Zoja Rruzare

7 tetor

Nga Dom Marjan Lumçi

Zoja Rruzare
Zoja Rruzare

Përkujtimi i Rruzares menjëherë e përcjell kujtesën tonë në fjalët e para të lutjes Të Falemi, o Mri: “Të falem, o hirplote, Zoti asht me ty”, të cilat ne i përsërisim aq shumë kur e lusim Rruzaren Shejte. Është një mënyrë krejtësisht e veçantë për tu vendosë në praninë e Zojës së Bekueme në të njëjtën kohë edhe në praninë e Zotit, sepse “Zoti asht me të”. Pra duke ndejtë me Zojën, ne rijetojmë së bashku me të gjithë misteret e jetës së Jezusit që do të thotë se rijetojmë të gjithë misteret e Shëlbimit tonë.

Tregimi i Lajmërimit të Zotit në pamje të parë na paraqet vetëm një mister, por në të vërtetë po ta vërejmë me kujdes aty do ti gjejmë të gjithë misteret e Rruzares: Lajmërimi, por edhe Vizita e Zojës, sepse aty përmendet Elizabeta si dhe Lindja e Krishtit: “Do të lindësh një djalë, do ta sjellësh në dritë dhe do ta quash Jezus”. Edhe misteret e Lumnisë aty janë të shpallura: “Do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i të Tejetnaltit; Zoti do ti japë fronin e Davidit atit të tij… dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim”. Pikërisht në ringjallje dhe në ngjitjen në qiell Jezusi do të marrë dinjitetin e mbretit mesianik, lumninë e amshueme në mbretërinë e Atit. Pra, këto janë misteret e gëzimit dhe të lumnisë.

Duket sikur mungojnë misteret e mundimit, por edhe ato i gjejmë edhe pse jo të përshkruar në mënyrë të drejtë për drejtë, por në parim gjenden aty brenda. Nëse kalojmë tek përgjigja që Maria i jep Engjëllit: përgjigja e saj nuk është thirrje triumfit por një fjalë përvujtniet: “Qe, jam shërbëtorja e Tenzot”. Kjo shprehje e ven në sintoni të plotë me Shërbëtorin e përvujtë të Zotit të cilin tashmë e kishte shpallur Izaia, Shërbëtori i cili do të lumnohet, por përpara do të përvujtnohet, dënohet, vritet, “duke e shporuar për mëkatet tona”.

Maria e din, në sajë të frymëzimit të Shpirtit Shejtë, se misteret e lumnisë nuk mund të ndodhin pa kalue nëpërmjet dëgjesës plot besim dhe vuajtje ndaj planit hyjnor. Misteret e Rruzares duhen pa si një gjë e vetme, dhe është shumë e rëndësishme të dijmë se në çdo mister të gëzimit në rrënjë të tij janë edhe të gjithë misteret e lumnisë dhe të mundimit, si rruga e vetme dhe ma e mira për të mbrrijtë në lumninë e Atit. Për këtë arsye duhet ti kërkojmë gjithmonë Zojës që të na ndihmojnë me e kuptue sa ma mirë bashkimin tonë me misterin e Krishtit që neve të na gjendet në ndihmë të gjitha fushat e jetës tonë.

Një tekst i vjetër thoshte: “Lute Rruzaren tënde thotë Hyji dhe mos u ndal për tua vënë veshin të pamendëve të cilët thonë se është një devocion të cilit i ka kaluar koha tashmë dhe është drejt vdekjes. Unë e di se çfarë është mëshira, askush nuk mund të thotë se unë nuk e kujtoj atë, për këtë arsye po ta them se Rruzarja më pëlqen shumë kur lutet me devocion. Lutjet në brendësi të sajë, Ati Ynë, Të Falemi Mri dhe misteret e Birit tim, jam Unë që jua kam dhënë. Po të them se kjo lutje është një rrezatim i ungjillit, dhe askush nuk do ta ndryshojë atë kurrë. Rruzarja më pëlqen thotë Hyji sepse është e thjeshtë dhe e përvujtë, ashtu sikurse ishin Biri im dhe Nëna e tij…”.

Ta rinovojmë pra nëse është nevoja devocionin dhe respektin tonë për Rruzaren, dhe mendoj se është më mirë që të themi vetëm dy dhjetëshe të saj pa u ngutë, sesa ta lusim krejt atë por me nxitim. Ta lusim pra me qetësi duke qenë të sigurt se sa herë që e lusim jemi në praninë ngushëlluese dhe mbrojtëse të Jezusit dhe Nënës së tij, Zojës së Bekueme.

Si lindi festa Zoja Rruzare?

Etimologjia: Maria = E dashur prej Hyjit – në gjuhen egjiptiane; Zonjë – në gjuhën hebraike. Rruzarja ka lindë prej dashurisë së të krishterëve për Marinë që në epokën e mesjetës, ndoshta mund të themi që prej kohës së kryqëzatave në Tokën Shejte. Objekti i cili shërben për të bërë këtë lutje, pra Kurora e Rruzares është e një origjine shumë të hershme. Anakoretët lindorë përdornin disa gurë të vegjël për të llogaritur sasinë e lutjeve zanore që ato bënin. Nëpër kuvende, në mesjetë, vëllezërit laikë për hir të mangësisë së tyre në njohjen e latinishtes, nuk ishin të detyruar që të lusnin lutjen zyrtare të breviarit, atëherë luteshin me “Ati ynë” dhe për numërimin e tyre shën Beda kishte sugjeruar ndërtimin e një kurore me disa kokrra të rreshtuara në një fije peri.

Më pas tregohet një legjendë në të cilën thuhet se vetë Zoja duke ju shfaqur në një vegim shën Domenikut, i kërkon atij që të gjithë të lusin rruzaren si një armë shumë e efektshme për të luftuar herezinë albigjeze. Në këtë mënyrë lindi edhe devocioni ndaj Kunorës së Rruzares, e cila ka në vetvete domethënien e një kunore me drandofille e cila i dhurohet Zojës. Përhapësit e këtij devocioni kanë qenë domenikanët. Ishte në të vërtetë një papë domenikan, shën Piu V, ai i cili i pari e rekomandoi dhe i nxiti njerëzit që ta lusnin Rruzaren, lutje e cila më pas në pak kohë në mbarë kishën u shndërrua në lutjen më popullore, duke u cilësuar edhe si “breviari i popullit”, i cili duhej të lutej çdo mbrëmje në familje, pasi në vetvete i ka të gjithë elementët e një liturgjie shpirtërore familjare.

Të gjitha ato “Të Falemi Mri” të lutura në familje frymëzohen nga një shpirt i vërtetë lutjet: “E ndërsa përhapet nëpër shtëpi ritmi në dukje të parë monoton por i ëmbël i ‘Të Falemi Mri’, babai ose nëna e familjes mundet edhe ti mendojnë të gjitha shqetësimet e familjes, mund të mendojnë për fëmijën që e presin me ardhë në këtë botë, apo për problemet që tashmë i kanë me fëmijët më të mëdhenj. Kjo tërësi e aspekteve të jetës familjare ndriçohet nga misteri shëlbues i Krishtit, dhe të vjen krejt spontane që të besohesh në duart e nënës që i kërkoi Birit mrekullinë në dasmën e Kanës”(Schillebeeckx).

Kremtimi i Festës së Zojës Rruzare, u inaugurua prej papës shën Piu V për të përkujtuar fitoren që flota detare e krishterë në vitin 1571 mori përballë flotës turke në mbrojtje të krishterimit në Europë. Në fillim u quajt festa e shën Marisë së Fitores, dhe data 7 tetor e atij viti ishte e diel dhe deri në vitin 1716 kjo festë u përhap në të gjithë botën, derisa në vitin 1913, 7 tetori u caktua prej papës Piu X si festa e Rruzares së Shejtë.

Festa e “Rruzares Shejte”, sikurse dhe quhej përpara reformës së kalendarit e bërë në vitin 1960, plotëson në një farë mënyre të gjitha festat e Zojës dhe së bashku me misteret e Jezusit, plotëson kuadrin shëlbues duke na dhuruar soditjen medituese të pesëmbëdhjetë momenteve të jetës së Marisë dhe të Jezusit.

Check Also

Imzot Rrok Mirdita

Urime Shkëlqesi!

Në 75 vjetorin e Shkëlqesisë së Tij Imzot Rrok Mirdita. Predikimi i Shkëlqesisë së Tij ...