“Ndihmëtarët e Foshnjave të Çmuara të Zoti” me 30 Qershor 2017

Lëvizja për Jetën në Shqiperi

Lërini Fëmijët të vijnë tek unë

“Ndihmëtarët e Foshnjave të Çmuara të Zoti” me 30 Qershor 2017

kanë kremtuar 7 vjetorin e themelimit të tyre.

Lëvizja për Jetën në Shqipëri, festoi 7 vjetorin e themelimit, me Adhurimin e të Shejtërueshmit Sakramend si dhe me Meshën e Shenjtë ditën e premte më 30 qershor, në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë. Adhurimi u drejtua nga , famullitar i Katedrales Dom Marjan Lumçi; ndërsa Mesha e Shejtë u kremtua nga Arqipeshkvi Imzot Charles John Brown.

Më 28 Qershor të 2010 një grup i vogël besimtarësh ka dalur në rrugë për herë të parë për t’u lutur përballë spitalit Mbretëresha Geraldinë dhe që prej asaj dite lëvizja vazhdon të kryejë misionin e saj. Një mision sa i vështirë por edhe i bukur. Pavarësisht vështirësive, nuk ka të krahasuar gëzimi kur një nënë përqafon fëmijën e saj pasi i ka thënë “Po” jetës në vend të abortit.

Shpesh herë njerëzit na marrin si gjykues apo protestues: ne nuk jemi as gjykues as protestues, pasi gjykimi i përket vetëm Zotit. Ne nuk shkojmë me protestue para spitalit! Çdo person që vdes e meriton, që dikush të jetë pranë në momentin e vdekjes! Që dikush të ketë sadopak dhembshuri për të. Ne shkojmë me shoqërue në lutje, fëmijët e pafajshëm që çdo ditë vriten nga prindërit e tyre. Shoqërojmë me lutje nënat, të cilat shkatërrojnë jetën fizike, por ajo çfarë është më e rëndësishmja, vënë në rrezik shpirtin e tyre. Shoqërojmë me lutje mjekët dhe personelin ndihmës që Zoti t’i ndriçojë dhe të jenë shërues të të sëmurëve dhe jo vrasës të jetës.

Qëllimi ynë primar, nuk është të shpëtojmë bebe, por të shpëtojmë shpirtrat. Fëmijët janë të prekur vetëm fizikisht, por shpirti i tyre shkon në duart e Zotit ndërsa për ato që janë të përfshirë në abort, jeta shpirtërore e tyre është në rrezik për bjerrje të përhershme në qoftë se nuk pendohen dhe nuk i kërkojnë falje Zotit.

Ne edhe pse mëkatarë të pa denjë, mundohemi të shoqërojmë Krishtin në këtë kalvar të ditëve moderne, i cili gjendet jo shumë larg shtëpive tona të banimit. Ne mundohemi të qëndrojmë tek këmbët e Kryqit të Krishtit dhe ta shoqërojmë me lutje siç kanë bërë Zoja Mari dhe Shën Gjoni kur e kanë kryqëzuar në Kryq. Ata nuk kanë protestuar, nuk kanë dënuar, por vetëm janë lutur tek këmbët e Kryqit. Krishti nuk i dënoi por tha: “Fali o Atë se nuk dinë se çfarë bëjmë”…

E kështu pra, përvjetori nisi me një orë adhurimi, gjatë së cilës u falënderua Zoti për bekimet që ka hedhur në punën e “Lëvizjes për Jetën” në këto 7 vite. Përpara të Shenjtnueshmit Sakrament, Don Marjani ka udhëheqë lutjen dhe reflektimin mbi Shejtnimin e Jetës dhe ka bashkënda dy dëshmi shumë të fuqishme nga nanat që e kanë përjetue traumën e abortit si dhe gëzimin e madh të pranimit të jetës duke e mbajtun fëmijën. Ishte tepër interesante dëshmia e një rasti kur nji nanë pavarësisht vështirësive, për hir të jetës, sakrifikon edhe martesën e saj: Jeta e jeme martesore u ndërpre pas 4 vitesh. Mendoja se ishim të lumtur sepse nuk na mungonte asnjë gja. Kishim një ndërmarrje të fuqishme të cilën e drejtonim bashkë me burrin, dhe gjithçka shkonte në mënyrë ma të mirë. Në vitin e katërt të martesës marr prej trupit tem sinjalin ma të gëzueshëm se do të bahem nanë. Vrapoj me shkue deri tek ndërmarrja për me ja dhanë lajmin e mirë bashkëshortit, por… aty ndeshëm me zhgënjimin e jetës teme. Ndërkohë që pritsha se do të më merrte në krahë duke më puthë, jo… ndodh krejt e kundërta: pa lëvizë aspak prej tavolinës së tij, me një sy tek unë dhe tjetrin tek kompjuteri i punës, me një ftohtësi të tmerrshme më thotë: “Nuk mund ta çojmë përpara këtë projekt”. Për momentin mendova mos kishte marrë ndonjë e-mail jo fort të mirë për punën dhe thashë nuk e ka kuptue se çka i kam thanë. Duke e shpërfillë çka me tha: ju afrova dhe prapë me gëzim i tham: Presim një fëmijë, unë këtu brenda barku tem të kam ty. Ishte hera e parë që më bërtiste me za të naltë duke më dhanë një urdhën të premë: “Duhet ta hjekësh sepse nuk kena kohë tash me u marrë me atë gja”. Dola prej zyrës e mbushun me zemërim dhe ika në shtëpi. Nuk më vinte me kja, por zemra gadi sa nuk po me delte prej vendit. Gëzimi i fëmijës dhe hidhërimi i mospranimit, ishin dy ndjenja që po me dyzonin. Erdhi në mbramje në shtëpi dhe fjala e parë që më tha ishte: “E mbarove atë punë”? Nuk e pritsha një fjalë të tillë prapë prej tij, dhe di vetëm se i kam kërkue që të arsyetojë se duke vra këtë fëmijë ti po vret jo vetëm veten tënde, sepse je ti brenda meje, por po me vret dhe mua, sepse unë do të mbetem pa ty, dhe ika në dhomën e gjumit për me fjetë. Gjithë natën ai duket se fjeti mirë ndërsa unë nuk vuna gjumë në sy, sepse tashmë po flisja me bebin tim, tashmë e kisha shokun jetës të cilit kisha ëndërruat ti falja gjithçka, pa asnjë kusht: krejt dashninë teme. Duke pa cinizmin e bashkëshortit në mëngjes, vendimi tashma ishte marrë. Sipas tij fëmija duhej të vdiste, ndërsa sipas meje, vdekja e tij do të ishte vdekja e jeme, prandaj UNË VENDOSA TË JETOJMË. Por që të jetonte ai fëmijë dhe unë bashkë me Të, duhej te vdiste lidhja me bashkëshortin, dhe ndamja prej tij ka kenë eksperienca ma e dhimbshme e jetës seme. Kam fillue prej atij çasti një ecje ne besim, gja të cilën ma përpara nuk e kisha ba, kjo sepse ishte ai momenti kur unë fillova me e pa dhe me e ndi praninë e Zotit në jetën teme. Kam fillue me e kuptue në ato çaste vuajtjen që Hyji Atë ka pranue për ne në Birin e Tij. Prej atij çasti vetëm rri dhe e shikjoj kryqin dhe sa ma shumë që e shoh, aq ma shumë edhe impresionohem prej Tij, ndërkohë që përpara se ta provoja dhimbjen kryqi për mua ishte një mjet zbukurimit si të gjitha gjanat e tjera që kisha nëpër shtëpi. Jam gjetë para disa zgjedhje që më duhej me i ba: kisha mundësi me urrye, me u hakmarrë, me u dëshpërue, ose…me e lëshue veten në dorën e Zotit. I kam kërkue Hyjit hirin e dhurimit të dashnisë së pakufishme për djalin tem, dhe sot jetojmë të lumtur. Unë jam e bindun se arsye kryesore e lumturisë teme, nuk asht thjeshtë mosbamja e mëkatit të abortit, sa asht zgjedhja që unë kam ba mes dashnisë për jetë dhe dashnisë për vetveten.

Kështu pra, “Sa më shumë që të dhurosh, aq ma shumë do të marrësh, njëqind për një: sipas mënyrës së Zotit” tha famullitari gjatë adhurimit.

Në vazhdim, Arqipeshkvi Brown, kremtoi Meshën e Shenjtë, duke shpallur rëndësinë për të punuar dhe për të mbrojtur jetën nga ngjizja e deri në vdekjen natyrore. Në homelinë e Meshës së Shenjtë Arqipeshkevi Brown u përqendrua në rëndësinë që ka mbrojtja e jetës:

“Tema e jetës dhe e mbrojtjes së saj, janë një temë që është shumë afër zëmrës sime dhe të Papa Françeskut. Papa thotë gjithmonë, me mbrojt më të vegjlit, të varfërit e ata që janë të lënë mbas doret. E kush mund të jetë më i vogël se ata që ende nuk kanë lindun?Kisha Katolike feston një festë shumë të bukur sot. Martirët e parë të Kishës së Romës. Dje kemi festuar festën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit dy mbrojtës të mëdhenj të Romës. Ndërsa sot martirët e Romës, të cilët janë vrarë nën perandorinë Romake. Vëllezër e motra kur shohim jetën e këtyre të krishterëve të parë çfarë shohim ne? Shikojmë dëshminë që ata i kanë bërë Krishtit. Elementi kryesor që kanë dëshmuar është mbrojtja e jetës. Të Krishterët e parë ishin të njohur pasi çdo mëngjes dilnin herët për të kërkuar fëmijët e sapo lindur të cilët liheshin jashtë, të braktisur, për të vdekur. Ishin fëmijë të pa dashtun, ishin pre e vdekjes. Kur shohim këta të krishterë të pare, shohim dëshminë për jetën. Krishti është rruga, e vërteta dhe jeta. Si të Krishterë duhet të ndjekum këtë shembull të mirë të të parëve tanë romak. Për këtë arsye Kisha Katolike nuk mundet mos me dhanë këtë dëshmi në ditët e sotme. Për të mbrojt fëmijët, veçanërisht fëmijët që janë akoma në krahanorin e nënave të tyre. Nga zemra doja me ju inkuraju që të ecni përpara në këtë apostullim kaq të nevojshëm për kishën e sotme. Le të mendojmë për të gjithë këto viktima të pafajshme të abortit në botë. Të gjithë këto fëmijë të pafajshëm janë një tragjedi vërtet e madhe. Është një tragjedi jo vetëm për fëmijët që nuk u jepet mundësia për të jetuar, por është një tragjedi për nënat të cilat shpesh herë janë të detyruara për të abortuar. Si çdo meshtarë që rrëfen, e din shumë mirë se sa e thellë është tragjedia e abortit. Natyrisht Zoti mundet me fal gjithçka. Jezusi ka mëshirë dhe falje për të gjithë ata që vijnë për pajtim. Por shpesh herë është shumë e vështirë për nënat me e pranue këtë mëshirë pasi kanë përjetue eksperiencën e abortit. Dhe për këtë arsye Lëvizja për Jetën është një lëvizje në favor të grave dhe për gratë. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë fakt. Çdo gjë që bëni në favor të jëtës unë e bashkëndaj me ju, dhe ju premtoj se do të jap edhe mbështetjen time personale. Jeta njerzore është dhurata ma e çmuar që na është dhënë në këtë ekzistencë toksore. Në këtë katedrale ne kremtojmë këtë dhuratë të bukur të jetës sonë. Kremtimi Eukaristik do të mbyllet me bekimin e fëmijëve për me e njohtë dhe me e vlerësue dhuratën që ato janë për ne. Faleminderit për ftesen dhe ju kërkoj të luteni për mue, për Papa Françeskun dhe për Imzot Frendon i cili dje ka marrë nga Papa Francesku në Shën Pjeter Paliumin e Shejte. Të ecim sëbashku në favor të jetës.”.

Gjatë Meshës, një moment i veçantë ishte oferta në elter ku përveç Bukës dhe Verës u ofruan disa dhurata simbolike: Qiriu symbol i dritës së Krishtit në botë; Rruzarja e Shejtë si “Arma” e jonë e fuqishme të cilën e përdorim çdo ditë përpara spitalit ku bëhen VRASJET e fëmijëve të pafajshëm. Mjaft emocionant ishte momenti kur një grup fëmijësh iu afruan Arqipeshkvit. Secili mbante në dorë nga një lule, symboli i jetës dhe i bukurisë së krijimit. Lulet e bardha paraqitën jetët e fëmijë që janë shpëtuar gjatë këtyre shtatë viteve, ndërsa Lulet e kuqe paraqitnin shpirtrat e fëmijëve të cilëve nuk u është dhënë mundësia që të lindin.

Zoti na ka bekur gjatë këtyre viteve me dhuratat e Tija të pafund. Na ka bekuar me fëmijë që sot gëzojnë jetën e tyre të lumtur në gjirin e familjes së tyre ose në familjeve adoptuese. Na ka bekuar me nëna që i kanë thënë një herë e përgjithmonë po jetës për fëmijët e tyre. Na ka dhënë nëna të cilat i janë hapur mëshirës së Zotit pasi kanë përjetuar eksperiencën e abortit jo vetëm një herë por disa herë. Zoti nëpërmjet lutjeve ka shndërruar jetët e mjekëve për t’u bërë shërues e jo abortues. Zoti na ka dhurue një një rrjet personash që luten herë pas here për të mbrojtur jetën. Dhe shumë e shumë dhurata pafund. Falënderoj përzemërsisht çdo person që ka dhënë kontribut gjatë këtyre viteve në favor dhe në mbrojtje të jetës.

Që ky mision të vazhdojë, ka nevojë për ndihmën dhe suportin tuaj, me lutje në shtëpi apo vendet ku punoni, me lutje përpara spitalit ku bëhen abortet çdo ditë 8:30-9:30. Mund të merrni pjesë në Meshën për Jetën çdo të shtunë në 7:30 në Katedralen e Shën Palit. Në vigjiliet që organizohen një herë në muaj etj..

Krishti ka thënë: “ Lërini Fëmijët të vijnë tek unë”

Nga. Dr. Majlinda Gjoni

Check Also

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur!

Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur! Nga Igli Gjelishti I nderuar e ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *