Krishti u ngjall, Aleluja!

Predikimi i ShT. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Tiranë-Durrës në Mesha e Natës së Ringjalljes së Krishtit.

Shumë të dashur vëllezër e motra,

Leximet biblike të kësaj liturgjie tregojnë në mënyrë të përmbledhur ecjen e njerëzimit që nga krijimi i botës deri tek ringjallja e Krishtit. Libri i Zanafillës, duke treguar krijimin e botës në shtatë ditë, e vë theksin tek mirësia e botës së krijuar. Në fund të çdo dite, pasi e kishte kryer veprën e vet, Shkrimi i Shenjtë thotë: “Hyji pa se ishte gjë e mirë”.

Hyji e shikon botën si një gjë të mirë, sepse e ka krijuar me fuqinë e fjalës së vet dhe me dashurinë e tij të amshuar. I njëjti libër i Zanafillës na tregon se në botën e mirë të Hyjit, njeriu, i krijuar në përngjasimin e Hyjit, lejon të hyjë e keqja, sepse bie në tundimin e kundërshtarit të Hyji. Gjarpri i Edenit i thotë Evës se, nëse ha nga fryti i njohjes së të mirës dhe të keqes, do të bëhej si Hyji, që njeh të mirën e të keqen. Me kureshtjen e njeriut për të njohur të keqen fillon tatëpjeta morale e njerëzimit dhe bota, që ishte krijuar e mirë, lëndohet për shkak të njeriut. Njeriu lind, rritet dhe vdes në një botë të lënduar.

Menjëherë pas kureshtjes së sëmurë njerëzore për të njohur të keqen, vëllai vret vëllanë, Kaini vret Abelin, dhe njerëzimi mëton të rrëzojë Hyjin nga froni, duke ngritur Kullën e Babelit, që shembet mbi njerëzit e ndan gjuhët. Shthurjes njerëzore Hyji i përgjigjet me përmbytjen e madhe, duke i besuar Noesë, njeriut të vetëm të drejtë, ruajtjen e të gjitha krijesave të gjalla. Pastaj Hyji thërret Abrahamin dhe zgjedh për vete një popull, por përsëri kryeneçësia e popullit të Hyjit është shkak i fatkeqësive historike, si skllavërimi në Egjipt e dëbimi në Babiloni. Megjithatë, Hyji nuk e braktis popullin e vet. Ai thërret Moisiun, për ta çliruar popullin nga skllavëria, dhe i zbut zemrën një mbreti pagan, Kirit të Babilonisë, për t’i kthyer hebrenjtë në Jerusalem.

Bota, që Hyji e kishte krijuar të mirë, por që është kthyer në një teatër gjigant të vuajtjes, është bota ku Hyji vepron pandarë për t’i kthyer asaj mirësinë dhe bukurinë e humbur. Hyji, që e krijoi botën të mirë, është Hyji që vendos ta shpëtojë atë nga e keqja e t’i kthejë shkëlqimin e pafajësisë. Historia e Pashkëve të Krishtit është kulmi i historisë së shpëtimit. Jezusi nga Nazareti, Biri i Hyjit i bërë njeri, që kishte jetuar tridhjetë vjet në shtëpinë e Jozefit e të Marisë, ku pati njohur bukurinë dhe vështirësinë e jetës njerëzore, pasi e mrekulloi Galilenë e Judenë me predikimin, sjelljen dhe mrekullitë e veta, duke zbuluar fytyrën e vërtetë të Hyjit, që është mëshirë e dashuri, i nënshtrohet dhunës absurde të njerëzve dhe provon mbi vete rrjedhojat e mëkatit, që shkakton vdekjen.

Dje kemi kremtuar misterin e mundimit, të kryqëzimit dhe të varrimit të Krishtit. Është misteri i hyrjes së Hyjit brenda errësirës njerëzore. Hyji, që e krijoi njeriun “shumë të mirë” – siç thotë Zanafilla -, dëshiron t’ia kthejë mirësinë e humbur, duke njohur errësirën e ligësisë. Të Premten e Madhe, në vigjiljen e Pashkëve hebraike, që përkujtonin daljen e popullit të Izraelit nga skllavëria e Egjiptit, Jezusi hyn në shtjellën e njerëzimit të prekur nga e liga dhe themelon Pashkët e reja, Pashkët e lirisë nga mëkati.

Ngjarja e të Premtes së Madhe përqafon historinë e tërë njerëzimit dhe të secilit njeri. Zilia e pushtetit fetar përzihet me cinizmin e pushtetit politik; populli, që kishte thirrur “Hosana!”, bërtet: “kryqëzoje!”; i drejti, Jezusi, zë vendin e të dhunshmit dhe të padrejtit, Barabës; dëshmitarët e rremë ngrenë padi të gënjeshtërta për dënimin e Jezusit nga Nazareti; Juda tradhton, Pilati lan duart, Pjetri mohon, Apostujt ikin nga frika, ushtarët tallen me të Kryqëzuarin dhe Biri i Hyjit vdes përjashta qytetit të Davidit. Që nga çasti i kapjes në Kopshtin e Ullinjve e deri në çastin kur jep shpirt, Jezusi përjeton në trup e në shpirt dhunën, gënjeshtrën, padrejtësinë, talljen dhe vetminë. Të gjitha ushtruar kundër tij në emër të ligjit, të popullit e të Zotit.

Të dashur vëllezër e motra, le ta hedhim vështrimin në botën e sotme. A nuk është edhe ajo teatër i shfaqjeve me gjyqe absurde, ku “Barabët” e “Jezusët” shkëmbejnë vendet; ku “Pilatët” lajnë duart; ku populli, që kishte thënë “hosana”, thotë “kryqëzoje; ku “Judët” tradhtojnë e “Pjetrat” mohojnë, duke shkaktuar që të pafajshmit të vdesin në vetmi? Brenda këtyre mekanizmave njerëzor, të prekur gjer në fund nga misteri i së keqes dhe mëkatit, ka hyrë Jezusi i Nazaretit, për të shëruar e për të shndërruar përfundimisht zemrat.

Historia jonë, sado e zymtë dhe e errët të jetë, është kthyer në historinë e Hyjit të bërë njeri. Vetëm duke shikuar Hyjin e bërë njeri në Krishtin, vetëm duke e ndjekur Jezusin në udhën e mundimshme të kryqit, do ta gjejmë dritën për t’i nxjerrë kuptimin çdo vuajtjeje njerëzore, që përndryshe nuk do të kishte kuptim. Duke parë jetën tonë të përditshme, të mbushur sa me gënjime njerëzore, aq edhe me zhgënjime nga të tëra anët, duke parë teatrin e dhimbjes që shfaqet mbi skenën e botës me luftra neveritëse e dhunë çnjerëzore, lind natyrshëm pyetja: ku është Hyji? Çfarë ka ndërmend të bëjë me këtë botë, që e kishte krijuar të mirë, për që po bëhet e pajetueshme?

Pashkët e Krishtit na tregojnë se Hyji është brenda kësaj bote. Ato na tregojnë edhe se brenda kësaj bote ka disa njerëz të përfshirë në veprën e tij shpëtimtare. Kur Krishti është i lodhur nga pesha e kryqit, kryqin ia ngarkojnë Simonit nga Cireneja; tri gra e ndjekin gjer në fund; tek këmbët e kryqit gjendet apostulli që e kishte dashur, por, edhe kur vdes në kryq, Jozefi nga Arimatea jep varrin e vet për të prehur trupin e Zotit. Në këtë botë, ku nuk mungojnë Judët, dëshmitarët e rremë dhe apostujt frikacakë; ku nuk mungojnë pushtetarët “poncë pilatë” e fetarët ziliqarë; ku populli një herë thotë “hosana” e pastaj “kryqëzoje”; ku të pafajshmit vdesin në vend të fajtorëve, nuk mungojnë as “Simonët nga Cireneja” e “Jozefët nga Arimateja”; nuk mungojnë apostujt e dashur e besnikë; nuk mungojnë gratë që e ndjekin Zotin gjer në kryq. Në këtë botë, të cilën Hyji e krijoi të mirë, e keqja jep shfaqjen e saj të shëmtuar, por e mira vepron në heshtje, si fara nën dhe, dhe përgatit të çelë sythet, që do ta lulëzojnë përsëri botën.

Për ta parë të mirën e për të besuar në forcën e saj, duhet të shohim Jezusin në misterin e Pashkëve. Gjithë mundimet e tij duken, në pamje të jashtme, se janë vetëm humbje. Ai e pranon dhunën dhe e mbart padrejtësinë vetëm për një arsye: sepse ka besim se Hyji Atë do t’ia japë drejtësinë e mohuar nga njerëzit dhe se as vdekja nuk mund ta asgjësojë drejtësinë e Hyjit. Ai e pranon vdekjen me dhimbjen e njeriut të shtypur e të poshtëruar, por edhe me besimin se Hyji, që e ka krijuar njeriun shumë të mirë, do t’ua kthejë mirësinë njerëzve me anë të flijimit të tij në kryq. Dhuna ndaj Krishtit dhe vdekja e tij në kryq përmbledh dhunën dhe vdekjen e të gjithë të drejtëve, që kanë vuajtur nën shtypjen e arrogancës së të fortëve dhe të të pushtetshmëve. Duke pranuar padrejtësinë mbi vete, ai është paraqitur para Atit qiellor si përfaqësuesi i përsosur i të gjithë atyre që janë pre e padrejtësisë. Por, jo vetëm kaq: mbi kryq ai është lutur edhe për armiqtë e vet, duke hapur derën e shpëtimit për ata që duan të heqin dorë nga ligësia e paudhësia. Kryqi i Krishtit, që në pamje të jashtme duket simboli i mundjes së tij, është në thelb shenja më e shkëlqyer e fitores së të mirës mbi të keqen. Në kryqin e Krishtit bota fiton edhe një herë mirësinë, që e kishte humbur për shkak të mëkatit, sepse në kryq Krishti e mund mëkatin.

Të shtunën e Madhe, pra gjatë ditës së sotme, Kisha dhe bota kanë hyrë në heshtjen e Krishtit të shtrirë në varr, por edhe Krishti vetë, duke hyrë në varr, hyn në heshtjen e njeriut të mundur nga vdekja. Sonte kremtojmë me gëzim e hare ngjalljen e Krishtit nga të vdekurit, fitoren e tij mbi varrin, sepse Ati, para të cilit Jezusi kishte përfaqësuar njerëzimin mbarë, Ati i jetës, që e kishte krijuar njeriun si veten, e ngjall Krishtin nga të vdekurit dhe, me anë të Krishtit, i kthen njeriut pavdekësinë e humbur për shkak të mëkatit. Historia e Krishtit është historia e fitores së Hyjit, i cili në Pashkët e Birit të vet, ndreq miqësinë e humbur me njeriun.

Duke u ringjallur nga të vdekurit, Krishti merr nga Hyji drejtësinë që i kishin mohuar njerëzit dhe themelon për të gjithë njerëzit shpresën e patundur se Hyji do t’i ndreqë në fund të gjitha padrejtësitë e pësuara. Në këtë natë të shenjtë, të ndriçuar nga fitorja e Birit të Hyjit, që është bërë fitorja jonë, Hyji rilidh për njeriun rrugën që vdekja e kishte këputur. Në këtë natë, Kisha rilind përmes gurrës së pagëzimit të gjithë ata vëllezër e motra, që kanë pranuar dritën e Krishtit dhe i kanë hapur zemrën lajmit të gëzueshëm të Pashkëve të tij. Ta falënderojmë Hyjin për këta vëllezër e motra që sonte marrin hirin e jetës së re në Krishtin e vdekur e të ringjallur, e t’i kërkojmë Shpirtit të Shenjtë të na japë të gjithëve gëzimin e besimit dhe forcën për ta dëshmuar me besnikëri dashurinë e Hyjit për të gjithë njerëzit.

Të lutemi për të gjithë ata që vuajnë, me bindjen e fesë se, falë Pashkëve të Krishtit, të gjitha vuajtjet do të kthehen në gëzim e hare. Amen.

Check Also

Adhurimi Eukaristik-III e Diele Gjatë Vitit -B- Ejani pas meje e do t’ju baj peshkatarë njerëzish!

III e dele e Gjate Vitit -B- Ejani pas meje dhe do t’ju baj peshkatare ...