësore tashmë të përhershme. Fill pas shtrirjes së duarve të Arqipeshkvit të dioqezës Imzot Frendo, mbi dy meshtarët, të pranishmit e shumtë në kremtim, e përshëndetën me duartrokitje të gëzueshme çastin tepër emocionues të krijuar.

Solemniteti i ceremonisë u mbyll me fjalën përshëndetëse të marrjes së kushteve, nga ana e Provincialit të Italisë për “Shoqërinë e Jezusit” atë Gianfranco Matarazzo s.j. i cili tha:

“Në Kishë janë shumë bashkësi rregulltare: Françeskane, Domenikane, Salesiane, motrat e Nënës Teresës dhe për krah tyre gjendemi edhe ne, Jezuitët. Kjo larmi mënyrash për ta jetuar Ungjllin është pasuria e Kishës.

Një përshëndetje shkon për Mons. Frendo dhe për Mons. Brown që i shërbejnë Kishës në Shqipëri. Si Jezuitë dëshirojmë të japim kontributin tonë në këtë kishë. Jemi në Shkodër, ku punojmë për formimin e brezave të rinj, me një shkollë, dhe këtu në famullinë e “Zemrës së Krishtit”, në Tiranë.

Falënderoj veçanërisht eprorët e dy komuniteteve, p. Marinon, p. Bertrandin por edhe padre Alberton, bashkëpunëtorin tim si i deleguar për Shqipërinë.

Ju drejtohem ju, familjeve të atë Zefit dhe atë Stefanos, faleminderit që na i dhuruat djemtë tuaj Shoqërisë. Jam i ndërgjegjshëm për sakrificën që keni bërë me këto akte. Ungjlli premton një qind herë më shumë atij që lë nënën, babain, vëllezërit. Ja djemtë tuaj janë duke marrë një qind herë më shumë nga nënat, baballarët, vëllezërit. Janë njerëzit këtu prezent që plotësojnë premtimin. Rroftë Shqipëria, rroftë Jezu Krishti!”

Në dalje nga Kisha besimtarëve iu shpërndanë figurat e posaçme me rastin e kushteve të të dy meshtarëve. Me autobusë e mjete të shumta, organizuar më së miri, të gjithë të pranishmit në këtë event u nderuan me një moment banketi festiv në Qendrën “Anton Luli” në Vaqarr.

Nga Ferdinand Ndocaj

Check Also

Dele të humbura, apo ujq grabitqarë? – DËSHMITARËT E JEHOVAIT?!!!

Dele të humbura, apo ujq grabitqarë?   DËSHMITARËT E JEHOVAIT?!!! Nga Dom Marjan Lumçi Pothuajse  ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *