Përshëndetje e Shkëlqesisë së Tij Imzot Rrok Mirdita

Arqipeshkëv i Arkidioqezës Tiranë-Durrës, në Meshën kremtuar në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë me Atin e Shenjtë.

Atë i Shenjtë,

Me ndjenjat e mirënjohjes më të thellë për vëmendjen që treguat ndaj Kishës sonë, popullit tonë e trojeve tona, kam nderin t’Ju shpreh, si ipeshkëv dioqezan, në emër të gjithë të pranishëmve, dashurinë e sinqertë që na lidh me Ju, duke ju falënderuar nga zemra për praninë Tuaj e për fjalët Tuaja.

Imzot Rrok Mirdita
Imzot Rrok Mirdita

Njerëzit tanë e pritën me gëzim të madh lajmin e vizitës së Shenjtërisë Suaj në këtë tokë të bukur, banorët e së cilës, për fat të keq, vuajtën shumë e gjatë. Kjo vuajtje, e shkaktuar nga pushtime dhe ideologji të ndryshme, nuk e zvetënoi, por e fisnikëroi shpirtin e popullit tonë. Duke ecur në udhën e vuajtjes, mësuam solidaritetin ndërmjet nesh, guxuam t’u hapim zemrat njerëzve, që jetojnë çaste të vështira, zbuluam vlerën e pallogaritshme të unitetit të familjes e nisëm t’i shikojmë larmitë, edhe ato fetare, jo si kufizim, por si pasuri.

Rreth 23 vjet më parë, ndërsa shembej regjimi ateist komunist, që premtoi parajsën pa Zot e la pas skëterrën pa ngushëllim, sepse deshi të marrë guximin për t’i rrëmbyer shpirtin njeriut, populli ynë bënte hapat e para, të ndrojtura, në udhën e lirisë. Por, për fat keq, shumë shpejt në horizont u duk mirazhi i një ideologjie tjetër; asaj që premtonte mirëqenien me çdo kusht. Ky mirazh i ri errësoi shumë mendje e verboi shumë ndërgjegje, duke i nxitur disa nga vëllezërit tanë të kërkojnë shtigjet më të shkurtra, që e bëjnë edhe më të vështirë ndërtimin e një shoqërie të drejtë e të paanshme. Këto vite provuam përvojën e hidhur të emigracionit, i cili rrëmbeu nga gjiri i ngrohtë i familjes shumë të rinj e edhe të moshuar të popullit tonë, duke e vënë familjen në provë të rëndë: pamë të thellohet hendeku ndërmjet pak të pasurve e shumë të varfërve e, pasi maska e materializmit ideologjik të komunizmit ra, njohëm mijëra fytyrat e rreme të materializmit praktik, të konsumizmit.

Në këtë kohë tranzicioni e çorientimi, Kisha në Shqipëri, e ndihmuar nga Kisha Universale, për të cilën pati nevojë të madhe pas persekutimit të gjatë, u përpoq ta dëshmojë Ungjillin përmes shërbimit të përvuajtur e besnik ndaj më nevojtarëve, në dialog të përhershëm me fetë e tjera e me mbarë shoqërinë. Kisha u përpoq të ishte gjithnjë pranë njerëzve të thjeshtë e të fisëm të kësaj toke. Prej këndej, mund të dëshmojë me siguri se populli ynë i vogël e bujar, që për shumë kohë mbeti i panjohur për shkak të dallgëve të rrepta të historisë e të izolimit absurd, nuk është kërcënim, por pasuri e madhe për rajonin tonë e për mbarë Kontinentin.

Duke ecur në gjurmët e martirëve tanë, besnikë ndaj Zotit e vëllezërve deri në vdekje, e edhe në gjurmët e një bije të dashur të kombit tonë, Gonxhe Bojaxhiut, që bota mbarë e njeh me emrin Nënë Tereza e Kalkutës, kërkuam fytyrën e Krishtit në fytyrat e gjithë njerëzve. Megjithatë, jemi ende larg synimit për të qenë Kishë e përkryer.

Kemi nevojë që Ati, Papa Françesku, të na mbështesë, të na përforcojë në fe, të na korrigjojë e të na japë zemër. Kemi nevojë, Shenjtëri, për fjalët Tuaja, për stilin Tuaj, për dëshmimin tuaj të kthjellët të kërkesave të jetës së krishterë e, sidomos, për kumtin Tuaj aq inkurajues të mëshirës së Hyjit. Kemi nevojë për gjithçka, që Ju po ia ofroni bujarisht Kishës e botës, që nga ai muzg i parë, kur u dukët mbi Sheshin e Shën Pjetrit si Ipeshkëv i ri i Romës, pasardhës i kreut të Apostujve.

Ju falënderojmë që i patët parasysh nevojat tona, që i vlerësuat pasuritë tona. Ju falënderojmë që na e bëtë dhuratën kaq të madhe të pranisë Suaj në tokën tonë. Ju falënderojmë për fjalët Tuaja, për këtë Eukaristi, për lutjen me ne e për ne! Kjo ditë do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën e popullit tonë e tonën e ju sigurojmë se do t’ju shoqërojmë besnikërisht me lutje e me dashuri.

Check Also

Adhurimi Eukaristik – Një orë me Zotin tonë – IV e Diele Gjatë Vitit -B-

IV e Diele Gjate Viit -B- Hesht dhe del prej tij (1) Adhurimi Eukaristik Një ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *