Rrëfimi – 20 arsye, për mos me shku me u rrëfy !!!

Rrëfimi

20 arsye, për mos me shku me u rrëfy!!!

Nga dom Marjan Lumçi

13/03/2015 Basilica di San Pietro. Papa Francesco riceve al confessione durante la celebrazione della liturgia penitenziale.

1) Çka mendon se është prifti për me i fale mëkatet e mia?

2) Unë rrëfehem direkt me zotin, pa pasë nevojë për ndërmjetës.

3) Pse duhet me ja thanë mëkatet një njeriut si puna e ime?

4) Për ma tepër, pse duhet me ja thënë mëkatet një njeriut mekatnorë si puna e ime?

5) Më vjen turp.

6) Rrëfej gjithmonë të njëjtat gjëra.

7) Po unë rrëfej gjithmonë të njëjtat mëkate?

8) Të rrëfehesh nuk shërben asgjë, sepse unë edhe kur jam rrëfyer, përsëri i kam bërë të njëjtat mëkate pas rrëfimit.

9) E di se do të mëkatnoj përsëri, që do të thotë se nuk jam i penduar.

10) Nuk i di mirë rregullat e rrëfimit.

11) Kam frikë sepse rrëfyestari do të mendojnë keq për mua!

12) Po sikur meshtari t’ja tregojnë ndokujt tjetër mëkatet e mia?

13) Çfarë mëkatit kam bërë?

14) Jam dembel.

15) Më vjen turp prej mëkateve që kam bërë.

16) Nuk kam kohë.

17) Nuk gjej një meshtar!

18) Është tepër i madh mëkati apo gabimin që kam bërë!

19) Nuk gjej një meshtar të mirë.

20)  Unë e kam një lidhje me Zotin. Pse duhet të rrëfehem me priftin, që të më fali ai në vend të Zotit?

 

1- Arsye Rembrandt-Il-ritorno-del-figliol-prodigo_partic

 

 

Nuk dua me ja thënë mëkatet e mija një mëkatnorit si puna e ime… Të rrëfehem nuk më shërben për asgjë sepse në fund të fundit unë ato mëkate kam frikë se kam me për ti bërë përsëri…

          I dashur lexues, pasi të kesh mbaruar së lexuarit këto “arsye për të mos u rrëfyer asnjëherë”, përgjigju vetvetes sinqerisht: A është ndonjena prej tyne që nuk e ke dëgjue asnjëherë, apo ndoshta nuk e ke mendue edhe vetë ndonjëherë?

1) ÇKA MENDON SE ËSHTË PRIFTI PËR ME I FALE MËKATET E MIA?

          Vetëm Zoti mundet me i falë. Kjo është ma se e vërtetë, por ne e dijmë në sajë të Shkrimit Shejt se Zoti vetë ju a ka dhënë këtë pushtet apostujve kur ju thotë se atyre jua ka dhanë pushtetin me i falë mëkatet në emrin e Tij.

          Gjithsesi ky argument është shumë i vjetër, aq sa vetë historia e këtij sakramendit, sepse e gjejmë të shkruar në Ungjill, që në momentin kur Krishti i shpall të sëmurit para shërimit edhe faljen e mëkateve, kur farizenjt  tek shën Mateu 9, 1-8 i thonë se po blasfemon kur i fal mëkatet të paralizuarit: “Jezusi hypi në barkë, kaloi matanë dhe shkoi në qytetin e vet. Kur qe, ia sollën para një të pikuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: “Zemër, biro! Të janë falë mëkatet!” Dhe ja, disa prej skribëve menduan në vedi: “Ky po blasfemon!” Jezusi, duke i ditë mendimet e tyre, tha: “Pse mendoni keq në zemrat tuaja? Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falë mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngritu e ec!?’ ‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë i tha atëherë të paralizuarit: Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!” I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet. Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh”.

2) UNË RRËFEHEM DIREKT ME ZOTIN, PA PASË NEVOJË PËR NDËRMJETËS.

          Fantastike… por besoj se ka diçka e cila ndoshta dhe duhet marrë në konsideratë… Si mund ta dish ti se Zoti e ka pranuar pendimin tënd dhe se të ka falë? A thua ndoshta ti ke aftësi me ndigju ndonjë zë prej qiellit dhe me e marrë sigurinë e plotë të kësaj faljeje për të cilën ti ke nevojë e për të cilën i je drejtuar Zotit? E si mund ta dish ti prej vetvetes se je me të vërtetë në kushtet e mjaftueshme për me e marrë faljen e Zotit e mbi të gjitha për me u ndi i qetë ashtu sikurse edhe pritet mbas frekuentimit të këtij sakramendit?

          Unë mendoj se do ta kuptosh se çështja nuk është aq e lehtë… Një person shkon dhe vjedhë një shumë lekësh në një familje, tek një person apo bankë, dhe nuk don që me i kthye lekët mbrapsht. Të shkojnë sa të dojë e të rrëfehet drejtë për drejtë me Zotin, apo edhe me një prift, por nëse nuk e ka dëshirën për me e riparuar dëmin që ai ka bërë – në këtë rast duke i kthyer mbrapsht lekët që ai ka vjedhë – ky person nuk mund të falet… sado që të flasë “me Zotin” ai nuk mund të çlirohet prej mëkatit të tij.

          Por nga ana tjetër ky argument nuk është i ri: gati 1600 vjet më përpara, shën Agustini u përgjigjej atyre që mendonin në të njëjtën mënyrë: “Askush mos të mendojnë: unë veproj privatisht, ballë për ballë e vetëm për vetëm me Zotin… Atëherë qenka pa asnjë arsye dhe e kotë ajo fjala e Zotit: “Ajo që do të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell”? Atëherë Kishës, krejt kot i kenkan dhanë çelësat e Mbretnisë së Qiellit? Duke menduar në këtë mënyrë, ne e zhbëjmë Ungjillin e Krishtit duke e përdorë atë sipas qejfit dhe leverdisë tonë dhe e boshatisim prej kuptimit të vërtetë fjalën e Krishtit”.

3) PSE DUHET ME JA THANË MËKATET NJË NJERIUT SI PUNA E IME?

          Nëse mendon në këtë mënyrë, atëherë më duhet me të thanë, se AI NJERI – MESHTARI, nuk është një njeri sikurse edhe ti. Unë shpresoj që këtë gjë ta besosh dhe ta kuptosh. Prapë mund të them se në gjithçka është sikurse ti, por NË DIÇKA është krejtësisht i ndryshëm prej teje: Ai njeri është i shuguruari i Zotit, dhe për këtë arsye ka pushtetin për me ti falë mëkatet në sajë të urdhrit që vetë SHUGURUESI I TIJ i ka dhanë. Dhe ky është motivi se pse ti duhet me shku tek ai.

4) PËR MA TEPËR, PSE DUHET ME JA THËNË MËKATET NJË NJERIUT MEKATNORË SI PUNA E IME?

          Unë mendoj se problemi nuk është në “sasinë” e mëkateve, më pak, baras, apo më shumë se sa ti… Ti, nuk duhet të shkosh me u rrëfye sepse meshtari është apo duhet të jetë i shejtë dhe i papërlyer pa asnjë mëkat, por sepse ai mundet me të dhënë zgjidhjen për mëkatin tënd, një pushtet të cilin ai e ka në sajë të Sakramendit të Urdhnit të Shejtë që ai vetë ma përpara e ka marrë si dhuratë prej Zotit. Për një person që me të vërtetë beson në këtë Sakramend, unë mendoj se është një fat i madh që Dija hyjnore ka menduar që pushteti i faljes së mëkateve mos të varet prej cilësive shpirtnore të meshtarit, e cila mendoj se do të kishte kenë një gjë e tmerrshme, duke e pa se sipas mendimit tim nuk do të gjendej kurrë një person aq i denjë dhe aq i shejtë sa me mujtë me falë mëkatet e të tjerëve.

          Por unë mendoj edhe një gjë tjetër: fakti që meshtari është një njeri sikurse edhe ti, dhe si i tillë edhe ai ka mëkatet e tija, kjo gjë duhet që ta bëjnë më të lehtë rrëfimin, sepse, pikërisht se dhe ai e njeh fort mirë se çka don me thanë me kenë i dobtë, ai edhe mundet me të kuptue më mirë në dobësinë tënde.

5) MË VJEN TURP.1- arsye Indulgjenca

          Është e logjikshme një gjë e tillë, por nëse e mendon mirë gjithë mirësinë që mund të të vijë në jetën tënde pas këtij akti, atëherë duhet kërkuar hiri i Zotit që me e tejkaluar turpin që mund të kesh. Ekziston një e vërtetë në nivel universal: sa më shumë që të kushton me e thënë një gjë që ti e ndryn brenda vetes tënde, aq më e madhe është paqja që ti fiton mbasi ta kesh nxjerrë jashta vetes tënde atë që kishe për me e thënë dhe që e mbaje vetëm për vete. Turpi verifikohet më së shumti pikërisht në personat të cilët rrëfehen rrallë; duke u rrëfyer shumë shpesh do ta shikosh dhe verifikosh vetë se turpi largohet dhe ndjenja e turpit nuk do jetë ma problem i jetës tande.

          Por është edhe një gjë tjetër: mos e mendo kurrë se ti je aq origjinal, saqë, atë që ti do të thuash në rrëfim, meshtari mos ta ketë dëgjuar ndonjëherë tjetër nga të tjerë persona përpara teje… Me siguri, meshtari e ka nigjuar me qindra herë atë që ti do ti thuash, përpara se ti t’ja thuash. Në këtë çast të historisë, unë mendoj se është shumë e vështirë të shpikim mëkate të reja. mandej nuk duhet me harru edhe një shprehje të një shejti: Djalli ta hjek turpin për me mëkatnuar, dhe turpin që të ka hjekë për me bërë mëkatin ta shton edhe më shumë për mos me të lanë për me kërku falje. Kujdes! Mos lejo me ra në kurthin e tij.

6) RRËFEJ GJITHMONË TË NJËJTAT GJËRA.

          Nuk mendoj se ky është apo duhet të jetë një problem. E rëndësishme në rrëfim është që ti të shkosh dhe të rrëfesh mëkatet që ke bërë, dhe më duket krejt normale që mëkatet që ne bëjmë të jenë përherë të njëjtit pak a shumë. Do të ishte një gjë e tmerrshme sikur të ndërronim përditë llojin e mëkatit apo të defektit që kena apo që bëjmë; kur ti bën dush ose lanë rrobat, unë nuk besoj se rrin e pret që përditë të dalin në dukje njolla të reja të cilat ti nuk i ke pa kurrë më përpara; pisllëku është pak a shumë i të njëjtit model gjithmonë. Për me dashtë me kenë i pastër, mjafton që të lahesh e ta hjekësh pisllëkun që ti e sheh se është në trupin tënd apo në veshjet e tuaja… pavarësisht faktit se sa origjinal është ai pisllëk, apo ndoshta është ai i zakonshmi i të gjithë ditëve të ma përparshme.

7) PO UNË RRËFEJ GJITHMONË TË NJËJTAT MËKATE?

          Kur bahet fjalë për atë që ti e quan mëkat me të vërtetë, atëherë nuk është e vërtetë se mëkatet janë gjithmonë të njëjta. Shpresoj të jem i kjartë në këtë që po them, sepse duket sikur po trajtojmë të njëjtën gjë sikurse edhe më sipër. Unë mendoj se në kjoftë se unë e fyej nanën time dhjetë herë, nuk bahet fjalë për të njëjtën fyerje, kena të bëjmë gjithmonë me një situatë të re dhe rrethana të reja e të ndryshme; ashtu sikurse nuk është e njëjta gjë nëse ti vranë një person ose dhjetë persona: nëse kam vra dhjetë persona nuk është gjithsesi i njëjti mëkat, por janë dhjetë vrasje të ndryshme dhe si pasojë dhjetë mëkate të ndryshme. Mëkatet e ma përparshëm më janë falë; tash kam nevojë për faljen e “mëkateve të reja”, ose ma saktë, për faljen e atyre mëkateve që i kam bërë prej rrëfimit të fundit e deri në çastin që dal përsëri para meshtarit.

8) TË RRËFEHESH NUK SHËRBEN ASGJË, SEPSE UNË EDHE KUR JAM RRËFYER, PËRSËRI I KAM BËRË TË NJËJTAT MËKATE PAS RRËFIMIT.

          Shkurajimi, është teknika më e mirë e djallit për me na largu prej rrugës së Zotit dhe jo vetëm. Kjo gjë vlen për të gjitha fushat e jetës dhe për të gjitha nismat që i marrim dhe për realizimin  të cilave kërkohet shumë kurajo dhe guxim. Kur ti shkurajohesh mund të jesh i shtymë me mendue se: “Të rrëfehesh apo jo, është e njëjta gjë, nuk ndrron asgjë në jetën time, gjithçka mbetet e barabartë si më përpara”. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Mjafton të mendojmë një gjë të thjeshtë: Fakti që ne bëhemi pis ditë për ditë, nuk don me thanë se të lahesh është një gjë e kotë. Kush bën dush ditë për ditë, barabar ndyhet ditë për ditë dhe e ndjen nevojën vazhdimisht për me u la, por falë nderës faktit se lahet shpesh atëherë edhe nuk grumbullon shumë pisllëk në krytin, ftyrën e trupin e tij dhe kështu në këtë mënyrë mbetet gjithmonë i pastër e ndihet mirë me trupin e tij. E njëjta gjë ndodhë edhe me rrëfimin. Nëse ti gjendesh në një luftë, është normale që edhe rrëzohesh, dhe fakti që ti i heq mëkatet prej vetvetes me siguri që të bën mirë e të bën më të mirë. Është më mirë me lypë falje për një gjë që të peshon sesa mos me u interesue aspak për peshën që ti mban përmbi shpatullat e ndërgjegjes tënde. Kërkimi i faljes na bën më të mirë me vetveten tonë dhe me të afërmin tonë.

          Kur i pyes besimtarët ndonjëherë se sa herë është rrëzuar Jezusi në rrugën që ka bërë prej gjykatores me kryq në krah e deri në Golgotë në vendin e kryqëzimit, pjesa ma e madhe më japin përgjigje nga më të ndryshmet: një herë, dy herë, tri herë, katër herë, DISA HERË… dhe, kur i ri pyes me dyshimin nëse janë të sigurtë në përgjigjen e tyre, pothuajse të gjithë shprehin pa siguri. Por kur i pyes nëse ka vdekë në kryq dhe është ringjallë, përgjigja e të gjithëve është PO e sigurt pa asnjë lloj dyshimit. Pra e rëndësishme nuk është sa herë rrëzohesh, sa herë mëkatnon, por sa herë je i gatshëm me u ngritë dhe me e vazhdue rrugën tënde.

9) E DI SE DO TË MËKATNOJ PËRSËRI, QË DO TË THOTË SE NUK JAM I PENDUAR.

          Mvaret…. pasi kjo që ti mendon dhe shpreh nuk është e vërteta bazë e sakramendit të rrëfimit. Gjëja e vetme që Zoti të kërkon në rrëfimin tënd në këtë moment është që ti të jesh i penduar dhe i keqardhun për mëkatin që ke bërë deri në këtë moment e në të cilin ti po jeton, dhe që ti je i gatshëm që të luftosh mos me e ba ma. Askërkush nuk po të kërkon dhe nuk ka të drejtë me të kërkuar që ti të angazhohesh e të premtosh me betim për të ardhmen që as ti e as kërkush nuk e din por që është dhe mbetet në misterin e Zotit. Çka do të ndodhin mbas një muajit, kush e din? Unë nuk e di. Në rrëfim të kërkohet që me sinqeritet të jesh i vendosur, që në atë moment ta mohosh mëkatin dhe të kesh dëshirë me u larguar prej tij. Të ardhmen duhet ta lësh në dorën e Zotit dhe jo në kthetrat e imagjinatës tënde.

10) NUK I DI MIRË RREGULLAT E RRËFIMIT.

          Po, kush të ka thënë se për tu rrëfyer duhet me patjetër të dish rregullat, a thua se Zoti mund të mbërthehet në skemat njerëzore. Rregulli i vetëm është zemra e penduar dhe dëshira për me modeluar jetën sipas dëshirës së Zotit. Ti bëje hapin e dytë duke shkuar dhe duke e kërkuar meshtarin, se hapin e parë e ka bërë vetë Zoti për ty duke ndejtë tash dy mijë vjet e duke të pritë, e do ta shohësh se nuk ka nevojë për rregulla njerëzore Mëshira Hyjnore.

11) KAM FRIKË SEPSE RRËFYESTARI DO TË MENDOJNË KEQ PËR MUA!

          Meshtari nuk është aty për me të gjykuar, por për me të siguruar se Zoti të ka falë. Nëse edhe ai me veten e tij do të mendojnë keq për ty, ky është dhe mbetet problemi i tij dhe i besimit të tij të pakët për të cilin ai vetë duhet të shkojnë dhe të rrëfehet. Por unë të siguroj se meshtari gjithmonë është i prirur që të mendojnë të mirën: vlerëson fenë, në kuptimin e besimit tënd (e din se nëse ti je aty për të treguar mëkatet e tuaja, nuk je aty për atë, por sepse ti beson se ai përfaqëson Zotin për ty në atë vend), beson dhe vlerëson sinqeritetin tënd, beson dhe vlerëson dëshirën tënde për ty përmirësuar dhe për t’ja filluar historisë tënde me Zotin dhe me jetën prej fillimit…

          Mbasi ta bësh një eksperiencë të tillë me meshtarin, presupozoj se do ta kuptosh që të ulesh dhe të rrish për orë të tëra duke dëgjuar mëkatet e të tjerëve falas, nuk mund të bëhet nëse nuk ke një dashuri të theksuar për shpirtrat e njerëzve. Për këtë arsye, nëse meshtari ta kushton kohën ty, nëse është aty duke të dëgjuar me kujdes, e gjithë kjo është sepse ai don për me të ndihmue dhe se ti si shpirt e si njeri je shumë i rëndësishëm për të. Edhe nëse nuk të njeh aspak, ai të vlerëson dhe don për me të ndihmue që edhe ti të bashkohesh me Krishtin që këtu në tokë për ta bërë bashkë me të udhëtimin drejt qiellit.

12) PO SIKUR MESHTARI T’JA TREGOJNË NDOKUJT TJETËR MËKATET E MIA?1- Arsye papa rrefehen

          Vetëm për këtë gjë nuk duhet kurrën e kurrës të kesh ma të voglin marak. Kisha e ka pasë dhe e ka vetë marak këtë punë, saqë në të Drejtën Kanonike parashikon dënimin ma të madh që mund të ekzistojnë për një meshtar – Skomunikimin – mallkimin – përjashtimin prej Urdhnit Meshtarak – për atë meshtar i cili guxon apo gabon dhe e nxjerrë sekretin e rrëfimit, pra sekretin e asaj gjëje apo të atij mëkatit që kushdo besimtar ja beson në rrëfim. Po ti hedhësh një sy të shpejtë historisë së Kishës do të gjejsh meshtarë martirë që kanë vdekë në tortura dhe në asnjë mënyrë nuk kanë pranuar që ta tregojnë një sekret të tillë, edhe atëherë kur nuk bëhej fjalë ndoshta për mëkate aq të rënda. Pra, pa frikë, një gjë e tillë nuk mund të ndodhin kurrë, sepse çdo meshtar këtë gjë e din mirë dhe e ka parasysh vetë.

13) ÇFARË MËKATIT KAM BËRË?

          Shpesh herë ndeshemi me një përgjigje të tillë. Unë nuk kam mëkat. Edhe pse thuhet se: “herë me hiri, herë pa hiri, shtatë herë në ditë gabon ma i  miri’, prapë se prapë “unë nuk kam mëkat!!!”. Mesha dhe në mënyrë të veçantë frekuentimi i shpeshtë i rrëfimit të hapë sytë që jo vetëm ti shohësh por edhe ti njohësh disa sjellje të tuajat të cilat edhe pse ti nuk e din se janë mëkat, në të vërtetë mund të jenë mëkat shumë i rëndë.

          Shumë persona kur i pyet se pse nuk janë rrëfyer, e japin një përgjigje të tillë: Po çfarë mëkatit kam ba? Vra, skam vra! Pre, skam pre! Kurvnu, skam kurvnu! A thua se këtu është i gjithë mëkati i njeriut?! A thua se, duke bërë thashetheme për të afërmin tënd, ti tashmë nuk po e vret atë?! A thua se, duke e lakmuar tjetrin për të keq, ti tashmë nuk je në rrugën e kurvnimit shpirtnor e mandej edhe konkret material?! Thoshte Pader Gjergj Fishta: “Puna e keqe si po thue, nis curril e bahet prrue”. Pra, rrëfimi don me kenë për besimtarin mjeti i cili ndal currilin për mos e ba prrue, don me kenë ilaçi me të cilin shërohen plagët e vogla, para se me u ba varrë të mëdha.

          Mandej është edhe diçka tjetër fort e sigurt: nëse nuk e ven veten para pasqyrës plot dritë të rrëfimit dhe vazhdon me jetu me terrin e injorancës së botës, rrezikon mos me dalë në dritë, në dritën e cila të bën të mundur për me e pa me të vërtetë ashtu si është mëkatin tënd. Është sikur të jesh duke ecë natën nëpër terr në një rrugë me baltë e ti ke veshë një kostum të bardhë. Pavarësisht se je bërë me baltë, dhe kostumin e ke bërë pis, asnjë për personave që të rrijnë përreth dhe as ti vetë nuk ke me e vënë re një gjë të tillë. Kjo gjë ka me u pa vetëm atëherë kur të dalësh në dritë. E njëjta gjë është edhe me mëkatin. Derisa je në terr nuk ven re se diçka nuk shkon, por kur ti afrohesh dritës dalëngadalë e vëren se kush është e mira e kush është e keqja në jetën tënde morale.

14) JAM DEMBEL.

          Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk mendoj se është një pengesë e vërtetë, pasi është një pengesë e cila mendoj se mund të kapërcehet lehtësisht. Nuk besoj se ke ndejtë ndonjëherë një vit pa bërë dush, vetëm sepse je dembel… Trupin e lajmë çdo ditë, mendjes i bëjmë lavash çdo ditë me çdo lloj informacionit të pastër e të pa pastër, sytë i ushqejmë me ç’të na rastisin para tyre dhe nuk i mbyllim ndonjëherë prej dembelisë… ndërsa shpirtit i thojmë: jam dembel me u marrë me ty…

15) MË VJEN TURP PREJ MËKATEVE QË KAM BËRË.

          Meshtari me të cilin ti po rrëfehesh, shërben si garant i faljes dhe jo si gjykatës i çështjes tënde apo i mëkateve të tua. Ti në rrëfim je sepse shpreh pendim, dhe jo se pret gjykim. Gjykatësi i vetëm i mëkateve të tua, është Zoti, dhe si i tillë, na e ka lanë rrëfimin jo se vend i gjykimit, por si vendi i pajtimit me të. Prandaj, vetëm turpi nuk duhet të eksitojë përballë njeriut meshtar, ndërkohë që aty ti je përballë Atit Zot.

16) NUK KAM KOHË.

          Nuk besoj se me të vërtetë je i sigurt se në gjashtë muajt fundit e nuk ke gjetë vetëm pak kohë për me shku e me u rrëfye, ndoshta vetëm 10 minuta. Kisha dashtë që të bëjshe një krahasim me orët që ke ndejtë para televizionit, orët që ke ndejtë duke luajtu, orët e humbura në facebook?! Bane një provë e llogariti ata orë e mandej krahasoi me 10 minutat e rrëfimit, e shihe se sa në disproporcion të tmerrshëm e kë vu shpirtin përballë trupit dhe psikes tënde.

17) NUK GJEJ NJË MESHTAR!

          Meshtarët nuk janë një rracë në rrugën e zhdukjes së tyre ende fatmirësisht. Nëse ti i kërkon mund të gjesh sa të duash. Kur na intereson me e gjetë një prodhim të fundit të teknologjisë apo modës, nuk lajmë kanal internetit pa kërkuar, derisa mos të biem në kontakt me prodhimin ose firmën që e prodhon atë. Në rastin e meshtarëve “nuk ke ku me i gjetë” sepse nuk don e ndoshta nuk din se ku me i kërku. Shumë prej tyre i gjen edhe në internet, ndoshta jo në eBay apo Amazon, por nëse e vendos emrin e tyre në Google, mbase diçka edhe të del, por, pse me u lodhe me internetin, kërko e gjej një derë kishe të hapur, e me siguri aty ke me e gjetë dikë që të pret. Por… nëse nuk shkon, vështirë se kanë me të ardhë me të kërku. Maksimumi ka me të ardhë ndonjë dëshmitar i jehovait, por aty nuk ta kisha këshilluar me u rrëfye, sepse, pas rrëfimit në vend që me e marrë e me ta ruajt ata sekretin e rrëfimit, e merr ti vetë me vetë, sepse mbase “të mbetet thjesht koha me gjetë një litar”, e aty mbaron gjithçka.

18) ËSHTË TEPËR I MADH MËKATI APO GABIMIN QË KAM BËRË!

          Nuk ka asnjë mëkat që të mund ta tejkalojnë Mëshirën e Zotit.

Zoti i jonë në të cilin na e kemi shpresën, Jezu Krishti, ka vdekë për mëkatet tona, për të gjitha mëkatet tona pa dallim, dhe prej kryqit rrin e pret ndjenjën tonë të pendesës dhe të kthimin. Qysh në Besëlidhjen e Vjetër, përmes gojës së profetit Izaia, Ati shprehet duke thanë: Izaia 1,18 “‑ thotë Zoti: Edhe në kjoshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora”. Pra Zoti pret kthimin tonë, dhe duhet të besojmë se nuk ka gjë të pamujtun për Zotin. Në Besëlidhjen e Re, nji prej mëkateve më të rënda të bame prej vetë Apostujve, konsiderohet mohimi që shën Pjetri i bën Krishtit në gjykatore. Pavarësisht se me Krishtin kishte ndejtë tri vjet, me të kishte prediku dhe i kishte pa mrekullitë e Tija, shën Pjetri mohon se e ka takuar ndonjëherë. Vetë Zoti ja paralajmëron këtë mohim me këngën e gjelit. Por shën Pjetri shpreson në Mëshirën Hyjnore dhe nuk dëshpërohet si Juda. E takon Krishtin në ringjallje dhe sikurse për tri herë Pjetri e kishte mohuar, po tri herë Krishti e pyet Pjetrin nëse e don. Pra aq herë sa ne mëkatnojmë, po aq herë Zoti na e jep shansin për me e ndreqë mëkatin tonë. Sa herë që i bijmë mohit, aq herë na e jep mundësinë për me e pohue. Besimtari i mirë nuk është ai që edhe pse rrin në gjuj, rrin vetëm tue kja e tue i thanë Zotit: O Zot, shih çfarë mëkatit kam ba, por ai që i thotë me trimni mëkatit: ” o mëkat, shihe çfarë Zotit kam”.

19) NUK GJEJ NJË MESHTAR TË MIRË.

          Një prej justifikimeve të rëndomta është edhe ky i mos të gjeturit të një meshtarit të mirë e të shejtë, a thua se është meshtari ai që i fal mëkatet e nuk është Zoti autori i vetëm i faljes, ndërsa meshtari mbetet thjeshtë vegla ndërmjetëse që të jep garancinë e faljes.

20)  UNË E KAM NJË LIDHJE ME ZOTIN. PSE DUHET TË RRËFEHEM ME PRIFTIN, QË TË MË FALI AI NË VEND TË ZOTIT?

          1- arsye krishti ne rrefimKur mendohet në këtë mënyrë, atëherë nuk është arritë kuptimi i thelbit të rrëfimit. Në rrëfim, Zoti është gjithçka dhe prifti është garanti i faljes që vjen prej Zotit. Prifti të jep garancinë e zgjidhjes së mëkatit tënd: Mateu 16, 15-20; Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?” I përgjigji Simon Pjetri: “Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!” Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.; Garancinë e faljes së mëkatit tënd: Gjoni 20, 19-23; “Në mbrëmje po të asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judejve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shejt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”

          Pra prifti nuk merr vendin e Zotit, por është vegël ndërmjetëse sipas porosisë së Tij, që ti të sigurohesh shpirtërisht se mëkati i jot është i falur dhe se pajtimi i jot me Zotin e me të afërmin është i mundshëm apo edhe është arritë. Pra, rrëfimi, nuk është një sakramend i cili ka zanafillë në tokë nga vullneti njerëzor i drejtuesve të Kishës për ti mbajtë moralisht pastër njerëzit, por ka zanafillë Hyjnorë për ta pajtuar njeriun me vetveten në tokë dhe me Krijuesin në qiell.

Check Also

Kushtet Solemne në Shoqërinë e Jezusit

Kushtet Solemne në Shoqërinë e Jezusit Mesha e Korpit dhe Gjakut të Krishtit, për “Shoqërinë ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *