Midis traditës dhe Ungjillit

Midis traditës dhe Ungjillit

nga D. Gjovani K. Kokona

Në emisionin televiziv Arkapia, ku e ftuara ishte Ledi Shkreli, duke folur mbi At Zef Pllumin dhe françeskanë e klerikë të tjerë, u shpreh me një keqardhje se: “ajo ishte një plejadë që nuk vjen më”. Por në një farë mënyre ky lloj pesimizmi, kur kujtojmë figura të ndritura të Kishës katolike në Shqipëri, na kap edhe ne. E megjithatë nëse reflektojmë pak nuk duhet të na kapë pesimizmi, sepse, edhe nëse mund të jetë e vërtetë që ajo lloj plejade “nuk vjen më”, po aq e vërtetë është edhe që “vjen një plejadë tjetër”. Çdo kohë ka lajmëtarët e vet. Tentativa, e gabuar, për të kopiuar apo për të imituar atë periudhë të At Gjergj Fishtës, At Justin Rrotës, At Bernardin Palajt apo Imzot Vinçenc Prennushit e të tjerë nuk jep rezultat. Të ndalesh te tradita pa e kontestualizuar është si të duash të mbetesh në një muze. Por vjen momenti kur nga muzeu duhet të dalësh sepse jeta të thërret me të mirat e të këqijat e veta.  Prandaj do thoja se më shumë se kopjimi i asaj plejade do të duhej një lloj marrje shembull, sesi ata identifikuan problemet/nevojat e kohës dhe u angazhuan gjithësecili në fushën e vet për t’iu pergjigjur atyre nevojave.

E cilat janë nevojat sot? – është pyetja jonë. Pa identifikuar nevojat nuk mund të ofrojmë rrugëzgjidhje. A janë edhe sot madhore problemet e kufijve të Shqipërisë, apo çështja gjuhësore, apo ka të tjera? Personalisht mendoj se sot më shumë përballemi me sfidën si të dhurojmë risinë e Ungjillit, si ta bëjmë tërheqëse në një ambient me sfida moderne dhe të kaluara. Moderne sepse teknologjia ka ndikimin e vet por edhe të kaluara në një shoqëri si tonën ku ndikimi qoftë në mentalitet dhe qoftë në praktikë (në disa forma) i kulturës komuniste vazhdon të ndikojë. Ky mentalitet komunist gjeti disi edhe mbështetje te ndonjë meshtarë/rregulltare të cilët ishin rritur nën frymën e majtë të viteve ’60/’70 në vendet jo-komuniste. Kjo frymë në zonat shqiptare me traditë katolike (sidomos zona e Zadrimes, zona e Nen-Shkodres, por edhe zona te tjera) u perplas me dëshirën/nevojën e besimtarëve për t’ju rikthyer traditës që për vite iu ishte mohuar. Natyrisht është një fenomen që nuk ndodh vetëm te ne, por tek ne në fillim mund të ishte më e fortë sepse edhe “dalja” nga sistemi zyrtar ateist ishte i menjëhershëm. Mjafton të kujtojmë turmat në Meshët e para te varrezat e Rrmajt, Shkodër. Shumë prej tyre më pas vazhduan të mbeten në një nostalgji tradite por e pa thelluar në Ungjill. Ndoshta do ishte dashur të mos sulmohej tradita, duke iu hequr kështu bazën këtyre besimtarëve, për të futur diçka të re të panjohur (shpesh duke abuzuar në emër të një koncili). Sigurisht më e përshtatshme, mendoj, do të kishte qenë përpunimi i traditës në frymën e Ungjillit. Të mos harrojmë që edhe ajo traditë aty në Ungjill e në Kryq e kishte dhe e ka burimin. Këto ditë kur një ‘komision liturgjik’ po tenton të hartojë një tekst këngësh liturgjike në nivel kombëtar është për të pyetur sesa komisioni, anëtarë të tij, e kanë pasur, e kanë, kujdesin për të parë në rradhë të parë se cila është tradita e këngëve liturgjike apo e lutjeve të ndryshme në zonat e Shqipërisë. Ky hulumtim, jo vetëm në këtë aspekt, është i nevojshëm që ne të mos vazhdojmë të kopjojmë thjesht gjëra të të tjerëve por që nuk prekin zemrat e njerëzve. Ndodh jo rrallë herë që dëgjon këngë liturgjike të traditës shqiptare në New York, por jo në Shqipëri. Ose nganjëherë mundohen të imponohen shenjtër apo themelues të një kongregate sikur zonat apo famullitë të mos kenë një pajtor të tyre që nga kohëra që nuk kujtohen.

Fjala këtu është që çdo vend aktualizon dhe propozon Ungjillin, risinë e tij, në kontekstin vendas. Por që ta bësh këtë duhet në rradhë të parë ta njohësh atë kontekst. E kujtoj një herë kur i thashë një meshtari: ti mundohesh të dishë se ç’ndodh në Shqipëri duke dëgjuar lajmet te kanalet e huaja. Konteksti ka gjithmonë rëndësi në mënyrë që të jeshë efektiv në atë që propozon. Për shembull, nuk mund të trajtosh në të njëjtën mënyrë Malësinë e Madhe me Nënshkodrën apo me Mirditën, por edhe këto kanë një tjetër ecje në krahasim me Malësinë e Tuzit apo me Rrafshin e Dukagjinit apo të Fushë-Kosovës.  Kujtoj sesi para dy vitesh një meshtar do merrte një famulli dhe pa hyrë akoma, duke biseduar, më paraqiti gjithë një program që donte të fillonte aty; por duke ia shprehur mendimin tim i them: prit një herë të fusësh këmbët se duhet të kuptosh tokën ku po shkel.

Por duke iu rikthyer asaj shprehje “që ajo plejadë e kaluar françeskane apo klerikësh nuk vjen më”, mund të them se vjen, biles është e pranishme por ne vetë duhet të jemi të vetëdijshëm për të e duhet ta zbulojmë/rizbulojmë atë. Sa herë kemi dëgjuar në Shqipëri, edhe në muajt e këtij viti, që kur flitej për klerin vendas dhe përgjegjësitë që duhej të merrte, pritej shkurt me fjalët: janë të rinj, duhet të piqen akoma; e Papa Françesku me një mjeshtëri të mprehtë e hodhi poshtë këtë duke treguar që gjykimi shkon te personi dhe jo personi të gjykohet në bazë ideologjike apo përkatësie grupimi ose prejardhje.

Pra kemi shumë për të bërë që të zbulojmë vetveten që as të mos mbetemi një Kishë ku vetëm idealizohet një e kaluar e lavdishme, dhe as të mos mbetemi në tundimin që gjithçka po krijohet me ne (e do të vdesë me ne). Krishti i djeshëm është edhe ai i sotëm e do të mbetet edhe ai i të nesërmes, Atij i takon lavdi dhe ndera. Prandaj edhe kësaj plejade të sotme, sikur asaj të djeshme, i mbetet përgjegjësia sesi të vazhdojmë ta aktualizojmë e propozojmë Fjalën e Mishëruar, Dritën e vërtetë, që “për ata që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit”.

Check Also

Adhurimi Eukaristik – Një orë me Zotin tonë – IV e Diele Gjatë Vitit -B-

IV e Diele Gjate Viit -B- Hesht dhe del prej tij (1) Adhurimi Eukaristik Një ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *