Mbi mondanitetin shpirtëror dhe mbi lutjen.

Mbi mondanitetin shpirtëror dhe mbi lutjen. 

Meditim për Rregulltarë e Meshtarë për Dioqezat e Tiranë – Durrës dhe Rrëshen

E hënë 23 tetor 2017. Katedrale e Shën Palit Tiranë

 

Nga Dom Arjan Dodaj

Përshëndetje të gjithëve,

1 ) Pjesa e parë: Mondaniteti shpirtëror

Ju falënderoj për prezencën tuaj, është e bukur të gjendemi mes nesh, prftërinj, rregulltarë e rregulltare, sepse kjo eksperiencë është eksperienca e atyre që mbi të gjitha çojnë përpara Kishën, aspostullimin në Kishë, dhe ky apostullim është i përbërë pikërisht përmes kësaj dëshmie, që kërkohet të jepet mbi të gjitha kundër çdo lloj forme të mondanitetit.

Në fakt, Papa Françesku në “Evangelii Gaudium” në numrin 93, thotë : jo ndaj mondanitetit shpirtëror, që fshihet pas dukjes së besimit dhe madje edhe dashurisë për Kishën e konsiston në të mos kërkuarit të lavdisë së Zotit por Lavdisë njerezore dhe, mirëqënies personale, pikërisht kjo është ajo që Jezusi kritikon tek farizenjtë. “Si të besohet në ju që kërkoni lavdinë njëri me tjetrin ?!”

Për të fituar mbi këtë mondanitet shpirtëror kemi nevojë mbi të gjitha për tu ndërgjegjësuar mbi identitetin tonë, në fakt mondaniteti shpirtëror nuk është gjë tjetër përveç veshjes së identitet që kemi nga Zoti, me ato çka mund të jenë gjykimet e botës mbi priftin, ose dhe gjykimi që vetë ne krijojmë mbi detyrën tonë.

Gjykimi i botës mbi priftin, para së gjithash i botës që na rrethon, i kushtëzuar edhe nga brishtësia, dobësia e kontekstit të varfër të popullit të Zotit në Shqipëri, ose edhe gjykimi që ndoshta projekton mbi Priftin një ndjesi pushteti që duket si eksperiencë çliruese. Në fakt edhe dishepujt kishin shpesh herë një pritshmëri për një Jezus çlirues, që do të thotë një Jezus politik që do të kishte mundur në një farë mënyrë të bënte të heshtnin kontrastet dhe konfliktet, ose skllavërinë ndaj varësisë romake. Është kjo që ndoshta shpesh herë ndez mes njerëzve kundrejt nesh këtë urim …që “Zoti të rrittë pushtetin!”

Por ne e dimë shumë mirë që këto fjalë nuk korrespondojnë me planin e Zotit në jetën tonë, sepse Zoti ju zbulohet të përvuajturve, të varfërve, të thjeshtëve, është pikërisht në këtë që Jezuesi thotë: “ të falenderoj o Atë, sepse i ke fshehur këto gjëra nga të pushtetshmit, të urtët e të dijshmit dhe ja u ke zbuluar të vegjëlve e të përvuajturve”.

Shembullin primar në këtë e kemi në Zojën e Bekuar!

Dhe është ky momenti ku për ne shfaqet nevoja për një shqyrtim mbi vetë identitetin tonë, një identiteti që mbi të gjitha i përket përkushtimit tonë në raport me Krishtin, si rregulltarë, rregulltare e dioqezanë , jemi të gjithë të Krishtit, e kështu identifikohemi në këtë raport të thellë e të gjallë bashkimi me Të, dhe është Ai që na liron nga çdo formë e tundimit të mondanitetit.

Kjo eksperiencë çlirimi dhe hiri, nis sidomos për ne në një kontekst “Ecclesia”, do me thënë të një asambleje, pra ndërsa jetojmë së bashku ecjen e Zotit. Për këtë, tundimi i parë që mund të hasim, është pikërisht ajo e të jetuarit si vetmitar, do me thënë single.

Rikujtojmë që etërit e Kishës thoshin “ i shkreti ai që është “vetëm”, sepse do të përfundojë keq”. Ja ky tundim qoftë edhe në kontekstin e sotëm, shpesh edhe për shkak të nevojave të ndryshme për të shërbyer vetëm, ku do është, rrezikon që në një farë mënyre të na largojë ose të na çrrënjosë nga ndjenja jonë e përkatësisë me Ipeshkvin, me dioqezën, me kongregatën, ose me komunitetin në të cilin jemi të thirrur të jetojmë shërbimin tonë baritor, misionin tonë, sepse ka gjithnjë nevojë për këtë dimension sinoditeti me Ipeshkvin dhe mes meshtarëve. Ky trup i Kishës ka një forcë speciale, dhe ky trup duhet të ecë përpara gjithnjë me transparencën e angazhimeve me transparencën e virtyteve, pra me transparencën për të cilën flet Pali që është: kurajoja të flasësh, të thuash gjithçka, por kur je “vetëm – single”, je akoma më shumë i kushtëzuar, nga dobësitë, nga kufizimet personale, e kështu na mungon me eksperiencën e të ecurit përpara kurajoja e të folurit.- Parrezia!

Kurajo për të folur duhet të na ndezi gjithnjë, të flasim gjithnjë, ama për Jezu Krishtin!! Në kohën tonë dëgjojmë shumë fjalë, dëgjohet të flitet gjithandej, dëgjohet të flitet nga të gjithë e shpesh herë edhe në kremtimet tona dëgjohet të flitet nga personi në person, nga situata në situatë e për këtë humbet më pas dëgjimi i fjalës së Krishtit. Së fundmi kam marrë pjesë në një celebrim në të cilin folën të gjithë e ndoshta i vetmi që rrezikonte të mos fliste ishte Krishti….

Ndërkohë që jemi të thirrur të flasim pak, të flasim për Krishtin, në të kundërt do të mungojmë në këtë Parrezi, e për këtë do të rrezikojmë të strehohemi në frikën e të folurit haptas, e të  reduktohemi në një kontekst të vogël personash që ndoshta në një farë mënyre janë të vetëkënaqur e me një mentalitetit shpesh mondan, ndaj përfundojmë duke folur për këtë, për atë, për Ipeshkvin, për meshtarë ose për bashkëvëllain, por nuk kemi lirinë dhe Parrezin … për tu përballur me çdo situatë e të flasim me zemër në dorë.

Ja pra, që eksperienca e fjalës, pra Parresia është fryt i një eksperience purifikimi, të një pune mbi vetveten, ose do të guxoja të thoja me Ungjillin e Mateut 11. 12-15 ku Jezusi thotë “mbretëria e Hyjit i përket të dhunshmve, dhe ata do ta përvetësojnë, pra dhuna e parë është pikërisht ajo që ushtrojmë mbi vetveten, dhunë që tregon mbi të gjitha një dominim ndaj vetë vetes për një ushtrim durimi, ushtrim purifikimi dhe për një shqyrtësi mbi çdo formë fjale që nuk buron në jetën tonë nga Shpirti që takojmë me Krishtin në Eukaristi,( që është një eksperiencë më eksplozive se sa të prekim në korrent), në takim me Krishtin në mishin e vëllait, në Krishtin e mishëruar.

I foluri ynë, pra është fryt i të folurit me Mësuesin në Shkollën e tij, kjo do të na mundësojë të mësojmë edhe ne të qënin barinj, që siç do të thoshte Papa Françesku, që kanë erën e deleve, që në takimin me delet, takimin me popullin e Zotit, do të dijmë të jemi më të afërt plagëve të tyre, të bëhemi më të aftë për tu afruar me nevojat e tyre e mbi të gjitha të fortë për të fituar atë klerikalizëm që në një farë mënyre na izolon nga realiteti dhe na bën të jetojmë në një botë paralele ndaj asaj të nevojës dhe dhurimit të vetvetes, për të cilin kanë nevojë vëllezërit tanë.

Ja pra nevoja jonë për të fituar mbi çdo formë të funksionarizmi, që do të thotë të reduktuarit në nëpunës funksionarë të misterit të Zotit, pra e të qënit ata që në një farë mënyre administrojnë gjërat e Tij, por që nuk dinë të bashkëndajnë përmes ekzistencës së tyre, shpirtit të tyre, ndjenjës së tyre, me jetën e vëllait. Në fakt Shën Pali na thotë “ kini në ju të njëjtën ndjenja të Jezu Krishtit, i cili edhe pse me natyrë Hyjnore nuk e konsideroi një thesar xheloz ngjashmërinë e tij me Atin, por e përuli vetveten dhe u zhvesh” ,dhe me eksperiencën e meshtarit duhet të zhveshim atë lavdinë njerëzore mondane që shumë herë mund ta hasim në takim më njerëzit.

Njerëzit sigurisht, për nga thjeshtësia, mirësia dhe besimi i tyre, shohin në priftin Krishtin që ecën në mesin e popullit të Tij, por prifti i vetëdijshëm për mjerimin e tij, për dobësinë e tij, kurrë nuk tërhiqet nga eksperienca e bashkësisë dhe e purifikimit.

Edhe unë, për eksperiencë personale që prej Shugurimit Meshtarak në 2003 kam patur gjithnjë këtë hir për të mundur të bashkëndarë me popullin e Zotit çdo ditë këtë eksperiencë të takimit me nevojat e tij, me shpresat e tij, me vështirësitë e tija, me gëzimet e tij e me dhimbjet e tij. Shpesh kuptoj që është prezent gjithmonë ky tundim për të qënë në një farë mënyre të izoluarit e një përditshmërie administrative të gjërave të Kishës, ndërkohë që jemi të thirrur jo për ti administruar ato, por mbi të gjitha të dëshmojmë Ungjillin e të çojmë Krishtin e mishëruar tek njerëzit e për këtë na duhet fillimisht gjithnjë të takojmë vëllezërit, të shkojmë drejt njëri-tjetrit, të kërkojmë të jemi më të angazhuar në mundësitë baritore që kemi, por pa takimin me popullin, humbim eksperiencën e realitetit, të nevojës së vërtetë të shpirtrave!

Në të kundërt, meshtari që është shumë klerikal është si ai farizeu që ka një teologji të vetën, që si në kohën e Jezusit, gjykon gjithçka duke u nisur nga vetja e tij, ku vendos vetë se çfarë duhet të bëjë, se çfarë duhet të bëjë Jezusi me njerëzit, se çfarë duhet të bëjë Jezusi me Kishën, se çfarë duhet të bëjë Jezusi me teologjinë dhe kështu rri i mbyllur në vetvete, larg nga e vërteta, nga nevoja e popullit, ndaj i pamundur të bashkëveprojë me realitetin e tyre.

Kemi nevojë atëherë të fitojmë mbi këtë tundim të të qënit të identifikuar në shekullin në të cilin jetojmë, sepse humbasim lidhjen me misionin tonë për të qenë jo vetëm lajmëtarët por mbi të gjitha për të qënë të aftë të jemi mësues të jetës për njerëzit që Zoti na ka besuar, të jemi udhëheqës të sigurtë, transparentë, mbi të gjitha përmes shembullit të jetës, lajmëtarë jo vetëm të fjalës ose me fjalë, por me vepra dëshmie, që rrënjosin në zemrat e tyre, në mendjet e tyre, në zgjedhjet e tyre praninë e Krishtit Shëlbues!

Një tjetër pikë që është para të fiksuarit në këtë shekull është paaftësia e të kuptuarit të nevojës që kemi ne për eksperiencën e HIRIT SAKRAMENTAL, eksperiencën e të ushqyerit me Krishtin Eukaristik e të Mëshirshëm, kjo eksperiencë e Mëshirës që meshtari bën mbi vetë ekzistencën e tij, bëhet mundësi e fortë e dhembshurisë ndaj njëri-tjetrit dhe na bën vegla të mëshirës nëpërmjet sakramentit të Mëshirës, që është Rrëfimi. Kjo është shumë ë rëndësishme, duhet të fillojmë të përdorim më shumë rrëfyestoret tona, të jetojmë më shumë në Kishat ku ndodhemi. Nëse nuk jeton në Kishë meshtari as populli i Zotit nuk do vijë aty.

Shën Gjon Maria Vianney thoshte: “lëreni një qytezë, një fshat pa prift dhe pas një viti populi do përfundojë të adhurojë kafshët!”.  Për këtë është e rëndësishme që të fillojmë të përdorim vendet ku po jetojmë me lutje, me shërbim, me durim. Në fakt puna e parë që bëri Curato d’Ars. Kur erdhi Ars, mori një fshesë e filloi të pastrojë, e më pas u ul në bankën e fundit dhe filloi të sodisë Kryqin , unë e pashë dhe ai më pa, nëse e lejojmë veten të shihemi nga Kryqi do të mesojmë nga shikimi i tij që të shikojmë edhe ne tjetrin!

2) Pjesa e dytë: Lutja

Në takimin e sotëm mbi Lutjen, mund të bëjmë një përshkrim së bashku duke ecur me Ungjillin e Lukës, pasi Luka është Ungjilltari që më shumë na flet mbi lutjen:

1.Lutja e Jezusit.

-Në kapitullin 4,42 na flet për Lutjen e Jezusit në mëngjes herët, pastaj na flet për lutjen mbi mal 6,12 kur lutet për të zgjedhur të 12. Lutja kur merr pagëzimin 3,21 dhe zbret Shpirti i Shenjtë mbi të.

2.Lutja Jonë

Luka na flet për Lutjen tonë:

11,5-8 Miku Këmbëngulës

18,1-8 Vejusha me gjyqtarin e pandershëm ku na jep arsyen përse është e nevojshme të lutemi për herë dhe pa u lodhur!

3.Shembuj lutjeje

Luka na jep shembuj Lutjeje të Jezusit, e të njerzve

-Përballë këtyre shembujve të lutjes në Ungjill, hasim vështirësitë për tu lutur në jetën tonë personale dhe që na rrethon, duke u nisur nga eksperienca e vuajtjes, dhe e padrejtësive ndaj popullit të Zotit që na është besuar dhe ndaj situatave konkrete në jetën tonë. Shpesh herë në këto kontekste edhe ne mund të mendojmë: Ku është Zoti, përse nuk ndërhyn?

Por janë po këto, ose edhe vështirësi të tjera që duhet të kapërcehen, përndryshe Lutja jonë do të ishte shumë artificiale dhe pak e qëndrueshme.

Është në këto situata që duhet të mësojmë eksperiencën e “heshtjes”. HESHTJA është themelore për një Lutje autentike, ajo përballë Zotit, përmban në vetvete gjithë situatat që jetojmë ne me popullin e Zotit. Heshtja është fillimi real i Lutjes, sepse nëpërmjet këtij gjesti manifestohet eksperienca reale e besimit në Zotin!

Në këtë lutje kuptojmë që po e njohim më shumë Zotin e kryqëzuar, ku na manifeston fytyrën e Tij, e nëpërmjet pamjes së fytyrës së Zotit të kryqëzuar, kuptojmë diçka më shumë mbi vuajtjet që janë të përplasura mbi burat e gratë, fëmijët e të moshuarit e kohës sonë.

E ndërsa Krishti i kryqëzuar na manifeston fytyrën e Tij në popullin e Zotit që vuan, në të kryqëzuarin e mishëruar në grigjën që Zoti na ka besuar, këtu, Lutja nuk është më fryt i mendimeve ose kërkesave të mia, por fryt i shpirtit që Lutet në mua! (Rm8,14-27)

Pra kur jemi të hapur, ose për më shumë, jemi të dorëzuar ndaj prezencës së Zotit në ne, Lutja atëherë është një realitet shumë i thjeshtë që buron nga shpirti kur janë vënë në fillim themelet e duhura.

Është nga kjo eksperiencë e thjeshtë Lutjeje që në Lutje kemi prezent çdo person ose situatë që jetojmë.

J.H. Newman thotë:

-Për në famulli: Vigjilencë, moslodhje, prezent me shpirt, butësi, përvujtëri, gadishmëri, dashuri, shqyrtim të shpirtrave…

-Në takim me të sëmurët: modesti, mëshirë, besim në Krishtin, qëndrueshmëri, ciltërsi…

-Në katekizëm: durim, xhentilesë, respekt, humor të mirë, kthjelltësi në shpjegim, urtësi dhe të folur me vend…

Pra mesojmë këtu një program të bukur moral, një program të bukur lutjeje një program që na çon drejt shenjtërisë.

Arritja e madhe është rruga e Shenjtë.

Për këtë arritje kushdoqoftë angazhimi ynë, Lutja është e domosdoshme! Shën Filipi Ner thoshte që një njeri pa Lutje është si një kafshë që nuk ka arsye!

Lutja pra i jep dritë të gjithë jetës sonë, i jep arsyen përse të shpresojë dhe te besojë!

Edukata e Lutjes është pra si autenciteti ynë personal si dhe të kerkojmë brenda nesh zërin e Shpirtit që lutet në ne. Pa këto dy faktor nuk ka Lutje të Krishterë: sepse është shpirti që Lutet në ne dhe kjo është karakteristika tipike e Lutjes së Krishterë.

4.Efektet e Lutjes.

Lutja është një vegël e fortë kundër pasioneve ose epsheve. Fatkeqësisht, jemi gjatë ditës nën vrullin e mijëra axhitimeve mondane, hutimeve ose mq keq, e pra Lutja është një ndihmë e madhe, si ajo personale, ashtu ajo publike.

Kjo lutje, si ndihma e një vëllau ose motre në fe, do të na ndihmojë, sikur të na vendoste një dorë në krah, e të na përmbante përballë një fjale që mund të shprehnim me inat, ose një fjale të thënë pa menduar, ose shaka që mund të bëhen pa konsideruar, ose zgjidhje të situatave pa reflektuar, të tilla pra janë ndihmat që na jep lutja konkretisht.

Lutja, pra na ruan nga rënia viktimë në turbinën e pandalshme të mondanitetit e të epsheve.

Kur pra do të fillojmë çdo vepër tonën, me mendjen tek Hyji, duke punuar për Atë, për të bërë vullnetin e Tij, do kërkojmë bekimin e Tij, e do e zbatojmë në ndodhitë e gëzueshme ose të trishtueshme të jetës. Atëherë do të ndihemi të shtyrë, për të menduar përherë prezencën e Tij në ne, si Person i gjallë, do të jemi në gjendje të bashkëbisedojmë me Të, me thjeshtësi e besim të plotë në brendësinë e shpirtit, e do të ndjejmë shoqërinë e Zotit më pranë se atë të miqve, duke jetuar e shijuar në çdo situatë adhurimin e Hyjit.

Njeriu që lutet, nuk ëshë më ai i përparshmi, por gradualisht, pa e kuptuar, thith parime të reja të Shpirtit, Lutja pra bëhet kështu vegla e miqësisë Hyjnore, dhe e formimit në Hyjin.

Check Also

THIRRJA DHE MISIONI I PAZËVËNDËSUESHËM I FAMILJES NË KISHË.

THIRRJA DHE MISIONI I PAZËVËNDËSUESHËM I FAMILJES NË KISHË. Nga Motër Rita DEDA Zemra e ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *