Papa Françesku: tre emërime të reja ipeshkvore në Shqipëri.

Papa Françesku: tre emërime të reja ipeshkvore në Shqipëri.

 

Në këtë numër të “Kisha dhe Jetës”, përzemërsisht gjejmë rastin të përshëndesim emërimin e tre ipeshkijve të emëruar nga Papa Françesku. Urojmë që Zoti t’ua ndriçojë atyre rrugën, në angazhimin që do të kenë në dobi të besimtarëve, të dioqezave përkatëse ku do të zhvillojnë veprimtarinë baritore, por edhe në dobi të vendit tonë. Në vijim po publikojmë lajmin 15 qershorit të ardhur nga Selia e Shenjtë:

“Tre emërime ipeshkvore të Papa Françesku, në Shqipëri. Papa ka pranuar sot  dorëheqjen e drejtimit baritor të dioqezës së Rrëshenit, të paraqitur nga Imzot Cristoforo Palmieri, dhe ka emëruar ipeshkëv Imzot Gjergj Metën, i cili deri tani ka qenë Vikar Gjeneral i Arkidioqezës së Tiranë-Durrësit. Atë Giovanni Peragine, deri tani famullitar i Shën Nikollës në Milot, në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit, është Administratori i Ri Apostolik i Shqipërisë Jugore: ndjekës i Imzot Hil Kabashit, që ka qenë deri tani i ngarkuar me këtë detyrë. Papa, në fund, ka emëruar ipeshkëv të Sapës don Simon Kullin, deri tani Administrator Dioqezan i së njëjtës dioqezë”.

 

Përshëndetje e P. Giovanni Peragine ditën e emërimit të tij si Ipeshkëv i Administraturës së Jugut të Shqipërisë.

Fort të dashur në këtë moment në zemrën time jehon fort himni i falënderimit të Marisë: “Shpirti im e madhëron Zotin…sepse e shikoi me pëlqim shërbëtoren e vet të përvuajtë”.

Po është e vërtetë përballë madhërisë së Hyjit që vepron në jetën tonë, gjithmonë në mënyrë të papritur dhe të habitshme, ndjej nevojën të falënderoj për atë që është duke kryer në jetën time, pavarësisht prej limiteve dhe dobësive të mia njerëzore.

Papa Françesku ka dëshiruar që një misionar nga një qytet i “vogël”, në veri të Shqipërisë (Milot) të bëhet një Bari i një territori të gjerë që përfshin Administratën Apostolike në pjesën jugore të Shqipërisë. Për këtë arsye dua të falënderoj Papa Françeskun për besimin që më ka treguar duke më dërguar mua mes jush si Bari të ri.

Falënderoj menjëherë Shkëlqesinë e Tij Mons. Hil Kabashi, i cili për 20 vjet e udhëhoqi këtë administratë. Jam i sigurt se sakrificat që ai i ka bërë, sidomos në vitet e para, dhe punën që ai e ka bërë deri më sot, do të vazhdojnë të japin fryte edhe në të ardhmen.

Përshëndes dhe falënderoj të gjithë meshtarët dhe rregulltarët që punojnë në këtë administratë: besnikëria juaj ndaj Zotit, dëshmia e përditshme dhe heshtja e jetës suaj të kushtuar në shërbim të më të dobëtëve, janë për mua motiv inkurajimi në këtë çast dridhjeje.

Të dashur, kam qenë dërguar nga eprorët e mi në Shqipëri si misionar i Kongregatës të Etërve Barnabitë dhe si misionar kam ndërmend të vazhdoj shërbimin tim. Gjatë gati 25 viteve të meshtarisë sime, njëzet vjet i kam jetuar këtu në Shqipëri. Në këtë Kishë, në mesin e këtij populli kam mësuar të ushtroj ministerin tim, kam mësuar të dëgjoj njerëzit dhe ta bëjë famullinë time familjen time. Për këtë e përshëndes dhe falënderoj bashkësinë e famullisë së Milotit dhe gjithë dioqezën Tiranë–Durrës e cila për mua ka qenë si një nënë. Nënë Tereza e Kalkutës shpesh ka pohuar se ka pasur gjak shqiptari e zemër indiane. Edhe unë mund të them, pa dyshim, se kam gjak italiani e zemër shqiptari.

Motoja që kam zgjedhur është “Kulloti qengjat e mi.” Ashtu si Pjetri, gjatë mundimeve për tre herë e kishte mohuar Jezuin, pasi kishte kërkuar të konfirmojë dashurinë e tij “më shumë se të gjithë“, edhe mua sot Zoti më kërkon t’i kullosë qengjat e tij, popullin e tij, duke filluar nga më të dobëtit, më të varfrit, më të largëtit. Me ndihmën e “Bariut të Mirë” dua të bëhem i afërm të gjithëve për t’i dëgjuar, udhëhequr, mbështetur, mbrojtur e shërbyer.

I përshëndes që nga tani besimtaret e Kishës Katolike, të cilëve së shpejti do t’ua dërgojë një mesazh përshëndetje, edhe besimtarëve të besimeve të tjera që janë të pranishëm në këtë territor: komunitetin mysliman dhe bektashian dhe vëllezërit e Kishës Ortodokse.

Me ta dëshiroj të marrë rrugë dialogu dhe bashkimi për të qenë gjithmonë shenjë më konkrete e Hyjit për njerëzimin.

Ju përshëndes të gjithëve e lutuni për mua.

 

Fjalimi i Dom Simon Kullit në ditën e shpalljes si Ipeshkëv i Sapës.

Shkëlqesi e nderuar Imzot Charles John Brown, Nunc Apostolik në Shqipëri,

I nderuar Imzot Massafra Arqipeshkëv Shkodër-Pult, President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

I Nderuar Kleri i dioqezit të Sapës, të dashur besimtarë.

Së pari, dëshiroj të falënderoj Bariun e Mirë Krishtin Zot i cili se harron kurrë grigjën e vet dhe përkujdeset gjithmonë për të, e falënderoj Shpirtin Shenjt për çdo të mirë që ka bërë në jetën time, me jetën time dhe për jetën time, që po denjohet të më thërrasë mua të padenjin si pasues të apostujve për të përjetësuar veprën e Krishtit që është Bari i amshueshëm.

Së dyti, falënderoj  Kishën Shenjte Katolike, Shenjtin Atë Papë Françeskun për besimin në mua dhe vlerësimin ndaj  jetës sime meshtarake.

Së treti  falënderoj klerin e dioqezës së Sapës dhe të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë sepse secili nga ju ka kontribuar që Sapa të shndërrohet në një familje të mrekullueshme, falë dashurisë që keni treguar dhe vazhdoni të tregoni ndaj meje duke më pranuar ashtu sikurse Zoti ka dashur që të jem.

Të jesh bari i një dioqeze është përgjegjësi e madhe dhe barrë e rëndë, për më tepër të jesh pasardhës i Imzot Avgustinit këtij bariu të mrekullueshëm dhe të pa harruar. Do përpiqem të ndjek gjurmët tija. Dashuria e tij për këtë dioqezë më nxit të pranoj me bindjen dhe fenë e sigurt se Krishti Bariu i mirë është gjithmonë me ne deri në të sosur të botës dhe se kemi mbështetjen dhe ndërmjetësinë e Shenjtës Terezë të Kalkutës, martirëve të Shqipërisë, Zojës së Këshillit të mirë, Pajtores së Shqipërisë. Atyre u besoj vetveten dhe popullin fisnik të Sapës.

Ju faleminderit!

Check Also

Dele të humbura, apo ujq grabitqarë? – DËSHMITARËT E JEHOVAIT?!!!

Dele të humbura, apo ujq grabitqarë?   DËSHMITARËT E JEHOVAIT?!!! Nga Dom Marjan Lumçi Pothuajse  ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *