Shejtnorja që fitoi ndaj urrejtjes.

Kisha e Zojës bri kalasë.

Kisha e zojes se shkodresKushdo që shkon në Shkodër, nuk mund të rrijë pa kënaqur syrin tek një kishë e vogël e ngritur rrëzë Kalasë. E shikon me kënaqësi atë kishë, dhe nuk e din se ajo, ndonëse e vogël, mbetët një nga shenjtoret më të mëdha, një nga tempujt më domethënës të krishterimit shqiptar. E deshi dhe e frekuentoi kaq shumë populli gjatë shumë shekujve e, po për këtë arsye, e urrejti armiku i saj për gjatë shekujve. E shkatërruan dy herë por ajo u ngrit serish, për tw tretwn herw, mw e bukur sw kurrë, më e dashur së kurrë duke ngadhënjyer mbi urrejtjen.

Të gjithë shqiptarët e kujtojnë vizitën e parë që një Papë bëri në token shqiptare në dymijë vjetët e Krishterimit shqiptar, një pape i madh, Papa Gjon Pali II. Ai puthi tokën shqiptare dhe solli me vete, la këtu në Shqipëri, me saktë në Shkodër, edhe një dhurate të madhe. I solli Shkodrës dhe krishterimit shqiptar, atë që i takonte, atë që kishte ikur, atë që e kishin detyruar të largohej… e Ai ja kthente.

Çfarë është ky tempull që ashtu si rrufepritësja thithi kaq egërsisht urrejtjen e kundërshtarëve?… Pse e shkatërruan atë me kaq egërsi e zemërim turqit pesë shekuj më parë?.. Pse vallë, po me atë egërsi e urrejtje e shkatërruan edhe komunistët pesë shekuj më pas? Çfarë ruante ai tempull i shenjtë aty në shkëmbin e fortë bri kalasë?… Cila është e vërteta e asaj Zoje të çuditshme, që ka hyrë në historinë shqiptare si Zoja e Shkodrës që ka ikur, ka shkuar e ka zënë vend atje larg në Gjenacanë?

Shkojnë çdo ditë atje me dhjetëra e qindra turistë për tu lutur, për të kërkuar nderë, ndihma e Shpëtime, për sëmundje e fatkeqësi dhe çuditërisht mësojnë se ajo Zojë i përket Shqipërisë, është Zoja e Shkodrës. Është Zoja e Këshillit të Mirë që ka ikur për t’i shpëtuar dhunimit turk; që e morën mbrapa shqiptarët dhe e përcollën deri në Gjenacanë duke kaluar nëpër ujëra, nëpër dete… për të lënë atje edhe trashëgimtarët e tyre që vijojnë të jetojnë ende sot! Cila është ajo Zojë që ikën dhe, për shekuj pas, len të krishterët… shqiptarët, shkodranët, duke kënduar këngën e saj të përjetshme?

Lë ta lexojmë fillimisht këngën e më pas të mësojmë historinë e saj.. “….Qysh atë ditë që na u largove Njëmijë t’zeza na kanë mblue Ktheju Nanë me na ndihmue Na sjell paqe, na sjell shëlbim Ktheju Zoja e Këshillit t’mirë Na sjell paqe, ma t’ bukrin hirë…”

Breza të tërë në Shkodër e më tej e kënduan këtë këngë, e drejtuan këtë lutje, e patën këtë shpresë, e ëndërruan këtë ditë, që vonoi nder shekuj, e megjithatë duket sikur erdhi. Madje e sollën atë jo fshehtas ashtu si iku, jo shoqëruar nga dy qytetarë; e solli një Papë Shenjt, e solli zyrtarisht në ditën e ikjes, plot mbas 526 vjetësh. Ja pra, gëzimi i madh i ardhjes së Papës në Shqipëri ka me vete edhe një tjetër gëzim të madh për ne shqiptaret e të gjitha besimeve, të krishterëve posaçërisht.

Vjen Zoja e Këshillit të Mirë, diçka prej saj, një kopje e saj, simbol që tregon atë që ka qenë dëshira e madhe e përjetshme e katolikëve shqiptarë dhe e gjithë shqiptarëve. Çfarë përfaqëson kjo fugure Zoje? Përse përmendet kaq shumë e kaq shpesh? Është e jona apo e Gjenacanës? E themi vetëm ne së është e jona apo e pranojnë edhe të tjerët? Sa pikëpyetje, mendime e aspirata zgjidhen me këtë përgjigje. Le të ndalemi pra, ne veçanti, edhe mbi ketë gëzim tjetër të madh; le të bëjmë edhe një tjetër ndalesë sa të dhimbshme aq edhe të këndshme! Zoja e Këshillit të Mirë dhe Gjenacani një binom që ti lexues i dashur e ke hasur kaq shpesh. Janë shuguruar e kanë thënë Meshën e Parë atje dhe këtu, tek Zoja e Këshillit të Mirë në Gjenacanë dhe bri Rozafës: D. Nikollë Tusha, D. Ndre Zadeja, D. Dedë Malaj e sa e sa të tjerë meshtarë që do të bëheshin më pas martirë të Kishës Katolike gjatë diktaturës komuniste vetëm sepse e kishin nisur rrugën e tyre meshtarake në atë vend.

Ja sepse nuk mund të lija pa u ndalë në këtë Zojë që është Pajtorja e të gjithë shqiptarëve, që është simbol i dhunës së ushtruar mbi Kishën Katolike Shqiptare nder shekuj e që derdha pikën e lotit për fatin e keq shqiptar edhe mbas 530 vjetësh, në vitin e zi të 1997, kur, mbas sa vrasjeve e djegieve, mbytjeve në Otranto e të mbijetuarve në Karafa, mbas sa nënave që mbeten të veja e fëmijëve jetim, shkurt, mbas asaj çmendurie kolektive që nuk duhej të ndodhte kurrsesi mbas 50 vjetësh diktature të shëmtuar. Ishte një pikë loti që ra jo rastësisht mbi librin e përshtypjeve të muzeut kur shkruajta fjalët:

“ O Zojë! Nëna e Këshillit të Mirë! Nëse je vërtetë Nëna e shqiptarëve ndihmoi ata, sepse më shumë se kurrë ata sot kanë nevojë për ty…”

E, për të më lehtësuar dhembjen, mua, Ambasadorit Shqiptar pranë Selisë së Shejte, famullitari i Gjenacanit më fali fotografinë e Zojës me kornizën e bukur e me vlerë që e kam ndër gjërat më të vlerëshme për të gjithë jetën time të mbetur. Natyrisht desha ta paguaj, por famullitari plak e fisnik me nxorri dorën nga xhepi dhe më tha: “E ke paguar më shumë, me atë pikë loti që ra mbi shkronjat e zeza të asaj letre të bardhë. Ki besim. Zoja do ta ndihmojë Shqipërinë dhe popullin tënd që vërtetë ka vuajtur shumë…” M’u duk se kështu merrte me vlerë shkrimi, bëhej më e besueshme e më e dhimbshme ngjarja e ikjes së Zojës nga trojet shqiptare në atë kohë të vështirë… në atë kohë të turbullt të pushtimit osman…

Një histori e jashtëzakonshme e argumentuar mirë.

“Në vitin 1467, në festën e Shën Markut, në muzg, fugurja e Zojës që nderohet në këtë elter të mermerët të këtij tempulli, u shfaq diku lart në qiell.”

Kështu lexohet mbi gurin (shkrimi latin) nën timpanin e portës së Santuarit (tempullit) të Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacanë. Sipas thënjeve të studiuesve, si dhe fakteve të treguara, kjo i përket shekullit të XV. Ka gjithashtu mjaft dokumenta tjerë që i përkasin epokës së kësaj mrekullie. Kapela e brendshme, ku ruhet figura e mrekullueshme e Zojës, qëndron mbi një tribune të bukur të një mermeri të rrallë, që i përket edhe ai fundit të shekullit të XV. Në harkun e kësaj tribune lexohet shprehja shumë e thjeshte latine: “Në mënyrë hyjnore kjo figure u shfaq në vitin 1467, me 25 prill”.

“Ardhja” e Zojës

Zoja e shkodresAsokohe, Provincial Agostinian i Provincës Romane, nga e cila varej kisha qe i ishte dhuruar agostinianeve nga Colona, pronare lokale, ishte Pater Ambroz da Cori, i quajtur Koroliani… “E teta“, thotë, “ishte e Lumja Petrucia e Gjenacanes, e cila, shpenzoi gjithçka pati për të riparuar kishën tonë, duke vënë kështu në jetë këshillën e Krishtit: nëse do të jeshë i përkryer, shko, shit gjithçka ke, jepja të varfërve, e pastaj më ndiq mua”. Pelegrinazhet në Gjenacanë u bënë aq të shumtë, saqë Papa Pali II dërgoi atje dy ipeshkvij që të merrnin një informacion mbi situatën, siç rezulton nga një biografi e shkruar në vitin 1478 pranë Arkivit të Vatikanit. Nuk rezultuan parregullsi, e kjo shpjegoi edhe përkrahjen që Papët filluan t’i japin këtij Santuarit përgjatë shekujve. Varri, me eshtrat e Petrucies, e nderuar tashmë përgjithnje si shenjte, është në të hyrë të kishës. Në vitin e “ardhjes” së Zojës, siç e përshkruajnë gjenacanasit faktin, u redaktua nga një noter “kodi i mrekullive”, që përshkruan 161 mrekulli të ndodhura në kapele në periudhën 25 prill deri me 14 gusht të vitit 1467. Prefekti i Arkivit të Vatikanit, mons. Marini, verifikoi autenticitetin e tyre në vitin 1779 ku gjendet madje, edhe ringjallja e një të vdekuri. Gjashtë muaj mbas “ardhjes”, padret augustinianë nuk kanë mundur të vazhdojnë të dokumentojnë më, me saktësi e kujdes, “lumin” e vazhdueshëm të nderërave të gjetura, duke u kufizuar të pranojnë vetëm dhuratat në ar, argjend e mermer që silleshin në kujtim të ndërhyrjeve mbinatyrore.

E ardhur po, por nga?

E thotë me zotësi Patër Amedeo Eramo, rektor i Santuarit: “Këtu bëhet fjalë për dy popuj që në të njëjtën kohë (prej më së 5 shekujsh), e pohojnë një fakt të tillë të pashpjegueshëm: Fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë vjen nga Shkodra – Shqipëria. Si mund të mendohet që të jetë një “gënjeshtër kolektive, një mistifikim e shpikje? “Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II, duke vizituar Gjenacanin, pikërisht para se të vinte në Shqipëri, shpalli këtë pohim: “Nga Shkodra, erdhi fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë që nderohet në këtë vend: sipas një tradite shenjte, ajo u largua nga kisha që e strehonte, duke shpëtuar kështu për mrekulli nga pushtimi turk i vitit 1467”. E, me këtë rast lind nevoja të përcaktohet diçka lidhur me historinë dhe traditën. Në fakt, në vitin 1467, fillon pushtimi i “Vendit të shqiponjave», Shqipërisë, nga fuqitë osmane. Kjo përkon me vdekjen e atletit të Krishtit, siç është quajtur kampioni i mrekullueshëm i Krishtërimit të kohës së tij, Gjergj Kastrioti – Skanderbeg. Sa ishte gjallë Ai, Shqipëria rezistoi. Me vdekjen e tij erdhi nënshtrimi përfundimtar. Të krishterët ikën gjithnjë e më në Veri, për ti bërë ballë pushtimit islamik. Kështjella e fundit është Shkodra, gati në kufi me Malin e Zi.

”Kthehu O Nënë e dashur, kthehu sa më parë në Shqipëri”

Sapo në të dalë të Shkodrës është shejtnorja i Zojës së Shkodrës. Ai u ndërtua mbas rënies së komunizmit, në të njëjtin vend ku, në kohën e pushtimit turk, nderohej në një kishë të vogël, një afresk i bukur i Marisë me Birin e saj. Shqiptarët kanë thënë gjithnjë se është fjala për të njëjtin afresk që nderohet në Gjenacanë. Në një dite të bukur, nën presionin e pushtimit turk, pjesëza e murit me afreskun e Zojës u zhduk. Pastaj Santuari u kthye, në një gërmadhë të zbuluar e pa çati nga turqit, ku megjithatë, shihej një katërkëndësh i zbrazur në mur. Në vitin 1967, këto mure u hodhën në erë me dinamit nga qeveria komuniste. Prania e saj ishte e papërshtatshme për një Shtet që deklarohej ateist edhe me Kushtetutën e tij. Në fakt, për shekuj katoliket shqiptar, sidomos banoret e maleve te “shqiponjave”, shkonin atje për tu lutur: “Ktheju, ktheju O Nënë e Dashur, ktheju sa me parë në Shqipëri”

Ipeshkvi i Shkodrës, Pal Kamsi, erdhi në Gjenacanë në vitin 1754, dhe deklaroi se tashmë në atë kishe nuk ishte më Zoja që nderohej dikur nga besimtarët, edhe pse atje ende vazhdojnë të shkojnë e të luten, dhe, në disa netë, siç e përcaktojnë edhe vetë burimet turke, “një shkëlqim jo i zakonte…” shifet mbi ndërtesë si një rreze e bardhë”. Ai shton se “Zoja e Gjenacanës” është po me atë ngjyrë në të cilën janë të pikturuara fuguret e tjera të Zojës Virgjër të asaj kishe”. Një shekull më vonë, në vitin 1878, kjo dëshmi u pohua në një letër dërguar eprorit të Gjenacanës nga vikari gjeneral i dioqezit të Shkodrës, Engjëll Radoja: “Dijmë të themi me besimin e plotë që e kemi ndëgjuar jo vetëm nga klerikët, por edhe nga shumë paraardhës tanë, që sigurisht nuk kanë pasë edhe më të voglën nevojë të gënjenin pasardhësit e tyre, që në kishën e vogël të vendosur në këmbët e Kalasë së Shkodrës, mes lumit Drin e Bunë, të ketë egzistuar fugurja e Zojës së Shkodrës, e që disa vite para se turqit të pushtonin Shkodrën, ka ikur nga kjo kishë e vogël dhe për mrekulli, është vendosur në një tokë të huaj, pra në Gjenacanë”

Në shekullin e XIX, ipeshkvijtë shqiptar e shpallen zyrtarisht Zojën e Këshillit të Mirë, (patrone) mbrojtëse të Shqipërisë. Në vitin 1932 ka pasur një pelegrinazh të madh shqiptar në Gjenacan, të udhehëqur nga arqipeshkvi i Shkodrës, për të cilin ka folë me hollësi “L’Osservatore Romano“. Pelegrinet vendosën aty një gur që ruhet ende sot me mbishkrimin: “O Zojë – ktheju në Shqipni”.

Para se të perpihej nga regjimi komunist, delegati apostolik Imz. G.B.Nigris shkruan, me 28 dhjetor 1946: “25 Prilli 1467 është data në të cilën afresku mrekullisht do të shkëputej nga elteri, dhe, duke kaluar Adriatikun fluturim, mes një tubë engjujsh do të zbriste në Gjenacan”, duke shtuar që mjerisht janë zhdukur provat gjatë “islamizimit të dhunshëm të vendit“, por që mbetet ende “devocioni i përhapur dhe i gjallë ndaj Zojës së Këshillit të Mirë, e nderuar si Patronja e Shqipërisë. Nuk ka shtëpi katolikësh që mos të strehojë fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë”.

Një tradite qe harmonizohet me një tjetër. Nga ana e tyre, gjenacanasit thojnë që, nga kohet e shkuara, disa ditë pas “ardhjes“, u vendosen në atë vend dy shqiptarë me emrin Gjorgjio e Sklavis. Ata, mbasi panë afreskun duke ikur prej Shkodret, e ndoqën atë mbi dallgët e detit. Aktet noteriale të M.A.Rosa, që shkojnë nga 1487-1529, flasin për gjashtë shqiptarë banues në Gjenacan dhe ka gjithashtu një testament të njërit prej tyre, Gjergjit, në favor të bijve të tij. Disa familje, me origjinë të sigurt shqiptare, ende sot banues në Gjenacanë, thonë që e kanë prejardhjen nga Gjergji. Dokumentat e parë ekzistuese që lidhin Shqipërinë me shfaqjen e Zojës, i përkasin vitit 1681, por duhet pasë parasyshë që santuari u plackit shumë më parë, motiv për të cilin Aleksandri VI shpalli një skomunikim, mallëkim, kundër hajdutëve në vitin 1502. Në vitin 1778, tetë pleq nga Gjenacani, laikë e meshtarë, përpiluan para një noteri një dokument që konfirmonte traditën e lashtë, që kërkonte të vërtetohej se Zoja kishte ardhur nga Shkodra.

Me 25 prill 1993 Papa Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të Tij historik në Shkodër, shuguroi katër Ipeshkvinjtë e parë dhe, bekoi gurin e parë të shejtnores.

Me 24 Maj 1998, për të tretën herë në histori, shejtnorja e Nënës së Keshillit të Mirë e shkatërruar dy herë: nga perandoria turke në vitin 1468 dhe nga rregjimi komunist në vitin 1967, u kushtua solemnisht nga Kardinal Jozef Tomko, Prefekt i Kongregates per Ungjillezimin e Popujve. Shenjetorja ështe prapë aty, edhe më e bukur, edhe me impozante. Ajo, sikur u krenohet armiqve të vet mjeranë dhe u thotë:

Eni kur të duani..Me prishni sërish.. Unë prap do të ngrihem… për të mbetë përjetësisht në lavdi. Ju prapë do të bini për të mbetë përjetësisht në paturpësi…

Nga:Dr. Pjetër Pepa

Tragjedia dhe lavdia e Kishës katolike Shqiptare

Check Also

Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës

Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës ARQIPESHKVIA METROPOLITANE TIRANË – DURRËS ARCHIDIOECESIS METROPOLITANA ...