IN MEMORIAM – MONSINJOR RROK MIRDITËS

imzot-mirdita

Nga Nest Zefi

 

Sot mbasdite me 07.12.2016 u mbush plot nji vitë pa Monsinjor Rrok Mirditën dhe tue mos dasht me u zgjat shumë, kjo kohë e shkurtë me mungesën e tij fizike, ka deshmue bollshëm se boshlleku që ka lanë asht vërtet i madh, tue konfirmue e tejkalue parashikimit tona në momentet e kalimit të tij në amshim.

Sigurisht Zoti nuk e braktis kurrë grigjën e vetë edhe në momentet ma të vështira dhe Komunitetit Katolik e din mirë këtë me historinë e vetë të martirizimit, por Monsinjor Mirdita me staturën e tij u ba intrumenti e simboli i rimëkambjes së Kishës Katolike në këto 25 vjet mbas ramjes së komunizmit, tue i dhanë përfaqësimit të saj mbrenda dhe jashtë vendit, nderë, dinjitet e kreni të ligjshme.

Burrë i urtë dhe i matun, larg meskiniteteve e me inteligjencë praktike të lindun, diti me gjetë shtegun ma të drejtë në rrugëtimin e Kishës Katolike në Katrahurën e antikrishtit shqiptar, tue ba diferencën me stilin e tij, sa lokal e dinjitoz shqiptar e sa universal e të përbotshëm, të farkëtuem me përvojat e veta baritore në Amerikë.

Shejti Papa Gjon Pali II, me gjestin e tij profetik e në përputhje me natyrën e Kishës Katolike, gjeti ekuilibrin e artë, tue shugurue tre Ipeshkvij Shqiptar, të sapo dalë prej përvojës martirë të katakombëve të katolicizmit shqiptar bashkë me Monsinjor Rrokun, Shqiptar në bregun tjetër të kufinit dhe Bari i komunitetit shqiptar në Amerikë, që mbante gjallë flakën e identitetit katolik e shqiptar.

Në fakt, Monsinjor Mirdita e shpëlbleu ma së mirit besimin e Papës dhe sensibilitetin e tij inkurajues, tue gjet nji sintoni vllaznore e unjillore me bashkvlleznit e vuejtun në Episkopat me reflekse pozitive në unitetin e Komunitetit Katolik e reputacionin e tij anekandë vendit.

Pjekunia, esencialiteti dhe aftësia me u sintonizue me dinamikat e kohës dhe ligjeve të saj, si cilësi të spikatuna të Monsinjor Rrokut, u vunë me bujari në shërbim të Dioqezës Tiranë Durrës e krejt Kishës Katolike në Shqipni e falë këtij mentaliteti të përcuem tek besimtarët e kleri Katolik, bashkësia katolike shqiptare rikuperoi kohën e humbun në izolimin otomano-komunist.

Mirënjohja ndaj Zotit e Bariut të mirë në personin e Monsinjor Mirditës asht ndjesia e parë që të del natyrshëm prej zemrës per me kujtue figurën e Ipeshkëvit tonë në nji vjetorin e kalimit në amshim.

Në këtë vit pa Monsinjor Mirditën, hiri i Zotit, bashkpuntor i të cilit ishte Monsinjori, e ka stolisë Kishën Katolike shqiptare me bekime të jashtzakonshme, tue fillue me Shejtnimin e Nanë Terezës, Luminmin e Martirëve e krijimin Kardinal të Dom Ernest Trashanit.

Tue i mbyll këto rreshta homazh ndaj Monsinjor Rrokut, të mylmyem me disa digressione personale, lusim Shejtin Papa Gjon Pali II me na çue shpejt Ipeshkëvij të denjë për Kishën Katolike shqiptare me gjak e taban shqiptar.

 

Check Also

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur!

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur! Nga Igli Gjelishti I nderuar e ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *