Zoja Mari Shenjë shprese për jetën e familjes

Nga Imzot George Frendo

Zoja Mari Shenjë shprese për jetën e familjes
Zoja Mari Shenjë shprese për jetën e familjes

Kur për disa ditë qielli është i vranët, shiu nuk pushon, fryn erë e fortë, balta e mbulon faqen e rrugës, dhe mezi guxojmë të dalim nga shtëpia, ne ruajmë shpresën se së shpejti do të dalë dielli. Kur në jetën tonë përballojmë disa probleme dhe vuajtje, jemi të mbrojtur nga dëshpërimi duke ruajtur shpresën se problemet do të kalojnë, e jeta do të kthehet tek normaliteti. Është shpresa që na jep fuqi dhe kurajë në çaste të vështira të jetës; është shpresa që na shtyn drejt një të ardhme më të mirë.

Atëherë mund të kuptojmë pse, në lutjen Të falemi, Mbretëreshë, ne e thërrasim Marinë me titujt: “jeta, ëmbëlsimi, dhe shpresa jonë”. Dhe, duke pasur parasysh mësimin e Besëlidhjes së Re për sa i përket Marisë, mund të kuptojmë gjithashtu pse Maria është shenjë shprese për familjet tona.

Mos të mendojmë se jeta e Marisë ka qenë një parajsë tokësore. Edhe ajo, si të gjithë ne, ka përjetuar ankthin dhe dhimbjen. Madje ka merituar titullin Mater dolorosa – Nënë dhimbjesh. Kur, përpara engjëllit, është përgjigjur “po” thirrjes së Zotit, ajo ka pranuar të përballonte të gjitha sfidat dhe rreziqet që përfshinte kjo thirrje.

Sa e dhimbshme ka qenë eksperienca e saj në Betlehem, kur, në orët e fundit të shtatëzanisë së saj, nuk gjeti vend ku ta lindë djalin e vet! Ishte rast gëzimi dita kur ajo, bashkë me Jozefin, e kushtoi Jezusin, dyzetditësh, në tempullin e Jeruzalemit; por ishte pikërisht në këtë rast që ajo e dëgjoi parakallëzimin e Simonit, se Jezusi “do të jetë shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë, edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin”. E në fakt, Jezusi ishte akoma fëmijë kur ishte kërkuar për t’u vrarë nga Herodi, e Maria e Jozefi ishin të detyruar të shkonin në mërgim në Egjipt për ta shpëtuar. Gjithashtu ishte e vështirë për të, të kuptojë fjalën e Jezusit, dymbëdhjetëvjeçar: “Më duhet të merrem me punët e Atit tim”, pasi që ajo, bashkë me Jozefin, të dy të pikëlluar, e kishin kërkuar për tri ditë dhe e gjetën në tempullin e Jeruzalemit.

Por prova më e madhe dhe më e dhimbshme për jetën e saj ishte momenti kur e shihte Jezusin të dënuar për vdekje, të frushkulluar, të kurorëzuar me ferra, të kryqëzuar, kinse ishte një kriminel i madh! E megjithatë, ajo qëndronte atje, afër kryqit të tij, plot kurajë. Sa shumë prindër kanë përjetuar të njëjtë eksperiencë si Maria! Dhe Maria ka një fjalë për të gjithë këta: “Mos kini frikë! Kini shpresë!” Maria vetë bëhet shpresë për ata, për të gjithë ne.

Ajo, e cila lindi dhe ka jetuar brenda një familjeje, dhe ishte vetë e martuar dhe nënë, sot është nëna e familjes së madhe të mbarë njerëzimit. Në jetën e saj, ajo pranoi të quhej dhe të bëhej “shërbëtorja e Zotit”. E fortë në besimin e saj në Zotin e historisë, ajo përballonte të gjitha sfidat dhe dhimbjet me shpresë të fortë, sepse, si thotë Shën Pali, “Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan” (Rom 8, 28).

Check Also

Adhurimi Eukaristik-XXXII e Diele Gjatë Vitit -A-

XXXII e Diele Gjate Vitit A Adhurimi Eukaristik XXXII e Diele Gjatë Vitit -A- Rrini ...