LETRA E PAPËS PALI VI – GJERGJ KASTRIOTI – Atleti i Krishtit

LETRA E PAPËS PALI VI

_______________________________________________

BIJVE TANË TË DASHTUN, ZOTNIJVE TË TYNE KARDINALA,

MASIMILIANO DE FYRSTENBERGUT,

PREFEKT I KONGREGACIONIT TË SHÊJTË PËR KISHAT LINDORE

DHE GREGORIO PIETRO AGAXHANIANIT,

PREFEKT I KONGREGACIONIT TË SHÊJTË PËR UNGJILLËZIMIN E POPUJVE

Bijtë tanë të dashtun,

Shëndet e bekim apostolik!

          Me të kënaqun zemre po ua sjellim fjalën të tanë kryeparve të dy dikastereve fetare, nga të cilat mvaren katolikët shqiptarë e arbëreshë, me rastin e pesëqindvjetorit të trimit të tyne, Gjergj Kastriotit, Skanderbegut.

Skanderbegu âsht pinjolli famëmadh i njâj treve që pat fatin të përfshihet ndër sajime apostolike të Shën Palit e ndoshta nga dora e tij muer të parën farë të ungjillit. Pa dyshim ajo paraqitet nga historia porsi Kishë me hierarki nga fillimi i shekullit IV.

Hierarkia e saj e shêjtë, qoftë e ritit lindor, qoftë e ritit perëndimor, mvarej nga patriarkata e Romës, e gjatë vargut të konçilleve të mëdha ekumenike, në bashkim me Selinë Romake, qe mbështetja e përhershme e ortodoksisë.

Nonse mâ vonë ikonoklastët deshtën ta këpusin nga juridiksioni patriarkal i Romës dhe u ternuen në tokën e saj fise barbare jokristiane, Shqipnia prapseprapë e mbajti të shëndoshë fenë e vet edhe synin e shpirtin të ngulun te Roma. Dhe kësaj Selie Apostolike iu soll ndër çaste të rrezikshme, tue gjetun herë mbas here përkrahje shpirtnore dhe materiale.

Shekulli XV qe për kombin shqiptar një nga periudhat mâ të trazueme e njiherit edhe nga mâ të lavdishmet e historisë së tij për luftat e pandame që iu desh të përballonte kundrejt kërcënimit t’ushtrive pushtuese osmane, të cilat, mbasi shtîn në dorë kryeqytetin e Perandorisë Bizantine, iu matën drejtpërsëdrejti Perëndimit. Qëndresa e shqiptarve gjatë nji çerek shekulli u deftue sa kambëngulëse, aq edhe ngadhënjyese, sidomos nëpër trimnì e mbas udhëheqjes së kryeparit të tyne, Gjergj Kastriotit, Skanderbegut, pesëqindvjetori i vdekjes së të cilit përkujtohet po në këtë ditë: 17 janar 1968.

Me të madh gëzim morëm vesh se të gjithë sa janë të gjakut shqiptar, si në Shqipni, ashtu edhe jashtë saj, po përgatiten për kremtim të lulëzueshëm të këtij qindvjetori me nderim mâ të thellë se kurrë ndaj heroit të tyne kombëtar, të madh e të paharrueshëm. Edhe kjo Seli Apostolike me gjithë zemër po bashkohet në përkujtim të figurës bujare të Gjergj Kastriotit, birit besnik të Kishës, të cilin paraardhësit tanë e mbuluen me kaq e kaq lavde, sa ndoshta kurrnjânit ndër trimat e asaj kohe, nuk ia drejtuen. E njimend ai gjatë njëzetepesëvjetëve diti ta mbronte atdheun e vet nga pushtimi, tue sigurue me atë mbrojtje një nga sektorët mâ të rrezikshëm të ballit mbrojtës të krishtënimit. Prandaj paraardhësi ynë, Kalisti III, përherë i nderueshëm, tue marrë parasysh besnikërinë ndaj Fesë e ndaj Selisë Apostolike, me të cilën kryetrimi i madh sillte ushtarët e vet në luftim, shkurt pohonte se ai “përmbi të gjithë princat katolikë pati merita të nalta ndaj Fesë e besimit të krishtenë.”[1]

Prandaj, një mbas një, papët që zunë këtë Seli në atë periudhë të gjatë të luftës së tij të pandame, s’ia kursyen ndihmën e tyne kohë mbas kohe e me dobi; madje i dhanë mbështetje edhe përtej mundësive të veta.

Mbas vdekjes së trimit e mbas pushtimit t’atdheut nga zotnuesa të huej, shumë shqiptarë pëlqyen mâ mirë mërgimin me gjithë farefis, sesa qëndrimin në vendlindje pa mujtun me gëzue ballëhaptas lirinë e Fesë. Disa kaluen në Greqi, ndërsa të tjerë, me shumicë, erdhën n’Itali, veçanërisht në Kalabri e Siçili, valë mbas vale, tue gjetun pritje miqësore n’ato vende bujare. Kjo Seli Apostolike nuk la kurrë pa u kujdesun me gjithë zemër, me veprim të vazhdueshëm e të përkujdesshëm, si ishte koha, derisa tash vonë ajo ngrejti për ta tri qendra juridike më vete: Lungron dhe Horën e Arbëreshëve me ipeshkvi, dhe monastirin stavropegjik të Grotaferratës me Arhimandrit, pos seminarit papnuer arbëresh “Benedikti XV”.

Me admirim po shohim se këto komunitete arbëreshe tash 400 vjet e mâ tepër ruejnë, pos gjuhës e traditave, një kujtim të gjallë të të madhit Gjergj Kastriotit, nga bashkëluftëtarët e të cilit rrjedhin, e trimnitë e të cilit përjetësojnë ndër tregime e kangë popullore. Dhe bashkë me kujtimin ruejnë edhe Fenë e tij, baras me përkushtimin ndaj kësaj Selie Apostolike, për shërbim të së cilës ata dhuruen njerëz të përmendun me dije e virtyt, ndër të cilët përmendim me kënaqësi njërin prej atyne që hipi në katedrën e Shën Palit, paraardhësin tonë, Klementin XI, Albanin, i cili mburrej për prejardhjen e tij të moçme shqiptare. Mandej, ata që e ruejtën edhe ritin lindor, e bânë tue iu përshtatun njâtij sajimi të dijshëm të Provanisë Hyjnore, që të përbâjshin një dëshmi të pandërpreme të katolicizmit të Kishës dhe, tue qindrue mes popullsish latine, të bâjshin të njoftuna e të adhurueshme rite e tradita të ndryshme, me të cilat stoliset e njâjta dhe e vetmja Kishë e Krishtit. Dhe na, tue e mbështetun shpresën tonë në të përtrîmet e tyne simbas Konçillit Ekumenik të Vatikanit, po shprehim urimet mâ të mira, që ata të gjejnë rrugë të re për veprimtarinë shpirtnore, që dikur zhvilloshin në Shqipni, e që ato kisha vendëse të ritit lindor të dinë të marrin një pjesë edhe mâ me randësi në atë shpirt e në atë vepër ekumenike, që frymëzon e vên në lëvizje krishtënimin.

Porse kujtimi i Papës, ndërsa nuk i harron të gjithë ata shqiptarë të shumtë të mërguem me shumicë nëpër botë, u sillet sidomos komuniteteve katolike të mbetuna në tokë shqiptare edhe mbas pushtimit otoman e mbas humbjes së pamvarsisë kombëtare. Sado që të rrethuem nga elemente të besimeve të tjera, tue pa vllaznit të shtërnguem nga nevoja e nga shpata për t’u nda nga feja e t’parvet, ata qëndruen heroikisht në besë të Krishtit dhe të Selisë Apostolike. Dhe kjo, si mujti mâ mirë, i mbështeti dhe i ndihmoi nepër veprim të priftënve shqiptare e arbëreshë e të rregulltarve, si françeskanët, baziljanët, jezuitët dhe lazaristat. Mbajti dhe përforcoi hierarkinë kishtare; ftoi e rriti ndër institute të veta klerikët e tyne dhe ngriti për ta në Shkodër një kolegj papnor.

Të shumta janë meritat e këtyre bijve tanë fort të dashtun shqiptarë e arbëreshë, qoftë në lamë të shpirtit, qoftë në atë të letërsisë e të kombësisë, përpara e mbas fitimit të Pavarësisë Kombëtare më 1912, dhe s’ka njeri që nuk i njeh.

Në âsht se atyne u shprehim në mënyrë të veçantë dashtuninë tonë atnore, po e bâjmë pse i kemi vështrue hap pas hapi në këto vitet e mbrame ndër vështirësitë e ndër mundimet e tyne për shkak të kufizimeve të padrejta që i vêhen lirisë së tyne fetare e të salvimit të bajtun, sidomos prej barinjve të tyne.

Ta dinë ata bijtë tanë të dashtun, të cilët u nënshtrohen cenimeve kaq të randa ndër pasunitë mâ të shêjta e mâ të paprekshme që i përkasin njeriut, se zemra e Papës âsht me ta dhe për ta dhe për ta i lutet Zotit të gjithpushtetshëm dhe zemërdhimbshëm, që t’i ngushëllojë e t’i forcojë.

Kujtimi ynë u sillet me të dashtun edhe shqiptarve jokatolikë: ortodoksëve e myslimanëve, tue dijtun mirë se të gjithë të bashkuem ndër kujtimet e traditave historike e lavdiplote të atdheut, gjithmonë kanë këqyrë kah Selia e Shêjtë si mbrojtësja e kombit të tyne, dhe veçanërisht kanë tregue mirënjohje për përkrahjet e saj në kohë kritike të Pavarësisë, qysh prej vitit 1912 e këtej.

Me siguri të përtërime po e thërrasim sot ndërhymjen amnore të Zojës së Këshillit të Mirë, e cila që prej kohës së Skanderbegut nderohet në Gjenacan dhe njihet nga shqiptarët si Zoja e Shkodrës.

Ndër kambët e saj na duem me ra, ndër gjûj bashkë me ju, të dashtun bijtë tanë, tue shkrî me zân e katolikëve shqiptarë zânin tonë lutës për të kërkue që zemrat e të gjithëve të zbuten e të hapen për të pranue këshillat e Perendisë dhe që e ardhmja e kombit shqiptar bujar të jetë e denjë për të kaluemen e tij të lavdishme e për atë misioin që Zoti i ka shênjue në këtë shekull.

Me këtë urim ju japim përzemërsisht, bijtë tanë: të gjithëve ju ipeshkvij, meshtarë e besimtarë shqiptarë, n’atdhe e jashtë tij, si peng i dashamirësisë sonë të veçantë, bekimin apostolik.

 

Romë, “Shën Pjetër”, 17 janar 1968, në të pestin vit të pontifikatit Tonë.

______________

Kjo letër e thekshme e Shêjtit At Pali VI jemi të sigurt se ka m’u pritë me mirënjohje të thellë nga çdo zemër shqiptare pa kurrnji dallim besimi ose ideje. Në tê kumbon e lartë lavdia e prîsit tonë të madh, që e udhëhoqi popullin në një varg të shkëlqyeshëm fitoresh. Dridhet nëpër rreshtat e saj një kujdes i veçantë për atdheun tonë dhe një dëshirë për ditë mâ fatbardha për të ardhmen. Ati i Shêjtë na porosti mos me dyshue në fatet e kombit e, për me na bindë, përmend kalimin e lavdishëm, meritat që fituen shqiptarët tue mbrojtë qytetnimin europian në shekullin XV. Përkujton me shprehje të larta vlerësuese Heroin tonë Kombëtar e na nxit me ndjek gjurmët e tij, sidomos në flakim të ndjesive vëllaznore.

Çdo fjalë e Papës zgjon jehonë të gjânë botnore. Me letrën e tij të 17 janarit 1968, Pali VI tërhoqi vërejtjen e botës mbarë mbi meritat e motshme të popullit shqiptar dhe mbi mjerimin e gjendjes së tij të sotshme.

Pak janë ata të huej që na përfillin; dikush na urren e shumica harrojnë se ka komb shqiptar. Kemi nevojë për kuptim e mbështetje, sepse të huejt përgjithësisht ushqejnë shumë paragjykime mbi ne dhe çëshjtet tona. Prandaj fjala gjimuese e Papës së Romës në pesëqindvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, Skanderbegut, tue ia kujtue botës qênien tonë dhe vuejtjet e padrejta që ka kanë mbulue, sjell një shërbim për Shqipninë e shqiptarët.

Me përkushtim mirënjohës i shprehim Shêjtnis së Tij, Palit VI, falënderimin tonë e të shumicës së shqiptarve që mendojnë e ndiejnë si na, por gjinen në pamundësi, për rrethana të dituna, me shfaqë lirisht mendimin dhe ndjenjat e veta.

[1] Brevium Callisti III, n. 298, f.122.

Check Also

Adhurimi Eukaristik – Një orë me Zotin tonë – IV e Diele Gjatë Vitit -B-

IV e Diele Gjate Viit -B- Hesht dhe del prej tij (1) Adhurimi Eukaristik Një ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *