Atyre që kërkojnë devocione dhe zbulime: “Merrni Ungjillin!”

 Në Meshën e Shën Martës, Papa kujton se Jezusi është qendra e gjithçkaje dhe i qorton ata “të krishterë me sjellje”, që e bazojnë fenë e tyre mbi njëmijë urdhërime.

Nga Salvatore Cernuzio

Papa me UngjillQYTETI I VATIKANIT – Qendra e të krishterit është Jezu Krishti, dhe asgjë tjetër. Këtë i krishteri nuk duhet ta harrojë kurrë, sepse në jetë nuk mund të jesh “i krishterë me sjellje” që “kërkojnë vetëm devocione, pa Jezusin”, por të krishterë që të jenë në gjendje ta ndjekin, ta adhurojnë dhe ta japin jetën e tyre për Të. Papa Françesku e ka hapur ditën e sotme, e kushtuar tërësisht paqes dhe agjërimit, me një ftesë për t’u kthyer tek origjina, tek rrënjët e fesë së krishterë: takimi me Jezusin.

Në Meshë, Ati Shenjtë ka kujtuar rëndësinë për ta vënë Krishtin në qendër të jetës. Një fjalë, pikërisht kjo, që “nuk kuptohet lehtësisht” ka thënë ai. Jezusi, ka nënvizuar Papa, “nuk është një zotëri i tillë apo i atillë” por “Zoti, i vetmi Zot” që “na rilind”.

Edhe farizejt e Ungjillit të sotëm nuk e kishin kuptuar këtë koncept: vinin “në qendër të fesë së tyre shumë urdhërime”. Një sëmundje që vazhdohet akoma edhe sot, sipas Papës: “Nëse nuk është Jezusi në qendër, do të jenë gjëra të tjera”, ka thënë ai. Dhe ja ku dalin “shumë të krishterë pa Krishtin, pa Jezusin”. “Krishterë me sjellje” i ka përcaktuar Papa, ose të gjithë ata që e bazojnë fenë e tyre mbi “Ah, duhet të bëj këtë, duhet të bëj atë …”. “Por përse e bën këtë?” – Jo: duhet bërë!. Por përse? – “Ah, nuk e di, por duhet bërë”. Po Jezusi, ku është? Një urdhërim është i vlefshëm nëse vjen nga Jezusi: unë e bëj këtë sepse Zoti dëshiron që unë ta bëj këtë. Por meqenëse jam një i krishterë pa Krishtin, e bëj këtë dhe nuk e di pse duhet ta bëj”, ka thënë Papa Françesku.

Ka edhe një kategori tjetër të “këtyre të krishterëve pa Krishtin”: ata “që kërkojnë vetëm devocione”, “por Jezusi nuk është aty”. “Nëse devocionet e tua të çojnë tek Jezusi – ka shpjeguar Papa – ajo është gjë e mirë. Por nëse ti mbetesh aty, ka diçka që nuk shkon”. Këtyre u shtohet edhe grupi i atyre që “kërkojnë gjëra pak të rralla, pak të veçanta, që shkojnë pas zbulimeve private”, që duan të shkojnë “në spektaklin e zbulimit, të dëgjojnë gjëra të reja”. Këtyre Papa u tha: “Merrni Ungjillin!”.
“Cili është rregulli për të qenë i krishterë me Krishtin, që të mos bëhesh i krishterë pa Krishtin? Dhe cila është shenja që një person është një i krishterë me Krishtin?” pyeti Papa. “Rregulli është i thjeshtë – është përgjigjur – është e vlefshme vetëm ajo që të çon tek Jezusi, dhe vetëm ajo që vjen nga Jezusi … Kjo të çon tek Jezusi? Ec përpara. Ky urdhërim, kjo sjellje vjen nga Jezusi? Ec përpara. Por nëse nuk të çon tek Jezusi dhe nëse nuk vjen nga Jezusi, por … nuk i dihet, është pak e rrezikshme”.

Shenja është të jesh “i aftë të adhurosh” Zotin, të dish të vihesh “në lutje adhurimi para Jezusit”. Kështu që “nëse ti nuk arrin të adhurosh Jezusin” ka vazhduar Bergoglio, “të mungon diçka”. Lutja përfundimtare e papa Françeskut është që “Zoti na bën të kuptojmë se vetëm Ai është Zoti, është i vetmi Zot. Dhe që na jep hirin për Ta dashur, për Ta ndjekur, për të shkuar në rrugën që Ai na ka mësuar”.

Check Also

Adhurimi Eukaristik-III e Diele Gjatë Vitit -B- Ejani pas meje e do t’ju baj peshkatarë njerëzish!

III e dele e Gjate Vitit -B- Ejani pas meje dhe do t’ju baj peshkatare ...