Vuajtja e një Kishe që rilind mbi gjakun e Martirëve

DOM JOSEF MARKSEN, lindi në Worringen (Gjermani), më 2 gusht 1906. Erdhi në Shqipëri si misionar dhe punoi në zonën e vështirë të Kthellës (Mirditë). Dha një kontribut të madh për rritjen e fesë së atij populli, por edhe në fushën e të mësuarit dhe të kulturës. Në periudhën 1938-1943 u angazhua në famullinë e Perlatit (Mirditë). Gëzonte një dashuri të madhe nga ana e popullit. Tregojnë se ishte shumë lidhur me kishën dhe me popullin. Studioi dhe praktikoi gjuhën shqipe tek meshtari i mirë Dom Mati Fishta, famullitar i Malajt. Në vitin 1943 u transferua në Jubë të Durrësit. Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg, sepse ishte prift dhe sepse ishte gjerman. U mbyll në burgun e Tiranës dhe nga aty u zhduk. Të dënuarit e tjerë tregojnë se një natë e nxorrën nga burgu dhe pastaj nuk e morën vesh kurrë se ku e kishin dërguar. Thuhet se kanë pushkatuar në një pyll më 17 nëntor 1946, në moshën 40 vjeçare. Para se ta merrnin, Dom Josef i kishte thënë një shokut të burgut këto fjalë: ”Jam i kënaqur që po vdes, sepse shqiptarët do të më kujtojnë gjithmonë si prift i fesë së Krishtit!”. Ka vdekur in odium fidei catholichae et Germaniae.

Nga Dom Marjan Lumçi

17 nëntor 1946 ,Pushkatohet Dom Josef Marksen.

Dimë pak gjëra për të, ngaqë vitet e shumta që kanë kaluar e kanë mbështjellë jetën e tij me një vel harrese. Megjithatë, gjatë përpjekjeve e kërkimeve në arkiva e dokumente, diçka mundëm të grumbullojmë edhe për këtë klerik fatkeq që la eshtrat jashtë atdheut të tij, në shërbim të besimit të cilit i kishte kushtuar jetën. Lind në Gjermani në vitin 1901 e vjen në Shqipëri si misionar i fesë. Shërben si misionar në zonat e thella të Mirditës, në Kthellë dhe, në vitet 1938-1943, në Perlat, ku ndihmon në përhapjen e arsimit. Vitet e fundit, 1943, në Jubë, dioqeza e Durrësit. Arrestohet nga marsi i vitit 1945 e torturohet tmerrësisht, vetëm sepse është prift katolik dhe gjerman. Dënohet me 2 vjet burg në Tiranë, prej nga zhduket, pa ditur asgjë mbi të. E pushkatojnë fshehurazi, në të dalë të Tiranës, në vitin 16.XI.1946. Nuk ka dosje të tijën në arkivat e Ministrisë së Rendit. Rastësisht, në Dosjen 1636 (6) të gjyqit dhe të ekzekutimit të Koçi Xoxes, ku punonjësit e Sigurimit deklarojnë për krimet e kryera nën urdhrat e tij, si ministër i Brendshëm, mbi njerëzit e pafajshëm, kemi gjetur deklaratën e Kapo Kapajt, i cili thotë: “Mbi vrasjen që u ba gjatë rrugës për në Kukës, të Dom Zef Marksen, Rudolf Uaber e Joseph Kutzen, të cilët i kishim në udhëtim për t’i nxjerrë përtej kufirit e për t’i dërguar në vendet e tyre. Vdekje fashizmit! Liri Popullit! Shtabit të Divizionit të Mbrojtjes Popullore – Raport: Në bazë të urdhrit tuaj, me shkresën Nr.657, Rez.Datë 16.XI.1946, mora në dorëzim gjermanët Dom Zef Marksen, Rudolf Uaber dhe Jozeph Kutzen, dy të parët nga burgu i kriminelëve të luftës dhe njëri, nga burgu ushtarak. Të tre të pandehurit, në bazë të shkresës së sipërme, do të përcilleshin për në Kukës ku, prej andej, do t’i dorëzoheshin Prizrenit, për t’u kthyer n’atdheun e tyre, Gjermani. Për shkak të komunikacionit, nuk pati mundësi që nisja të bëhej ditën. Tue dalë 8 kilometra jashtë qytetit, të naltpërmen- durit, nga errësira e natës dhe tue përfitue nga mosfunksionimi i mirë i makinës (nuk tërhiqte), në një të përpjetë, shtynë rojet e u hodhën nga makina n’orën 20.18. Unë që jam shoqëruesi i tyre, jap urdhër që të qëllojnë kundër tyre për t’u ndalur dhe t’i kapnin të gjallë, por, tue pa se u larguan më tepër se 200 metro larg xhadesë, edhe pse errësira e natës ishte e madhe, jap urdhër të shtien drejt mbi ta, për t’i vrarë. Kështu që, 250 metro larg xhadesë, të tre gjermanët mbetën të vrarë, dy nga e djathta e xhadesë, dhe Jozeph Kutzen, 350 metro në krahun e majtë të xhadesë. 17.XI.1946; Shefi i N/Seksionit të Brendshëm D.M.P- Kapiten i II, Kapo Kapaj D.V. Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit: Tekstualisht sa më sipër, ju dërgojmë raportin e shefit të N/ Seksionit të Brendshëm të Divizionit, i cili ka qenë përgjegjës i forcave që shoqëronin të tre të naltpërmendunit. Komandant N/Kolonel Gjeli Argjiri; Komisar politik – N/Kolonel Gafur Çuçi. “Një natë të errët, – tregojnë bashkëvuajtësit e burgut,- e morën dhe s’dihet nga e çuen. Pyetëm dhe gjurmuem me sa mundëm, por s›mësuem asgja. Për nji gja jemi të sigurt, Dom Zefin nuk na e kthyen ma. Flitet se e vranë diku në një pyll…flitet…Ishte 45 vjeç. Nanëzeza atje, në Gjermaninë e largët, e priti për vite djalin e saj klerik. As në mendje s›i shkonte t›ia kishin vra, pse ai nuk i kishte ba kujt keq. Shërbente në Shqipni, në zemër të Ballkanit, në Europë, e jo në nji xhungël Afrike. Si mund të vritej njeriu, ashtu kot, pa gjyq?! Tani, thonë, janë takue nanë e bir, janë çmallue me njeni-tjetrin. Jetojnë bashkë të gëzuem atje lart, në mbretninë qiellore.” Me pretekstin se do ta dorëzojnë në Prizren për t’u kthyer pranë shtëpisë e familjes se vet, e pushkatojnë në një arë e kthehen të marrin shpërblimin për veprën e kryer. Çfarë hipokrizie edhe në trillim! Po nëse njeriu do t’u ktheka pranë familjes, përse u dashka të ikë e të vritet?! E nuk kalojnë as dy vjete, Kapo Kapaj me shokë deklarojnë në gjyq se si kanë vrarë e kanë prerë njerëz të pafajshëm, vetëm “sepse na ka thanë Koçi Xoxe. Ai po, vetëm ai asht krimineli!”. Ata vetëm se u janë bindur urdhrave të tij, janë kthyer e kanë marrë paratë dhe ndërgjegjen e kanë në rregull. A nuk ngjason kjo me paratë që mori Juda kur tradhtoi Jezusin e u var në pemë? E me ata para që mbetën, nuk mund të blihej asgjë, sepse ishin para gjaku, ndaj u ble vetëm një arë për t’u shfrytëzuar për varreza. E kjo arë do të quhej gjithmonë “ara e gjakut”, siç mund të quhet fare mirë edhe ara ku pushkatuan Dom Zef Marxen me dy shokët e tjerë, siç quhet muri i gjakut, atje, te zalli i Kirit të largët, ku u pushkatuan me dhjetëra të tjerë, kolegë të besimit dhe idealit të tij, me të cilët kishte bashkëpunuar për kaq kohë.

Dëshmi:

Ishte nji misionar gjerman që shkeli me kambët e tij të zbathuna malet e Mirditës dhe të Kthellës. Njofti mirë zonat e Matit. Dha nji kontribut të madh për arsimin dhe edukimin kulturor. Nji shëmbëlltyrë e perafert e Trackit. Njofti mirë gjuhën shqipe, punoi për te, por me arrestimin e Tij, në 1946, u zhduken të gjitha, ashtu si edhe punimet shkencore. Edhe Ai ishte i ri, rreth 40-ave. Nji prift i mprehtë, fjalëpak, shumë modest. I donte shumë katundarët e malcorët tonë. I dukej se tue jetue me ta, nuk bante asnji sakrifice. U mundonte me shue gjaqet e shumta të atyne krahinave. Punonte për afrimet fetare, kryesisht ne zonat e Durrësit, ku punoi kohët e fundit. At Zefit nuk i shkonte mendja se nji ditë do të arrestohej si “tradhtar e spijun“ dhe se do të dënohej me dy vjet e, mbas pak ditësh, do të merrej hajnisht nga burgu e do të pushkatohej…E parandiente se komunistat do të banin diçka me te. Në ditët e fundit, i kishte thane një të burgosuni: “Jam i lumtun se po vdes tue u kujtue gjithmonë prej shqiptarëve, si meshtar i Fese së Krishtit.” Me thane të drejten, Ai shyqyr që ka vdeke me ate përshtypje për ne, por kam frike se edhe Ky asht harrue si misionarët e tjerë. E tham me bindje se Tracki vlerësonte punën qe bante At Zef Maksen, ma shumë se tjerëve, mbasi malet ku punoi Ai, ishin ma të ashpërta dhe të mbrapambetuna se kudo. At Zef Marksen ishte nji misionar i denje, qe qëndron përkrah Trackit. Edhe Ai ka la me gjakun e Tij tokën shqiptare. Padër Konrad Gjolaj, “Çinarët”

Arkiv:

Më 20 shtator 1937, në Selinë Ipeshkvnore të Delbnishtit u zhvillua mbledhja e Sinodit të Dioqezave, nën kryesinë e Imzot Pjetër Gjurës, i cili bëri thirrje për bashkimin e popullit, të besimtarëve të krishterë rreth Atit të Shenjte, rreth Zotit, sepse ai ka thane: “Unë jam me ju gjithmonë, deri ne të sosur të botës” (Ungjilli sipas Mateut, fq. 20). Kjo ndihmoi qe ne Sinod të merren vendime për vlera shpirtërore. Veç vendimeve të tjera, ne Sinode u vendos të krijohet Shoqëria “Misio Apostolica Sacerdotalis“, që kishte si qëllim të ruante Shpirtin e Shenjte, me anën e paqes qe bashkon dhe zhvillimin e aktiviteteve për përhapjen e fesë në çdo skaj të Shqipërisë.

Aktet e Sinodës së Dioqezave:

Mbas mbledhjes të klerit paradite, u mblodh Këshilli Dioqezan me Ordinarin, e kjene ndrrue këta famullitare: Imzot Jul Bonati kje zgjedhe Vikar Foraneo e Famullitar ne Vlonë. Dom Anton Zogaj, Famullitar në Durrës. Dom Ast Koka, Famullitar ne Derven. Dom Pal Gjini, Famullitar ne Shna Prende. Dom Zef Marxen, Famullitar ne Perlat. Padër Bernard Llupi O.F.M., Famullitar ne Jubë. Mbasdite n’oren 3.30, u ba të mbledhunit i Klerit të seksjonit të dytë. Në këtë Shoqni u shkruen: Dom Pjetër Dema, Imzot Jul Bonati, Dom Vlash Muçaj, Dom Mati Fishta, Padër Klement Miraj O.F.M, Padër Sante Gemelli O.F.M., Padër Pal Çiurçia O.F.M., Dom Ast Koka, Dom Shtjefën Kurti, Padër Simon Mikeli Gemelli O.F.M., Padër Loro Mileta O.F.M., Padër Ndue Topalli O.F.M., Dom Luigj Gashi, Padër Bernard Llupi O.F.M., Dom Anton Zogaj. Kështu mbaroi Dita Sinodale e Ordinari me të tanë Klerin shekullar e rregulltar, ju falne nderës Zotit, me uratët e fundit. Delbnisht, Dita e Sh’Mateut Apostull, 1937 Pjetër Gjura Arqipeshkëv i Durrësit* * AQSH, Fondi 131, dosja 8, fleta 71

Ky është dokumenti i parë që mundëm të gjejmë deri tani mbi praninë e Dom Zef Marksenit në Shqipëri. Dëshmitë e tjera vazhdojnë më pas, nga 1943 e vazhdim. Gjate vitit 1943, mes vështirësive të panumërta, në famullinë e Tiranës shërbejnë këta meshtarë: Dom Anton Zogaj – Durrës; Dom Zef Marksen – Jubë; Dom Mikel Lezhja – Bilaj; Dom Ast Koka – Derven; Dom Pashko Muzhani – Zhejë; Dom Pjetër Dema – Milot; Dom Luigj Gashi – Gurëz; Dom Pal Gjini – Shna Prende; Dom Marjan Arta – Rrëshen; Dom Mati Fishta – Kthellë; Dom Vlash Muçaj – Selitë; Dom Ndue Doçi – Tiranë. Me gjithë vështirësitë e mëdha, ushtrimet shpirtërore u kryen edhe në vitin 1944, sipas propozimeve të Dom Shtjefën Kurtit. Ne letrën Nr.294/44, date 18.8.1944, drejtuar Dekanit Famullitar të Milotit, ku e njeh edhe me rendin e ushtrimeve dhe detyrimeve përkatëse, kemi shkresën: Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë Nr.294/44 18.8.1944 Z.Pjetër Dema Dekan Famullitar Milot.

Fort i Nderti Zotni:

Shkelqesia e Tij Arqipeshkëv i Durrësit, mbi propozimin t’em, më shkruen prej Delbnishtit me date 10 gusht 1944 Pr.Nr.203/44, mbi mënyren e ushtrimeve të shpirtit që do të bajnë meshtarët e dy Dekanateve të Tiranës e të Milotit. Rendi i parë i ushtrimeve fillon me 18 shtatuer ne mbramje e mbaron me 22 ne mbramje. Rendi i dytë fillon me 25 shtatuer e mbaron me 29 ne mbramje. Lista e Rendit të parë: Dom Kurti, Dom Zogaj, Dom Shantoja, Dom Koka, Dom Gashi, Dom Pali. Lista e Rendit të dytë: Dom Dema, Dom Lezhja, Dom Muzhani, Dom Doçi, Dom Marksen, Dom Nikaj. Famullitari – Dom Shtjefën Kurti Shteti diktatorial kish dalë hapur kundër fesë. Aparati i dhunës kishte nisur aktivitetin e tij, me kapacitet të plotë. Nisën arrestimet e burgimet e meshtarëve të pafajshëm. Tiranë, 9.II.1945 Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë Prot.Nr.71/ 45 PT. Zyres Ordin.Arqip. të Durrësit në Delbnisht Zyrja Famullitare e Tiranës njofton atë Zyre Ordinarjate Arqipeshkvnore të Durrësit, se janë arrestue e se gjenden ne burgje të Tiranës, fort të ndershmit zz.Dom Lazër Shantoja, Dom Zef Marksen e At Frano Kiri. Famullitari Dom Shtjefën Kurti* *AQSH, Fondi 131, viti 1945, dosja 6, fleta 2.

Dom Shtjefën Kurti, i shqetesuar nga fakti se në burgjet shqiptare, tashmë të tejmbushur me njerëz të pafajshëm, ishin edhe klerikët, mes të cilëve edhe Padër Anton Harapi e Dom Zef Marksen, të cilët kryenin dënime të pamerituara në burgun e Tiranës, me një shkresë të veçantë i ishte drejtuar ministrit të Drejtesise, z.Manol Konomi, nga i vjen kjo përgjigje: Qeveria Demokratike Shqiptare Ministria e Drejtësisë, V.F.L.P. Tiranë, më 30.VI.1945 Zyres se Famullise Katolike Tiranë Gjegje Shkrese Nr. 209/45, dt.28.6.1945 Mbas kërkeses se kësaj Ministrie, Drejtoria e Mbrojtjes se Popullit do t’i lejojë Padër Anton Harapit dhe Dom Zef Marksenit me meshue privatisht, për llogari të tyne, në burg. Gjithashtu, do t’u lejohet të marrin teshat e duhuna për këtë shërbim. Ministri Manol Konomi* *AQSH, Fondi 131, viti 1945, dosja 6, fleta 5

Check Also

Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës

Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës ARQIPESHKVIA METROPOLITANE TIRANË – DURRËS ARCHIDIOECESIS METROPOLITANA ...