Dy fjali për të kuptuar rëndësinë e familjes

Përse ekziston dhe cilat janë karakteristikat kryesore?

Nga Corrado Gnerre

Për të kuptuar rëndësinë e martesës nuk është e rëndësishme të humbasim shumë kohë. Mjafton t’i drejtohemi dy pyetjeve kryesore: “përse ekziston familja?” dhe “cilat janë karakteristikat kryesore të familjes?”.

Rendesia e familjesPËRSE EKZISTON FAMILJA?

Familja nuk është një shpikje që i detyrohet konjukturave historike, por është një realitet natyral që lind me njeriun dhe gjen pikërisht nga natyra njerëzore arsyen e vërtetë të ekzistencës. Arsyeja është e thjeshtë për t’u gjetur: njeriu është i limituar dhe ka nevojë të plotësohet me të tjerët. Asnjë – përveçse të çmendurit dhe budallenjtë – mund të ndjehet i vetë-mjaftueshëm. Pikërisht pse njeriu është i karakterizuar nga ndërvarësia, mund të thuhet se familja është “vendi” njerëzor i ndërvarësisë. Por Krishti e ka ngritur martesën në sakrament. I vetmi nga shtatë sakramentet, në të cilin protagonist nuk është meshtari, por vetë bashkëshortët. Kjo ndodh pikërisht sepse martesa para se t’ i referohet të mbinatyrshmes, i referohet të natyrshmes. Martesa ka ekzistuar edhe para Besëlidhjes së Re.

Karakteristikat e familjes

Karakteristikat kryesore të familjes janë të ndryshme. Do të marrim në konsideratë dy prej tyre: pazgjidhshmëria dhe hapjen drejt jetës. Edhe pazgjidhshmëria është një e dhënë e natyrës për njeriun që të kompletohet në tjetrin. Në kontekstin e martesës, duke respektuar raportin hierarkik mes burrit dhe gruas (Shën Pali është shumë i qartë për këtë në letrën drejtuar Efesianëve), monogamia (e refuzuar jo rastësisht nga një besim si islami) konsiston në të kompletuarin reciprok mes burrit dhe gruas. Pazgjidhshmëria ka arsye në rrafshin antropologjik dhe atë social. Social sepse komuniteti njerëzor nuk është thjesht një “bashkim” mes individëve, por është bashkim i disa familjeve, për të cilat të pranosh zgjidhshmërinë e familjes do të thoshte të pranosh zgjidhshmërinë e shoqërisë. Por është edhe një motiv tjetër i fshehur qëllimisht: fëmija vuan shumë më shumë nëse prindërit divorcohen sesa në rastet kur njëri nga të dy vdes para kohe. Prej faktit të të mbeturit jetim nuk rrjedhin kurrë fenomene të mospërshtatjes në shoqëri; gjë e cila është shumë e ndjeshme në rastin e prishjes së familjes, fakt i cili verifikohet shumë lehtë ne SHBA, aty ku fenomeni tragjikisht ka përparuar shumë. Në rastin e ndarjeve, një fëmijë në mënyrë të pavetëdijshme vë në diskutim veten e tij, duke u konsideruar fryt i një dashurie që do kishte qenë më mirë të mos kishte ekzistuar kurrë. Karakteristika tjetër është ajo e hapjes drejt jetës. Prindërit nuk janë krijuesit, por ata që na nxorën në dritë, që do të thotë se ata marrin pjesë në një veprim krijues që është vetëm i Zotit. Ardhja në jetë nuk është një akt as i nënkuptuar, as i nënvlerësuar, as automatik siç e tregojnë çiftet që se kanë të mundur të kenë fëmijë. Mbi këtë të vërtetë mbështetet dënimi i çdo lloj kontracepsioni: Hyji është Zot i jetës, gjithmonë. Çiftet munden vetëm të propozojnë, ndërsa të heqin të drejtën e jetës i takon vetëm Zotit.

DY SHTYLLAT E FORTA

Martesa, themeli i familjes, duhet të mbështetet mbi dy shtylla të forta: e para është ajo e njohjes të së vërtetës, e dyta ajo e dëshmisë të së vërtetë. Mirënjohja e së vërtetës përkthehet në përqendrimin e lutjes. Vetëm duke vendosur Zotin në qendër, shpëtohen raportet ndërpersonale, sepse vetëm kështu njeriu mund të përjetojë një eksperiencë të vërtetë mëshire. Jeta me Zotin imponon njohjen e paaftësive tona dhe kështu edhe thirrjen e mëshirës së Tij: asnjë s’mund të quhet si kreditor para Zotit.Është e qartë se duke thirrur mëshirën, kjo nuk do t’i mohohet të tjerëve. Nëse i kërkohet Zotit të jemi të duruar me veten tonë, nuk mund të mos jemi më të tjerët: na i fal ne mëkatet tona, si i falim ne fajtorët tanë. Shembja e familjes ka filluar me eliminimin e lutjes së përbashkët: vetëm duke u lutur sëbashku, mund të rrimë sëbashku.

Shtylla tjetër është ajo e dëshmisë të së vërtetës. Edukimi i vërtetë nuk është i bërë vetëm nga fjalë (sigurisht që duhen edhe ato) por nga një dëshmi koherente. Është e kotë që të tallemi me veten: kriza e autoritetit prindëror që karakterizon kohët tona, i detyrohet mbi të gjitha faktit se prindërit nuk e njohin në mënyrë të dukshme autoritetin e Zotit, duke ia paraqitur ligjin e Tij martesës dhe familjes. Teologu i njohur zvicerian Von Balthasar zbuloi një histori të vetë jetës së tij: një gazetar e pyet se kur kishte përjetuar për herë të parë Krishtin. Gazetari mendon një përgjigje të tipit: në shkollë, në orator, në kopshtin e fëmijëve tek motrat… Por Von Balthasar thotë se ka përjetuar eksperiencën e parë me Krishtin në familje dhe mbi të gjitha nëpërmjet një episodi të vogël por domethënës. Ai kishte një baba që rrallë e ulte kokën para dikujt tjetër. Një ditë duke ecur nëpër korridor, pa derën e studios së të atit paksa të hapur, hodhi një vështrim dhe pa të atin të gjunjëzuar para një njeriu të lartësuar mbi një kryq… “Që nga ai moment – rrëfen teologu – fillova të pyes veten, kush ishte ai njeri në të vërtetë, që arriti të bënte tim atë të gjunjëzohej ”

Check Also

Adhurimi Eukaristik – Një orë me Zotin tonë – IV e Diele Gjatë Vitit -B-

IV e Diele Gjate Viit -B- Hesht dhe del prej tij (1) Adhurimi Eukaristik Një ...