Një park në qendër të Torinos merr emrin e Nënë Terezës

Nje park per Nene TerezenMë 5 shtator 1997, Urdhri i Misionareve të dashurisë humbi themeluesen e tij; bota mbarë humbi Shenjtëreshën e kohërave moderne; populli shqiptar, kudo që ndodhet, humbi ikonën e dashurisë: Nënë Terezën. Mirëpo, shumë shpejt e kuptuam që, edhe pse kishim humbur një “drejtues” apo “barì”, kishim fituar një shembull, një shembull jete që mund ta ndjekë – dhe në fakt kishte filluar ta ndiqte kushdo: një hindu që dëshiron të bëhet një hindu më i mirë, një mysliman që dëshiron të bëhët një mysliman më i mirë, apo një katolik që dëshiron të bëhet një katolik më i mirë, sepse kjo ishte dëshira dhe misioni i Nënë Terezës në këtë botë. Shumë shpejt, në vendet shqipfolëse e jo vetëm, u shkruan libra nga “dishepujt” e Nënë Terezës , e në emër të saj u dedikuan universitete, bulevarde apo aeroporte.

Më 4 shtator 2015, në përkujtim të ditës së ndarjes nga kjo botë të Nënë Terezës, Bashkia e Torinos i dedikoi shenjtores shqiptare një park publik në qendër të qytetit, në një lagje multietnike, ashtu si ka qenë edhe jeta e të Bekuarës.

Që para dy vitesh, shoqata të ndryshme shqiptare, si shoqata “Nënë Tereza” dhe shoqata “Art@mia”, si dhe shoqata italiane me aktivitet në Shqipëri e Itali, “Infiniti Mondi Onlus”, i kanë bërë një kërkesë zyrtare bashkisë së qytetit subalpin që Nënë Tereza të mund të kujtohej në një prej ambienteve publike të këtij qyteti. Të njëjtat shoqata vazhduan edhe me një punë sensibilizuese, duke organizuar takime e konferenca. Në mars të 2013, Dom Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës, mbajti një konferencë-dialog me titull “Madre Teresa, Patrimonio dell’Albania, Patrimonio dell’umanità”. Ndërsa më 4 shtator 2015, në ambientet e lagjes 7 të qytetit verior, u inaugurua parku me emrin e murgeshës shqiptare. Takimin e inaugurimit e hapi një mesazh i z. Visar Zhiti, i ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në pamundësi për të qenë fizikisht i pranishëm:

”…Duke nderuar Nënë Terezën, kemi nderuar veten,

kemi zbukuruar kështu rrugët dhe shpirtrat

dhe kemi marrë porosinë e madhe që të duam njëri-tjetrin,

që të bëjmë më shumë për jetën…”

Anamaria Skanjeti, përfaqësuese e shoqatave promotore, përshëndeti të pranishmit si dhe kujtoi disa nga episodet më të rëndësishme të jetës së Nënë Terezës, nga lindja e saj në një familje shqiptare fisnike e bujare deri te thirrja brenda thirrjes për t’i shërbyer më të varfërve të të varfërve. Ajo theksoi gjithashtu edhe arsyen përse ne ishim atje “sepse tek Nënë Tereza kemi gjetur thelbësoren për zemrën tonë”. Është e vështirë të përkufizohet jeta e Shenjtores Shqiptare, me siguri fjalët më kuptimplote i ka shprehur vetë ajo, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit – “Kush është Nënë Tereza?” – me fjalinë e mëposhtme:

Shqiptare nga gjaku,

me nënshtetësi indiane,

për sa i përket besimit tim, jam një murgeshë katolike,

thirrja ime më bën t’i përkas botës,

por zemra ime i përket zemrës së Jezusit.

Këto fjalë, që na bëjnë të ndihemi krenarë, meqënëse ndajmë të njëjtin gjak në damarët tanë, na thërrasin gjithashtu të hedhim pikën tonë të dashurisë në oqeanin e madh të vuajtjes që na rrethon. Me këtë fjali përshëndeti edhe z. SilvioMagliano, zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak të Torinos duke i përçuar të pranishmëve përshëndetjen dhe angazhimin e bashkisë për të kujtuar denjësisht jetën dhe veprën e të Bekuarës me gjak shqiptar.

Në fund të ceremonisë, Emanuele Durante, kryetari i lagjes, theksoi ngjashmërinë ndërmjet familjaritetit të një parku në qytet, që shfrytëzohet edhe prej familjeve me fëmijë, dhe dashurisë së treguar nga “Nëna” e Kalkutës ndaj të varfërve dhe të pasurve, të dobtëve dhe të fuqishmëve, fëmijëve dhe të moshuarve, autoktonëve e të huajve. Sa aktuale e provokuese për Europën tingëllojnë këto fjalë në këtë fillim shekulli!

Në ceremoni morën pjesë edhe z. Faik Dishnica, Konsulli Shqiptar në Milano, si dhe z. Artan Doda, Konsull Nderi i Shqipërisë në Torino.

Pas përurimit të pllakës përkujtimore, shoqatat promotore patën kënaqësinë të falënderonin autoritetet duke u dhuruar libra mbi jetën e Nënë Terezës.

Bashkësia shqiptare në Torino, e përbërë prej disa mijëra anëtarëve, e integruar plotësisht në kryeqytetin e parë të Italisë, ndihet krenare që tashmë mund të kujtojë së bashku me të “zotët e shtëpisë” një grua të vogël, por me zemër të madhe e me gjak shqiptar.

 

Nga Andrea Skanjeti

Check Also

Adhurimi Eukaristik – Një orë me Zotin tonë – IV e Diele Gjatë Vitit -B-

IV e Diele Gjate Viit -B- Hesht dhe del prej tij (1) Adhurimi Eukaristik Një ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *