KLERI KATOLIK DHE PAVARËSIA E SHQIPËRISË – Imzot Nikoll Kaçorri

Nga Dom Marjan Lumçi

Dom Nikoll Kaçorri VloraTashma asht një fakt që dihet e pranohet nga të gjithë se, historikisht, kleri katolik shqiptar ka qenë i shpërndamë deri ndër skutat ma të thella e ma të rrezikshme të atdheut, kudo ku pati shqiptarë e të krishtenë. Merita e tij, që tashma e dinë të gjithë, qe se punoi për shqiptarët dhe në Shqipni, dhe gjithmonë, jo vetëm për detyrën e vet të ngushtë, besimin fetar, por edhe për një tjetër detyrë po aq të randësishme, atë të ruajtjes dhe mprojtjes se interesave dhe fateve të Atdheut.” “ Kam lindur shqiptar -thoshte gjithnjë patër Gjergj Fishta dhe të nesërmen nana më çoi e më pagëzoi si të krishtenë…”. “ Jam klerik, deklaronte Pader Anton Harapi, por kam tagër dhe detyrë të punoj e të luftoj për interesat e vendit tem”. “ Fe e Atdhe “ pra, qe kurdoherë diviza e tij. Pa u largue asnjëherë nga rreziku e pa iu shmangw vështirësive të çdollojshme, politike, ekonomike, kërcënimeve apo kushteve të randa të jetës, por mbi të gjitha sidomos persekutimeve të shumta që nuk iu ndanë thuajse gjithnjë, ai punoi kurdoherë, me dije, kulturë, e pse jo, edhe me armë në dorë kur kje nevoja, për fatet e Atdheut dhe të popullit që i kishte lindur dhe i mbante në gji.

E kush mund t’i harrojë 25 vjetët përpjekje e luftë në të gjitha trevat shqiptare, me Gjergj Kastriotin luftëtar të atdheut e atlet i Krishtit (Miles Patria et Atleta Christi) në krye, fakt historik që e njeh e gjithë Evropa e Bota. Kush mund të harrojë eshtrat e nxjerruna nga vorri, të vetë Gjergj Kastriotit, të Imzot Pjetër Bogdanit, e sa e sa të tjerëve që, të varur ndër hunj u mbytën barbarisht faqe publikut. Ishte klerik katolik shqiptar Imzot Pjetër Bogdani i cili nuk pushoi për as një çast së punuemi për çlirimin e Shqipnisë. Me 1685 ai kthehet në Kosovë dhe me dije e armë në dorë hidhet sërish në lëvizjet kryengritëse të veriut të Kosovës. I sëmurë nga kolera, vdes në Prishtinë në vitin 1689 ku edhe varroset. Turqit e nxjerrin trupin e tij nga vorrit dhe ua hedhin qenve mes Prishtinës. Historianët për të do të shkruajnë: “Një kalvar vuajtjesh dhe persekutimesh pësoi Imzot Pjetër Bogdani, i cili u burgos tri herë, i dogjën rezidencën, u rrah, u kërcënue se do ta varin te dera e kishës, e shëtitën nëpër qytet të ç’veshur lakuriq dhe pas vdekjes u zhvarros dhe kufoma e tij iu hodh qenve.” E në këtë vazhdë përpjekjesh e sakrificash do të vijonin rrugën e tyne edhe shumë klerikë të tjerë katolikë. Ata nuk menduan e punuan duke qenë nëpunës jashtë, nëpër Evropë a më tej, por në Mirditë, si Abat Doçi, luftëtar i lirisë, apo në Lurë si Dom Nikoll Kaçorri, luftëtari i Pavarësisë, në Kallmet të Lezhës si Imzot Luigj Bumçi, luftëtari për tërësinë e tokës shqiptare. Ata nuk shkruan në qytetet apo kryeqytetet e huaja por në fshatrat e atdheut, si Dom Ndoc Nikaj, Imzot Vinçenc Prennushi, Pader Marin Sirdani, Pader Bernardin Palaj e të tjerët me radhë. Ata nuk shijuan jetën e Amerikës, por punuen në Kukël si Dom Ndre Mjeda, apo në Troshan si Pader Gjergj Fishta, të cilit, edhe atij urrejtja meskine komuniste do t’ia treste eshtrat në lumin Drin… Asht në këtë radhë të lavdishme, në këtë piedestal nderi, që ka xanë tashmë vendin e vet të spikatur edhe Imzot Nikoll Kaçorri. Kur përpjekjet shqiptare kërkonin çlirimin përfundimtar nga zgjedha turke, ai do të gjendej në krye të popullit që lufton, pa harruar për asnjë çast se asht klerik, por edhe pa hjekë për asnjë çast koletin e bardhë të klerikut nga qafa. Me këtë kolet të bardhë, çka përcakton kjartë, me nder e krenari, divizën e tij klerikale, do ta kemi atë edhe në atë tribunë të lavdishme atë ditë të paharrueshme për shqiptarët, në atë nëntor të dytë, që quhet Dita e Pavarësisë.

Kush ishte Imzot Nikoll Kaçorri?

Dom Nikoll KaçorriAi ishte nga Kreja e Lurës, me babë katolik e nënë myslimane. Mësimet e para i kryen në Seminarin Papnor të Shkodrës, të naltat në Austri. Shërben për 23 vjet rresht si famullitar në Delbinisht e Durrës, duke nxjerrë meshtarë të rinj e duke ndërtuar kisha të reja. Asht zv. i përgjithshëm i Kryeipeshkvit të sëmurë të Durrësit, Imzot Primo Biankut. Asht klerik por edhe patriot, asht meshtar por edhe muzikant, asht predikatar por edhe dijetar. Ai asht në kujtimet e fratit të ri françeskan Pader Bon Gjeçaj, gjakovarit të sapo dalë nga universitetet evropiane, kur në vitin 1897 thonin në Durrës meshën bashkë dhe, sipas radhës, ndërsa Imzot Nikoll Kaçorri i binte harmoniumit dhe këndonte, Pader Bon Gjeçaj e ndihmonte atë me violinën e tij.

E, ai asht edhe në kujtimet e Imzot Pjetër Demës i cili, gjatë viteve 1905 – 1906, për një periudhë dy vjeçare, ishte ndihmës e krah i djathtë i Imzot Kaçorrit kur asht famullitar në Durrës, sidomos gjatë verës, kur Imzot Kaçorri shkonte me shërbimet e veta në Austri. Atdhedashuria dhe ndjenja e naltë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikoll Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bahet drejtues i zjarrtë i kryengritjes së Kurbinit me arritjen finale e sublime, atë të 28 nëntor-it 1912, kur ai asht përbri Ismail Qemalit, si përfaqësues delegat i elementit katolik, në ngritjen e Flamurit në Vlonë. Këtu në këtë pikë, besoj se një ditë historia ka me e thanë të vërtetën e vet ashtu si asht e ashtu si duhet. Në sajë të lidhjeve të tija me diplomacinë Austro-Hungareze, Imzot Kaçorri mbetet pika kyçe në suksesin e ngritjes së flamurit kombtar në Vlonë. Simas dëshmive të kohës, po të mos kishte kenë Imzot Kaçorri atë ditë në Vlonë, me siguri rrjedha e pavarësisë komtare kishte me kenë krejtë tjetër. Lidhjet e çuditshme dhe të dyshimta të Ismail Qemalit me bandat e Qamil Grebenesë nga njena anë si dhe mvartësia e tij prej Portës së Naltë nga ana tjetër, e kishin rreziku pavarësimin e Shqipnisë deri ku nuk shkonte ma. Duhej kambëngulja deri në kërcënim me jetë e Imzot Kaçorrit për të ba që atë ditë ai Dokument të firmosej e ajo Shpallje Pavarësie të ndodhte.

Deklarata e Pavarsise Megjithëse klerik, për interesat e Atdheut ai nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i Atdheut. Asht nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulture dhe për lavrimin e gjuhës shqipe. Asht pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit. Asht aty ku e kërkon interesi e Atdheut. Dhe largohet burrërisht prej detyrave, largohet nga politika, vetëm atëherë kur, me ndërgjegjen e tij të pastër shef dhe kupton në atë politikë ka papastërti e mos sinqeritet, që rrezikon fatet e Atdheut të tij të dashur.

Burrnisht në rrezik e në pjesëmarrje edhe ma burrnisht në vendim e largim, ai mbetet përgjithmonë një figurë e shqueme e Rilindjes sonë kombëtare.

Vdiq emigrant në Austri.

Check Also

Adhurimi Eukaristik – Një orë me Zotin tonë – IV e Diele Gjatë Vitit -B-

IV e Diele Gjate Viit -B- Hesht dhe del prej tij (1) Adhurimi Eukaristik Një ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *