Pader Zef Pëllumbi, frati i deshmive të dhimbëshme

Nga Kolec Cefa

“Mjerë kombi që harron herojt e vet”(P. Gj. Shllaku)

Pader Zef Pllumi“Nderi i Kombit” dhe “Pena e artë” janë dy tituj që pavdeksojnë edhe emnin e P. Zef Pëllumbit, dy tituj onorefikë që ndriçojnë dëshmitë e tij të dhimbëshme per krimet e fshehta e të dukshme të diktaturës; dy tituj onorefikë, që e shtijnë me dinjitetin e duhun në panteonin e njerzve tanë të vlerësuem, e që rrijnë nder themelet e kulturës sonë, e performancave tona me frymë kombtare, në klimën prendimore. U lind (7 prill 1924 në fshatin malor Mali i Rencit) në bjeshkët e meçme të maleve tona, u arsimue në jetën shkollore të akademikëve françeskanë, u formue në klimën e traditave e të virtyteve tona etnike, e u kalit në terrorin e burgjeve komuniste si disident politik, tue mbetë një emen i permendun, i paharruem, i madh, edhe pse Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i ri, 2008-2009 i mbylli padrejtësisht e panjerzishem dyert e veta. Kolegji françeskan e kuvendi i Troshanit i hapen një hapsinë dijeje e kulture, i edukuen urtinë me kerkue të vertetën dhe guximin me e thanë atë. Ndeshtrashat perfide ndaj françeskanëve i forcuen karakerin, i ushqyen burrninë malsore, i poqën durimin. Kishte lindë me ndjenjen e fortë me e dashtë lirinë. Ai ishte nga ata që dinte me perballue të keqen, por dinte edhe me falë, madje bante thirrje me falë, por jo me harrue. Pader Zefi kishte kujtesë të fortë, mbante mend shumë, por nuk mbante inat aspak.

Pader Zefi e jetoi e e duroi kalvarin e jetës së vet, në burgje, (“një çerek shekulli pa i dijtë vetes faj”) per të dëshmue sy në sy të vertetat e hidhuna që jetoi. Dhe dëshmoi qartë, bukur, me za të naltë, aty ku ndigjohet zani, aty ku perhapet fjala, aty ku mbetet dëshmia-porosi e françes- kanëve të mëdhaj, per të na drejtue kah jeta e virtytshme, kah parimet e pastra, kah ndjenjat e sinqerta. Dhe, mbasi doli nga burgu, vazhdoi “n së dashunit së botësë sanë”: Ut heri dicebamus! Pader Zefi kishte ambicie kombtare. Mjeti kryesor per me e mëkambë Shqipninë, mendonte, janë mendtë, asht dija. Dhe deklaroi (në mbledhjen e organizueme nga Prof. Dr. Dom Giovanni Brusegan me studentët shqiptarë në Itali, me qendër Padovën): “Në qoftë se jemi këtu per me lypë, jemi per me lypë vetem mend”. Në Padovën e njohun heret per ne shqiptarët, gjeti edhe mecenatin e ri bujar e arsimdashës, Prof. Dr. Dom Gjovani Brusegan, që fali per shumë vjet bursa per të pregatitë kuadro per Shqipni dhe bursa per kualifikime e specializime në fusha të ndryshme, me të vetmin kriter: të bahen të aftë per të punue per atdhe tonë.

Kur me 1913 u fitue pavarësia, patriotët tanë u perpoqen të ndertojnë shtetin shqiptar e Konica bante thirrje per shtet prendimor, në shtypin shqiptar lindi një revistë, ku françeskanët shqiptarë afruen kontributin e vet të çmueshem. Revisten e quejten “Hylli i Dritës”, pse po lindte “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”. 80 vjet ma vonë Pader Zefi, në kushte të ngjashme, me vullnetin me krijue shtet, nxori revisten françeskane “Hylli i Dritës”ku kerkoi ndërrimin e butë të sistemit, me shtet të së drejtës, me demokraci të vertetë per të gjithë, me pluralizem të natyrshem, plot mirëkuptim, e tolerancë, me jetë shoqnore kombtare e frymëzim prendimor, shkurt, pa Katovicë. Hyllin e Dritës e quejti “busulla në të cilën shenohet vetem një drejtim: Europë”. Aktuale atëherë, aktuale sot. Pader Zefi i dha frymë, shpirt e jetë revistës! Por nuk u ndal te revista, as te artikujt e tij me vlerë fetare e shoqnore. Si arkivist i vjeter, themeloi arkivin e ri. Ai vetë ishte arkiv i gjallë kujtimesh: mblodhi në popull materiale arkivore (edhe autori i këtyne rreshtave dorëzoi materiale), e pasunoi me materiale ardhë nga arkivat personale të P. Daniel Gjeçaj, të P. Marlekaj, të P. Paulin Margjokaj, etj. Një za i permbrendshem i kujtonte porosinë e françeskanëve të vjeter dhe filloi botimin e dorëshkrimeve të mbetuna gjallë: krijoi “Kolanën Françeskane” e botoi vepra te çmueshme të autorëve me vlera letrare e kombtare, si: kryesorët që zbuluen “Visaret e kombit”: Gjeçovin, që mblodhi pasuninë e mendimit juridik shqiptar; P. Bernardin Palajn, që praroi epikën tonë të mrekullueshme me talentin e vet poetik; P.Donat Kurtin që i dha shijë e profum përrallave tona kombtare. Pastaj u botuen poetë, gjuhëtarë, prozatorë etj, elitë intelektuale e shpirtnore e kombit tonë. Pader Zefi nuk asht pranë nesh, por Kolana e tij vazhdon premtuese e ngadhënjyese.

U quejt Frati i kujtimeve, në fakt qe Frati i deshmive, i deshmive të dhimbshme që as nuk duhen fshehë, as harrue, as mohue; Frati i plagëve, i plagëve që mbeten të pambylluna, i plagëve që kullojnë edhe sod lot, Frati i dekadave të vorfnisë materiale e shpirtnore; Frati vuejtësve fisnikë, që u shuen nder burgjet e komunistave, ku u ballafaque dhuna ma e eger, ma e ndytë e ma e pashpirtë e diktaturës me pafajsinë e qytetarit të lirë, ku injoranca ma e thellë demaskonte e torturonte dijen ma të këthielltë, ku i verbëti donte t’i udhëhiqte rrugën njeriut që shifte qartë dhe larg. Dhe u shpreh: “Dante e ka shkrue komedinë, ferrin e tij, per ne, jo per ju”. Dhe vertetë, po ta kishte shkrue ferrin nder birucat e hetuesisë, krejt ndryshe do ta kishte shkrue, se në Shqipni do të kishte pa atë që tha poeti Ali Asllani: “Shtrydhe tokën, kullon gjak”, se skenat e qelive komuniste të trishtojnë, të rrënqethin, të demoralizojnë, të zvetnojnë dinjitetin e të perdhosin karakterin me parafytyrimet kriminale ma shumë se skenat e ferrit dantesk, tue të dhunue çdo hir të dinjitetit njerëzor e tue të percjellë te vargu i poetit-gjeni: “O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!”. Prandej: as pluhun, as hije, as harresë nuk duhet të bjerë mbi to.

Pader Zefi na dhuroi memuaristikë françeskane: memuaristikë me vlera dokumentuese letrare e morale. Hapi i pari siparin e kësaj proze burrnore, shkrue me frymëzim martirësh, mbruejtë me ndjenja e plot erëza hiresh e virtytesh, por edhe e njomë me dhimba plagësh të pamjekueme, shkroi per një rilindje shpirtnore (të parilindun), per një zgjim kombtar (të pazgjuem), per një drejtim prendimor, (pa Prendim). Memuaristika antikomuniste lëshoi rrajë ma parë në mendimin e vuejtësve, mandej në shkrimet e dashamirëve e u kthye, pothuej, në traditë e çlirueme nga frika. Shkroi trilogjinë “Rrno per me tregue” që mbeti si testament per breznitë e ardhshme. Kush do me njoftë komunizmin pesëdhjetvjecar shqiptar, duhet të lexojë trilogjinë e Pader Zefit. Vepren e shkroi jo per t’na prishë gjakun, por per t’na mprehë sytë e mendjes; jo per t’na ftofë zemrat, por per t’na ngrohë virtytet e saj, jo per t’na thye shpresat, por per t’na ngjallë hov kah e mbara. Vepra nuk asht as ngerrç, as ankth, as stres, se diku paksonte peshën e shtypjes, diku zbuste dhimbjen e trupit, diku hidhte humor edhe nder tortura. Shkroi me gjuhë meshtari: pa falsifikime e pa gënjeshtra; pa inate e pa hakmarrje. Ajo të fton per jetë idealesh, per energji dinjiteti, per orientim të ri: pa egoizem vetjak, pa perçarje partiake, pa vetgjyqsi kanunore. Trilogjia mbeti si referim historik.

Kadareja u shpreh: “Rrno per me tregue, që është një nga dokumentet më të mëdhenj të gjysmës së shekullit…”. Shkroi edhe: “Françeskanët e mëdhaj”,( 2001). “Saga e fmijnisë- un që jetova shum shekuj”( me një parashtresë terheqëse, Saga e një idiolekti, shkrue nga Ledi Shamku-Shkreli). (2009); “Antipoezi për shekullin e njëzetë” (Poemë antiepike)( 2001);”Ut heri dicebamus”(2002), “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës (At Erasmo Balneo (1756-1788) kronikë e gojëdhanë; si edhe shumë artikuj intervista etj. Një episod: Një ditë më thirri në telefon në shtëpi të tij në Shkoder dhe shkova. U befasova, u çudita, shtanga. Pader Zefi kishte jetue 25 vjet nder burgje plot vuejtje e mundime, sharje e fyemje, rrahje e tortura e të gjitha këto nuk kishin muejtë me i dhanë atë pamje të pashpresë fizike, atë depresion të fortë. Ishte ngurtësue burri si cung i pajetë, i premë degësh e gjethësh. Në buzë sikur i kishte dekë fjala. Fytyra i shprehte një dhimbë të thellë të ngrime në rudhat e trasha; një shikim i pajetë, i vagulluem, i pafiksuem dilte nga sytë e tij të turbulluem, të shqetsuem. Më zgjati dorën e pafuqishme e që i dridhej, e me mundim më tha: “Kolec, nuk mundem ma me shkrue”. I thashë: “Keni nevojë per pushim, Pader. Mos merr lapsë, as leter, as liber e shko në malsi, 4-5 muej, e keni per të pa, se do të filloni persëri. Nuk e ndigjoi ngushllimin tim. Nuk e kuptova, a më shihte mue a parandjenjen e vet. Pak ditë ma vonë, shkoi në spital në Itali e nuk u kthye i gjallë. Pader Zefi e mbajti premtimin e fshehtë, jetoi e deshmoi, edhe kreu amanetin françeskan. I mbetet shoqnisë sonë të vejë në jetë amanetin françeskan: dekomunistizimin e shoqnisë shqiptare.

Check Also

Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës

Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës ARQIPESHKVIA METROPOLITANE TIRANË – DURRËS ARCHIDIOECESIS METROPOLITANA ...