Mesazhi i Papës Françesku për Krezhme 2015 – Jo indiferencës së përbotëshme!

Papa Francesku Krerzhme 2015Mesazhi i Papës Françesku për Krezhme 2015

Të dashur vëllezër e motra,

 Kreshmët janë një kohë ripërtëritje për Kishën, për bashkësitë e për çdo besimtar. Por mbi të gjitha ama është një “kohë hiri” (2 Kor 6,2). Hyji nuk na kërkon asgjë të cilën nuk na e ka dhënë më parë: “Ne duam, sepse ai na ka dashur i pari” (1 Gjn 4,19). Ai nuk është indiferent ndaj nesh. Secilin prej nesh e ka për zemër, na njeh emër për emër, kujdeset për ne e na kërkon kur ne largohemi prej tij. Secili prej nesh i intereson; dashuria e tij e pengon atë të jetë indiferent ndaj asaj çka na ndodh neve. Por ndodh që kur ne jemi mirë dhe ndjehemi rehat, sigurisht që harrojmë të tjerët (një gjë që Hyji Atë nuk e bën kurrë), nuk na interesojnë problemet e tyre, vuajtjet dhe padrejtësitë që pësojnë … atëherë zemra jonë bie në indiferencë: ndërkohë që unë jam pak a shumë mirë dhe rehat, harroj ata që nuk janë mirë. Kjo sjellje egoiste, indiferente, sot ka marrë një përmasë botërore, në atë pikë saqë mund të flasim për një indiferencë të përbotëshme. Kemi të bëjmë me një problem me të cilin ne si të krishterë duhet të përballemi. Kur populli i Hyjit kthehet në dashurinë e tij, gjen edhe përgjigjet për ato pyetje që vazhdimisht historia i vendos përballë.

Një nga sfidat më urgjente mbi të cilën dua të ndalem në këtë mesazh është ajo e globalizimit të indiferencës. Indiferenca ndaj të afërmit dhe ndaj Hyjit është një tundim real për ne të krishterët. Kemi nevojë për këtë arsye që për çdo kreshme të dëgjojmë klithjen e profetëve të cilët ngrenë zërin e na zgjojnë. Hyji nuk është indiferent ndaj botës, por e do aq shumë saqë ka dhënë të Birin për shëlbimin e çdo njeriu. Në mëshirimin, në jetën tokësore, në vdekjen dhe ngjalljen e Birit të Hyjit, hapet përfundimisht dera ndërmjet Hyjit dhe njeriut, ndërmjet qiellit dhe tokës. Dhe Kisha është si një dorë që e mban të hapur derën nëpërmjet shpalljes së Fjalës, kremtimin e sakramenteve, dëshminë e fesë që bëhet e frytshme në dashuri (krh. Gal 5,6). Megjithatë bota priret të mbyllet në vetvete dhe të mbyllë atë derë nëpërmjet të cilës Hyji hyn në botë dhe bota në Të. Kështu dora, që është Kisha, nuk duhet kurrë të befasohet nëse i japin shtysmën, nëse shtypet apo plagoset. Populli i Hyjit për këtë arsye ka nevojë të përtërihet, që të mos bëhet indiferent e të mos mbyllet në vetvete. Do të doja t’ju propozoja tre vargje për të medituar për këtë përtëritje.

1. “Nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët vuajnë” (1 Kor 12,26) – Kisha.

Dashuria e Hyjit që thyen këtë mbyllje vdekjeprurëse në vetvete dhe që e ka emrin indiferencë, na jepet prej Kishës me anë të mësimit të saj e sidomos me anë të dëshmisë së saj. Por mund të dëshmohet vetëm diçka që më parë kemi sprovuar. I krishteri është ai i cili e lejon Hyjin ta veshë me mirësinë dhe mëshirën e tij, ta veshë me Krishtin, që të bëhet si Ai, shërbëtor i Hyjit dhe i njerëzve. Na e kujton mjaft mirë këtë gjë Liturgjia e të Enjtes së Madhe me anë të ritit të larjes së këmbëve. Pjetri nuk donte që Jezusi t’i lante këmbët, por më pas e kuptoi se Jezusi nuk dëshiron vetëm të jetë një shembull se si duhet t’ia lajmë këmbët njëri-tjetrit. Këtë shërbim mund ta bëjë vetëm kush më parë ka lejuar Krishtin t’ia lajë këmbët. Vetëm ky ka “pjesë” me të (Gjn 13,8) e rrjedhimisht mund t’i shërbejë njeriut. Kreshmet janë një kohë e volitshme që ta lejojmë Krishtin të na shërbejë e kështu të bëhemi si ai. Kjo ndodh kur dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe kur marrim sakramentet, veçanërisht Eukaristinë. Në të bëhemi çka marrim: Trupi i Krishtit. Në këtë trup ajo indiferencë që duket shpesh se merr pushtet mbi zemrat tona, nuk gjen vend. Pasi kush është i Krishtit i përket një trupi të vetëm dhe në Të ne nuk jemi indiferentë ndaj njëri-tjetrit. “Pra nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët vuajnë bashkë me të; e nëse një gjymtyrë nderohet, të gjitha gjymtyrët nderohen me të” (1 Kor 12,26). Kisha është bashkësi shenjtërish, pasi marrin pjesë shenjtërit, por edhe sepse është një bashkësi gjërash të shenjta: dashuria e Hyjit që na është zbuluar në Krishtin e të gjitha dhurata e tij. Ndër ta është edhe përgjigja e atyre tek të cilët mbërrin një dashuri e tillë. Në këtë bashkësi shenjtërish dhe në këtë pjesëmarrje në gjërat e shenjta askush nuk zotëron vetëm për veten e tij, por ajo çka ka është për të gjithë. E pasi jemi të lidhur në Hyjin, mund të bëjmë diçka edhe për ata që janë larg, për ata që me anë të vetëm fuqive tona nuk mundemi kurrë t’i mbërrijmë, sepse me ta e për ta lusim Hyjin që të gjithë t’i hapemi veprës së tij të shëlbimit.

2. “Ku është vëllai yt?” (Zan 4,9). – Famullitë dhe bashkësitë.

Sa thamë për kishën Universale është e nevojshme ta përkthejmë në jetën e famullive dhe të bashkësive. A ia dalim në realitete të tilla kishtare të përjetojmë pjesëmarrjen në një trup të vetë? Një trup që së bashku merr dhe ndan me të tjerët aq sa Hyu ka dashur të japë? Një trup që i njeh dhe kujdeset për gjymtyrët e veta më të dobëta, më të varfra e më të vogla? Apo strehohemi në një dashuri të përgjithshme që angazhohet larg në botë, por harron Lazrin e ulur përpara derës së mbyllur? (krh. Lk 16,19-31).

Për të marrë e për të bërë të frytshme plotë- sisht atë çka marrim prej Hyjit duhet të tejkalohen kufijtë e Kishës së dukshme në dy drejtime. Në vend të parë, duke u bashkuar me Kishën e qiellit në lutje. Kur Kisha tokësore lutet, krijohet një bashkim i ndërsjellët shërbimi dhe mirësie që mbërrin deri para fytyrës së Hyjit. Së bashku me shenjtërit që kanë gjetur plotësinë e tyre në Hyjin, formojmë një pjesë të asaj bashkësie në të cilën indiferenca mundet prej dashurisë. Kisha e qiellit nuk është triumfuese pse i ka kthyer shpinën vuajtjeve të botës dhe gëzon e vetme. Por shenjtërit mund të sodisin e t’i gëzohen faktit që me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit kanë mundur përfundimisht indiferencën, ngurtësimin e zemrës dhe urrejtjen. Derisa kjo fitore e dashurisë të mos depërtojë gjithë botën, shenjtërit ecin së bashku me ne si shtegtarë. Shën Tereza e Lizjës, doktore e Kishës, shkruante e bindur se gëzimi në qiell për fitoren e dashurisë së kryqëzuar nuk do të jetë i plotë derisa edhe një njeri i vetëm mbi tokë do të vuajë e do të gjëmojë: “Kam shpresë shumë se nuk do të jem pasive në qiell, dëshira ime është të punoj ende për Kishën e për shpirtrat” (Letra 254 e 15 korrikut 1879).

Edhe ne marrim pjesë në meritat dhe gëzimet e shenjtërve edhe ata marrin pjesë në luftën dhe dëshirën tonë për paqe dhe pajtim. Gëzimi i tyre për fitoren e Krishtit të ngjallur është për ne një motiv force për të tejkaluar shumë prej formave të indiferencës dhe të ngurtësisë së zemrës. Nga ana tjetër çdo bashkësi e krishterë është thirrur të kalojë pragun që e vendos në marrëdhënie me shoqërinë që e rrethon, me të varfëritë e të largëtit. Kisha për vetë natyrën e saj është misionare, jo e palosur mbi veten e saj, por është e dërguar tek të gjithë njerëzit. Ky mision është dëshmia plot durim e Atij që dëshiron të çojë te Ati të gjithë realitetin dhe çdo njeri. Misioni është ajo çka dashuria nuk mund ta heshtë.

Kisha i shkon pas Jezusit në rrugën që e çon drejt çdo njeriu, deri në skajet e tokës (krh. Vap 1,8). Kështu pra mund të shohim tek i afërmi ynë vëllanë dhe motrën për të cilët Krishti ka vdekur dhe është ringjallur. Atë çka kemi marrë e kemi marrë edhe për ata. E po ashtu, ajo çka këta vëllezër zotërojnë është një dhuratë për Kishën e për krejt njerëzimin. Të dashur vëllezër e motra, sa do të doja që vendet ku shfaqet Kisha, famullitë tona dhe bashkësitë tona në mënyrë të veçantë, të bëhen ishuj dashurie në mes të detit të indiferencës!

3. “Forconi zemrat tuaja” (Jak 5,8) – Besimtari.

Edhe si besimtarë të veçantë kemi tundimin e indiferencës. Jemi të tejmbushur me lajme e shëmbëllime tronditëse që na rrëfejnë vuajtjen njerëzore dhe ndjejmë në të njëjtën kohë gjithë paaftësinë tonë për të bërë diçka. Ç’të bëjmë atëherë për të mos u përthithur prej kësaj vorbulle frike dhe pafuqie? Në rradhë të parë mund të lutemi në bashkim me Kishën tokësore dhe qiellore. Të mos lëmë mënjanë forcën e lutjes të shumë njerëzve bashkë. Nisma 24 orë për Hyjin që uroj të kremtohet në të gjithë Kishën, edhe në nivel dioqezan në datat 13 dhe 14 mars, dëshiron të shprehë këtë nevojën tonë për t’u lutur. Në rradhë të dytë, të mund të ndihmojmë me vepra dashurie, duke mbërritur qoftë ata që janë afër e qoftë ata që janë larg, falë edhe shumë organizmave të bamirësisë të Kishës. Kreshmja është një kohë e volitshme për të dëftuar këtë interes ndaj tjetrit me anë të ndonjë shenje, edhe të vogël, por konkrete, të pjesëmarrjes tonë në njerëzinë e përbashkët. E në vend të tretë, vuajtja e tjetrit përbën një thirrje për kthim, sepse nevoja e vëllait më sjell ndërmend brishtësinë e jetës time, vartësinë time nga Hyji dhe nga vëllezërit. Nëse përvujtërisht kërkojmë hirin e Hyjit dhe pranojmë kufijtë e mundësive tona, atëherë do të kemi besim në mundësitë e pafund që ruan për ne dashuria e Hyjit. E atëherë mund t’i bëjmë ballë tundimit djallëzor që na bën të besojmë se mund të shëlbohemi e mund ta shpëtojmë botën të vetëm. Për të tejkaluar indiferencën dhe mëtimin tonë të gjithpushtetësisë, do t’ju kërkoja të gjithëve të jetojmë këtë kohë kreshmeje si një rrugëtim formimi të zemrës, sikurse pat thënë edhe Benedikti XVI (Letra encicklike, Deus caritas est, 31). Të kesh një zemër plot dhembshuri nuk do të thotë të kesh një zemër të dobët. Kush dëshiron të jetë i dhembshëm ka nevojë për një zemër të fortë, të ngultë, të mbyllur për tunduesin, por të hapur për Hyjin. Një zemër që e lejon Shpirtin të depërtojë brenda saj dhe ta mbartë në rrugët e dashurisë që çojnë drejt vëllezërve dhe motrave. Në fund të fundit një zemër e varfër që pranon të metat e saj dhe jepet për tjetrin. Prandaj të dashur vëllezër e motra dëshiroj t’i lutem Krishtit me ju në këtë Kreshme: “Fac cor nostrum secundum cor tuum” “Bëj që zemra ime t’i përngjajë zemrës sate” (Lutja e Litanisë së Zemrës së Krishtit). Atëherë do të kemi një zemër të fortë dhe të dhembshme, të zgjuar dhe bujare, që nuk lejon të mbyllet në vetvete dhe nuk bie në marramendjen e një indiference të përbotshme. Me këtë urim, ju siguroj lutjen time në mënyrë që çdo besimtar dhe çdo bashkësi kishtare të përshkojë frytshëm rrugëtimin kreshmor dhe ju kërkoj të luteni për mua. Zoti ju bekoftë e Zoja e bekuar ju mbrojtë.

Nga Vatikani, më 4 tetor 2014.

Festa e Shën Françeskut të Assizit.

Check Also

Adhurimi Eukaristik-III e Diele Gjatë Vitit -B- Ejani pas meje e do t’ju baj peshkatarë njerëzish!

III e dele e Gjate Vitit -B- Ejani pas meje dhe do t’ju baj peshkatare ...